11 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Maqedoni e Veriut, fillon debati në Kuvend për ndryshimet kushtetuese

Më të lexuarat

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se propozimi për ndryshimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, hyrjen në Bashkimin Evropian, që është kërkesa dhe pritja e shumicës dërrmuese të qytetarëve

Seanca plenare me një pikë të vetme të rendit, “Propozimi për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka filluar në Kuvend, raporton Anadolu.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në seancë tha se propozimi është rezultat i një debati shumëmujor, tërësisht i hapur, transparent, ekspertësh dhe politik.

Sipas tij, propozimi për ndryshimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, hyrjen në Bashkimin Evropian (BE), që është kërkesa dhe pritja e shumicës dërrmuese të qytetarëve.

“Propozimi është i yni, maqedonas, i cili bazohet në propozimin dhe marrëveshjen evropiane të vitit 2022, me të cilën vendi më në fund i hapi negociatat për anëtarësim pas shumë vitesh pritje”, u shpreh Kovaçevski, duke i hedhur poshtë tezat e rreme për atë se ka një diktim.

Ai siguroi se ndryshimet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë çështje identiteti maqedonas.

“Me miratimin e propozimit, të marrim një vendim që të mos qëndrojmë në vend, të mos numërojmë në vend, të mos presim përsëri, por të ecim drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe të arrijmë objektivin e vendosur për anëtarësim të plotë deri në vitin 2030”, theksoi kryeministri Kovaçevski, duke rikujtuar se për herë të parë është nënshkruar marrëveshje në gjuhën maqedonase me BE-në, konkretisht me Frontexin.

Duke folur për propozimin që duhet të votohet në Kuvend, Kovaçevski tha se ndërhyrjet e propozuara në Kushtetutë i referohen vetëm shtimit të kombeve në Preambulë, si dhe në nenet 49 dhe 78.

Kovaçevski shpjegoi se në pjesën ku është “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, shqiptar, turk, vllehë, serbë, romë, boshnjakë”, do të shtohen edhe “populli bullgar, kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian”.

Duke informuar edhe rreth procesit të skriningut që po zhvillohet në Komisionin Evropian, ai potencoi se kjo “rrjedh në gjuhën maqedonase dhe me shumë sukses”.

“Ne duhet të vazhdojmë edhe më tej, t’i hapim dhe mbyllim kapitujt, një nga një. Ky proces është më së paku administrative, ky proces është thelbësor sepse duhet të na ndryshojë, të na transformojë, të na bëjë më të suksesshëm. Ky është vendimi ynë, nevoja jonë dhe për këtë vendosim në Shkup, jo në Bruksel, aq më pak në Sofje”, theksoi Kovaçevski, duke deklaruar se kërkesa të reja nuk do të ketë, si dhe çështjet dypalëshe nuk janë pengesë.

Gjatë fjalimit të Kovaçevskit u vërejt largimi i disa deputetëve nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Pas fjalimit të kryeministrit, deputetë të pavarur dhe nga parti të ndryshme morën fjalë.

Sipas rregullores së Kuvendit, debati zgjat më së shumti dhjetë ditë.

– Procesi i ndryshimeve kushtetuese

Vendimin për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve ose 80 vota nga gjithsej 120 deputetë.

Nëse vendimi për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës miratohet nga Kuvendi, iniciativa i kthehet Qeverisë, e cila duhet të përgatisë tekstin e projekt-amendamenteve me shpjegim.

Teksti i përgatitur më pas i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili ia përcjell atë deputetëve dhe kreut të shtetit jo më vonë se 30 ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit.

Propozimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese parashikon ndryshime në Preambulën e Kushtetutës dhe përmendjen e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

Kujtojmë se më 19 korrik, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e pranoi dhe menjëherë e dërgoi propozimin te deputetët në Kuvend, ndërsa më 25 korrik Komisioni për Çështje Kushtetuese e mbështeti propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit