0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe – Nga Milazim Krasniqi

Më të lexuarat

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë. Sot më shumë se kurrë ka mundësi të zbulohen dokumente dhe fakte lidhur me atë periudhë, e kjo do të thotë se falsifikimeve u del boja shpejt. 

Lindja me vonesë të madhe e letërsisë shqipe, është një paradoks më vete, kur dihet fakti që shqiptarët dhe paraardhësit e tyre, ilirët, me shekuj jetuan në fqinjësi direkte me grekët dhe me romakët, pra me dy popujt që e farkuan njërën nga shtyllat e qytetërimit europian, atë greko-romake. Në vetë truallin historik të shqiptarëve, në lokalitete si Durrësi, Apollonia, Butrinti e në lokalitete të tjera antike, janë gjetur mbishkrime të ndryshme, por ato pa përjashtim janë ose greke ose latine. Shkaqet që e penguan kultivimin e shkrimit në gjuhën ilire/shqipe, janë të shumta, por në një studim si ky, ato nuk kanë pse numërohen. Ngado që ta marrësh punën, mbetet fakti që deri sot nuk janë gjetur gjurmë të shkruara në gjuhën ilire/ shqipe, e aq më pak letërsi artistike në gjuhën shqipe, as në antikitet e as në Mesjetë. 

Mungesa e teksteve të shkruara në gjuhën shqipe, kur për shekuj në fqinjësinë e saj direkte është krijuar një literaturë kolosale, vetvetiu flet për inferioritetin kulturor të ilirëve/shqiptarëve. Nga ana tjetër, shumica e dëshmive për ilirët në antikitet dhe shqiptarët në Mesjetë janë nga burime greko-romake dhe bizantine, ku ilirët/shqiptarët trajtohen me keqdashje si barbarë, bëhet edhe më e qartë pse kanë ekzistuar dhe ekzistojë edhe sot aq paragjykime ndaj tyre. 

Krahas mungesës së shkrimeve në gjuhën e tyre, ilirët antikë dhe shqiptarët e Mesjetës, kanë pasur edhe një histori të vështirë të besimeve fetare. Për mungesë të teksteve të shkruara, nga vetë ilirët dhe në gjuhën ilire, edhe ato tekste të autorëve grekë e romakë që flasin për ilirët dhe besimet e tyre, janë fragmentare dhe tendencioze. Historiani Peter Bartl thotë se“ kumte të shkruara rreth krishterizimit të shqiptarëve nuk ka” ( Bartl” 40) Në mungesë të dokumenteve të shkruara, edhe Bartli e edhe shumë autorë të tjerë, mundohen të bëjnë një mbindërtim të asaj historie, duke sajuar hipoteza të ndryshme, të cilat nuk kanë mbështetje në fakte të shkruara. Bartli është i mendimit se “trualli i Shqipërisë, ngjashëm me shumicën e zonave të Europës juglindore, është krishterizuar dy herë. Krishterizimi i parë kishte ndodhur nën sundimin romak, duke përfshirë mirëfilli vetëm zonat bregdetare: (Dyrrachioni (Durrësi) thuhet të jetë bërë qysh më 58 pas Kr. Peshkopatë. Që andej në shekullin e IV e VIII është krishterizuar hiterlandi.“ (Bartl: 40) Por, as për këtë pohim hipotezë ai nuk sjellë fakte veçse mjaftohet të hamendësojë në stilin “thuhet se…” 

Të thuhet se, në vitin 58 ka ndodhur krishterizimi i Durrësit, një kolonie romake, është krejtësisht e palogjikshme, sepse ajo është periudhë kur Neroni ishte në kulmin e fuqisë dhe kur në valën e persekutimeve të të krishterëve, ai urdhëroi edhe ekzekutimin e Palit në Romë në vitin 67 të erës sonë. Edhe pse “Pali hodhi themelet për dominimin botërorë të Krishterimit pagan” (Kolher), pra duke e shartuar krishterimin me politeizmin grek, ai nuk arriti të mbijetojë persekutimet neroniane. 

Edhe vetë zbrazëtia kohore prej së paku dyqind e pesëdhjetë vjet që e lë Bartli në mes të vitit 58 kur paskësh ndodhur “krishterizimi i parë” dhe shekullit IV e shekullit VIII, kur ai qenkësh përhapur mbi hiterlandin, dëshmon për dobësinë serioze të kësaj hipoteze. Nuk ka logjikë të mendohet se krishterimi është ngurtësuar për dy shekuj e gjysmë në Durrës, pa e prekur hiterlandin. Po të ekzistonte krishterimi në vitin 58, ndikimi i tij do të ishte shumë më i shpejtë edhe mbi hiterlandin e tij, i cili është një vazhdimësi kompakte e vetë qytetit dhe pa kurfarë pengesash gjeografike. Bartli mendon se pas invazionit sllav shqiptarët iu kthyen paganizmit, prandaj krishterizimi i dytë u ndodhi nga Bizanti dhe nga Bullgaria në shekujt VIII e IX. Nëse do të vërtetohej kjo që pohon Bartli se shqiptarët pas “krishterizimti të parë” iu kthyen paganizmit, atëherë rezulton se, krishterimi me të cilin ata ishin të identifikuar kur u përmendën për herë të parë në histori, në shekullin XIV, e kanë marrë nga Bizanti dhe nga Bullgaria. Në këtë rast, “feja e vjetër e shqiptarëve” rezulton të jetë ortodoksia bizantine dhe bullgare. Bartli pohon vetë se “Shqipëria nominalisht ishte nën sovranitetin e Bizantit që nga ndarja e perandorisë (395). Ndikim fort më të madh feks të ketë ushtruar Perandoria I Bullgare (618-1018) që kishte fituar mujshi të madhe sidomos nën Khan Krumin (803-814).” ( Bartl: 24) Logjikisht, meqë ka qenë nominalisht nën Bizantin e nën Bullgarinë më vonë, ajo edhe ka qenë edhe nën ndikimin fetar të tyre, meqë pushteti bizantin ka qenë cezaropapist.

Nga ana tjetër, edhe nëse Durrësi ka qenë i krishterizuar në shekullin e parë të erës sonë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, ai do të ishte vetëm një ishull i hapësirës shqiptare pagane në atë shekull, që do të thotë se nuk mund të gjeneralizohet hipoteza për gjoja krishterizimin e hershëm të shqiptarëve, madje nga vetë apostujt. Durrësi në atë periudhë ka qenë qytet ku ka dominuar popullsia helene e romake, e kurrsesi shqiptare. E drejta, edhe Bartli si edhe shumë të tjerë, kanë rënë në fakt në grackën e një legjende të sajuar për nevoja të propagandës fetare nga misionarë të Kishës Katolike. Pra, lidhur me periudhën historike pas Krishtit, nga misionarë të Kishës Katolike janë krijuar legjenda, sipas të cilave vetë apostujt kanë përhapur krishterimin në viset ilire, se ai ka qenë “krishterim dardan” dhe ka pasur kontinuitet deri në ditët tona. 

Edhe sipas Gaspër Gjinit, del se “Iliriku ka hyrë në literaturën sakrale pikërisht me shën Pal Apostullin. Prandaj me të drejtë përpiqet t’ia shpërblejë atij këtë duke i lidhur fillet e historisë së krishterizmit të vet me emrin etij. Mbështetja dhe arsyetimi më i mirë për një qëndrim të tillë janë vetë fjalët e Palit: “Kështu prej Jeruzalemit e rreth e përqark deri në Ilirik, e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së Lajmit të gëzueshëm, mbi Krishtin” (Gjini:23c) 

Që në fillim shihet intonimi tendencioz i këtij studimi, sepse çështjen rreket ta inkuadrojë në një kauzalitet të shpërblimit të ndërsjellë e që po vazhdoka mes Palit e Ilirikut, pa pasur asnjë diskontinuit, asnjë ndërprerje. Por, kur analizohen këto pohime jashtë kornizës propagandistike- misionariste, gjërat shihen në një dritë tjetër. E para, nuk mund të bëhet fjalë për një “krishterizëm dardan” sikundër e emërton autori, sepse krishterizmi nuk ka pasur një përcaktim etnik. E dyta, sjellja e “Lajmit të gëzueshëm”,edhe po të jetë ndodhur vërtet, nuk do të thotë edhe përhapje dhe strukturim institucional i krishterimit në hapësirat ilirike. Lajmi ka mundur të vinte edhe deri në këto hapësira, me çfarëdo rrugësh, por për t’u përhapur dhe strukturuar krishterimit në Ilirik do t’i duhen disa shekuj. E treta, vëret nuk ka fakte që Pali të ketë qenë në Ilirik. Edhe vetë Gaspër Gjini e pranon këtë gjë, kur thotë: “Askund nuk përmendet qartë se Pali kishte vendosur të bëjë një udhëtim të këtillë te vendasit e vet në Peoni, përkatësisht në Dardani. Por, do të ishte vështirë të mendohet se këtë nuk e kanë bërë së paku nxënësit e tij. Përveç kësaj, nuk guxojmë t’i harrojmë as ato kisha të para të panjohura, të kategorive të ndryshme: të tregëtarëve, ushtarëve apo edhe të mysafirëve të cilët kudo i sillnin njohuritë e para praktike të religjionit të ri, i cili bënte ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet njerëzore. Fakti se nuk ka dokumente për fillimin e krishterizmit në Dardani, sipas të cilit disa do të dëshironin ta hedhin këtë termin deri në fund të shekullit III, nuk jep ndonjë bazë të sigurt dhe solide për një mendim të këtillë. 

Ja pse. Në Lihnidë (Ohër) njëkohë ka qëndruar dhe vepruar shën Erazmi i Antiokisë. Kjo ka ndodhur diku kah fundi i shekullit të tretë. Por, atje qëndroi një kohë të shkurtër, si tregojnë dëshmitë e atëhershme. Shkakun e kësaj duhet kërkuar ose në kushtet e vështira, ose ndoshta, që na duket më e besueshme, në faktin se atje gjeti një krishterizim të organizuar” (Gjni: 24) 

Edhe ky fragment ka disa kundërthënie logjike në vete. Edhe pse pranohet se nuk ka dokumente, që do ta dëshmonin qëndrimin e Palit në Iliri, sërish insistohet se ai ose së paku nxënësit e tij të kenë qenë atje! Kjo pastaj plotësohet edhe me pandehmën se ka pasur kisha të tregëtarëve, të ushtarëve e të mysafirëve( !) Pasi autori polemizon me ata që thonë se nuk ka pasur krishterim në Dardani deri në shekullin III, vetë pohon se shën Erazmi ka ardhur atje në fund tëshekullit III. Dhe fundi i fragmentit është një oksimoron i vërtetë: ai nuk ka mundur të qëndrojë aty për shkak të kushteve të vështira, ose për shkak se ka gjetur një “krishterizim të organizuar!” Nëse ka pasur kushte të vështira, nuk ka mundur të ketë një “krishterizim të organizuar”. 

Edhe Shan Zefi në librin e tij, “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”, është vazhdues i mendësisë sipas të cilës Pali dhe apostujt e tij e përhapën krishterimin në Iliri: “Krishterimi te shqiptarët (në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni), nuk ka një prejardhje të huaj, por të themi kështu se ai është pikërisht autokton, sespe që nga koha apostolike Ungjilli qe predikuar, siç do të shohim më poshtë, nga vetë apostujt dhe nga nxënësit e tij”. (Zefi: 25) 

Të dhënat që sjellë Shan Zefi për rrugët që kanë lidhur territoret ilire në antikë, për shtegtimet e Palit dhe letrat e tij, nuk janë një dëshmi e qëndrimit të tij në Iliri. Kjo edhe është arsyeja që ai vazhdimisht e nis fjalinë në një mënyrë që nuk i eliminon dilemat: “me gjasë, nga Letra e Parë e Selanikasve mund të pohohet se Shën Pali të ketë predikuar krishterimin në vendet tona. (…) Me gjasë Shën Pali me këtë term (dalmatia) ka ndërmend të indikojë Shqipërinë e sotme.” (Zefi:27) 

Pa sjellë asnjë dëshmi, Shan Zefi pohon edhe se ka pasur një zhvillim të infrastrukturës së kishës në Iliri në shekullin e parë: “Prefektura e Ilirisë do të duhej të ketë pasur shumë seli ipeshkvore, që nga fillimi i shekullit të parë.” 

Por, faktet historike për atë kohë, veçmas për tre shekujt e parë të krishterimit, japin një pamje krejtësisht tjetër nga ajo që e paraqesin misionarët e cituar më lart. E vërteta e pakundërshtueshme historike është se në Ilirik ka pasur kushte skajshmërisht të vështira për krishterimin në atë kohë. Kushte të vështira për krishterimin në shekujt e parë ka pasur gjithandej. Vetë Pali u ekzekutua në vitin 67, duke ia shtypur kokën me urdhërin e Neronit, pasi e kishin sjellë si të burgosur nga Jerusalemi në Romë. Pra, e vërteta është se në kohën e propagandimit të krishterimit nga Pali (5-15 p.e.s dhe 67, e.sonë), dhe në shekujt që pasuan, viset ilire kanë qenë nën sundimin romak, ndërsa feja zyrtare në Romë ka qenë feja pagane. Elita ushtarake po edhe një pjesë e madhe e popullsisë ilire, ishin romanizuar dhe ishin bërë pjesë përbërëse e pushtetit dhe e shoqërisë romake. Për atë shkallë të lartë të integrimit – romanizimit, ka shumë fakte, nga të cilat ne këtu po i sjellim vetëm disa.

E para, në kohën e sundimit të Dioklecianit, (284-305), në kuadër të sistemit të ndarjes së pushtetit në katër pjesë, të Tetrarksië, Perandorinë Romake e sundonin katër burra me prejardhje nga Iliria: Diokleciani, Maksimiani, Galeri dhe Konstanci (babai i Konstandinit të Madh). Marrja e pushtetit të plotë të një perandorie gjigande si ajo romake, nga pjesëtarët të një popullsie ilire, nuk ka pasur si bëhet përveç pas një procesi të fortë të romanizimit të asaj popullsie. Meqë këtu është fjala për shekullin e III pas Krishtit, është krejt e qartë se një popullsi aq fort e integruar në shoqërinë romake, edhe fenë e ka pasur poashtu të njëjtë me fenë zyrtare të perandorisë, në këtë rast paganizmin romak. Dihet se Diokleciani dhe Galeri ishin persekutues të egër të të krishterëve. Meqë ata i përndoqën dhe u shkaktuan shumë vuajtje të krishterëve në gjithë Perandorinë Romake, nuk mund të bëhet fjalë për një zhvillim normal të krishterimit në territoret ilire, të cilat në atë periudhë ishin të integruara në Perandorinë Romake. Edhe para sundimit të Dioklecianit dhe të miqve të tij paganë nga Iliria, persekutimet ndaj të krishterëve në Perandorinë Romake kanë qenë të egra dhe sistematike. Majkll Grant sjellë këto konkudime: “Qeveria qendrore ishte marrë prej kohësh me përndjekjen e të krishterëve, dhe kishte zbatuar shkallë të ndryshme dënimesh që gjithsesi qenë mjaft të ashpra. Por, përndjekja duket një fjalë disi e paqëlluar pasi në ato kohëra, ajo nënkuptohej si një trysni e rëndë që t’ua nxinte jetën të krishterëve. Këta ishin të shtrënguar që të viheshin në radhë, për të paguar, si dhe paganët, shërbesat fetare, apo së paku t’ia bënin qejfin me fjalë të shtirura fesë tradicionale pagane dhe të tregohshin të bindur ndaj perandorit. Masa shtrënguese ndaj tyre qenë zbatuar që nga koha e Neronit (54-68 pas K.) dhe e Mark Aurelit (161-180), por përndjekës të vërtetë njihen (235- 238), Trajan Deciu (249- 251) dhe Valeriani (253-260). Por, si përndjekësit më të ashpër, në histori mbahen mend Diokleciani dhe cezari i tij, Galeri, që kanë qenë përgjegjësit kryesorë për persekutimet që hoqën të krishterët.” (Grant:150) 

Në rrethanat, kur persekutimet ndaj besimtarëve të një feje të re, e cila në asnjë vend nuk është fe zyrtare, shtrihen në disa shekuj, nuk mund të behet fjalë për zhvillimin ose lulëzimin e asaj feje. Prandaj, falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë. Sot më shumë se kurrë ka mundësi të zbulohen dokumente dhe fakte lidhur me atë periudhë, e kjo do të thotë se falsifikimeve u del boja shpejt. 

E vërteta jetësore dhe shkencore është që në tre shekujt e parë pas Krishtit, në viset ilire ka qenë efektiv sundimi romak e bashkë me të edhe besimi pagan. Madje, edhe në Koncilin e Nikesë, më 325, ku Konstandini zyrtarizoi doktrinën kristiane, nga viset perëndimore të Perandorisë Romake, praktikisht nuk morën pjesë përfaqësues, përveç gjashtë vetave. Në kuadër të dymijë përfaqësuesve që pati në atë koncil, gjashtë veta nuk paraqesin ndonjë përfaqësim serioz. Bile, as ata nuk qenë nga Iliria, që do të thotë se zhvillimi i krishterimit ende ishte i papërfillshëm, meqë Iliria ishte e integruar në paganizëm. 

Sigurisht që edhe në Iliri do të ketë pasur besimtarë të krishterë, të cilët do ta kenë ushtruar fshehtas besimin e tyre, por jo lirisht dhe jo legalisht. Në fundin e shekullit III, pas reprezaljeve të urdhëruara nga Diokleciani e të zbatuara nga Konstanci I Klori, ky i fundit thuhet se “e pakësoi në minimum numrin e të krishterëve në zotërimet perëndimore. Ai arritit deri aty sa të shkatërronte edhe vendet ku predikonin të krishterët që në më të shumtën e rasteve ishin ngrehina prej druri, që mund të rindërtoheshin shpejt”. (Grant:151) 

E shumta që kanë mundur të bënin të krishterët edhe në viset ilire në ato kohëra është të kenë vepruar ashtu si këtë gjendje të tyre e pëshkruan Majkëll Granti: 

“Problem shqetësues qe edhe fakti se edhe të krishterët mbartnin shumë gjëra nga ritet e paganizmit dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ndonjëherë mbanin qëndrime të lëkundura dhe e “kthenin gunën nga t’u frynte era.” (Grant:152) 

Pra, ka mundur ndokush ta përqafojë krishterimin individualisht, por që viset ilire të jenë krishterizuar në shekujt e parë të krishterimit, kjo është vetëm një legjendë e krijuar nga misionarë katolikë. Pushteti romak ka qenë i plotë në viset ilire në shekujt I – IV dhe nuk ka pasur gjasa që një popull i pushtuar të përqafojë një fe të re, të kundërt me atë të pushtuesit të fuqishëm. Edhe në kohën kur u mbajt Koncili i Nikesë, më 325, ilirët kanë qenë jashtë luftave të dogmave krishtere, sepse ende ishin nën Romën, ku paganizmi ende ishte shumë i fuqishëm. 

Sikundër e pohon edhe vetë Gaspër Gjini, “Në Dardani puna qëndron ndryshe. As pas Ediktit të Milanos, në vitin 313, ajo nuk e fitoi lirinë e dëshiruar fetare, sikur vendet e tjera. Krejt kjo do të ndodhë më vonë, vetëm pasi që Konstandini do ta mundë Licinin në betejën afër Cibalës. (…) Nga kjo del se lirinë e plotë Dardania u desht ta presë edhe disa vite.” (Grant: 27)? 

Kësaj here edhe Gaspër Gjini është më afër rezonit logjik, sepse deri në shekullin IV, kushtet në Ilirik dhe në Dardani kanë qenë skajshmërisht të pavaforshme për përhapjen e krishterimit. 

Është shumë e mundshme që ilirët/shqiptarët mbeten një popull i pafanatizuar bash për shkak se në ato periudha dramatike të luftës për zyrtarizimin e fesë së krishterë dhe kur u krijuan doktrinat e reja përçarëse brenda krishterimit, ata ende me shumicë ishin jashtë tij. Futja e viseve ilire nën Bizant pas shekullit IV, solli ndryshime edhe më të mëdha fatet e tyre. Ndarja e perandorisë në dy pjesë, që u bë me testament nga Teodosi në vitin 395, viset ilire i përfshiu në pjesën lindore të perandorisë: “Nga viset ilirike i mbeti Perëndimit vetëm dioqeza panonike, që më përpara zakonisht quhej dioqeza ilirike. Në këtë mënyrë midis Lindjes dhe Perëndimit u hoq një vijë kufiri që me kalimin e kohës do të skalitet në mënyrë të prerë si kufiri midis botës kulturore perëndimore, romane dhe asaj lindore, bizantine.” (Ostrogorski: 33)

Në këtë kontekst, ia vlen të kihet parasysh një fakt i fuqishëm: vetëm nga mesi i shekullit IV, pra pas Koncilit të Nikesë (325), bëhet më evidente pjesëmarrja e përfaqësueve ilirë në koncile, pjesëmarrja e kishës në sinode krahinore dhe evidencohet një korrespondencë e ndonjë ipeshkvi ilirë me papën., gjë që spikatet edhe në librin e Shan Zefit (29- 40) Por, jo në shekujt I – III, të cilët janë të mbuluar nga shurdhëria. 

Edhe pse ndarje administrative e territoriale ishin eksperimentuar edhe më parë, kjo ndarje e perandorisë në dy pjesë, u shndërrua me kohë edhe në ndarje politike, fetare dhe kulturore, me ç’rast viset ilire mbetën të lidhur me Bizantin. Këtë fakt e sjellë në një fusnotë në librin e tij “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”, edhe Shan Zefi: “Pas ndarjes së Perandorisë Romake, derisa Dalmacia deri te Antivari (Tivari) mbetej e lidhur me Romën, i tërë regjioni që shtrihet në jug mbetet nën Bizant, e ndarë në dy pjesë: Prevalitana në veri (nga Antivari në Shkumbin) dhe Epiri i ri në jug (nga Shkumbini në malet Acrocerauni.Qendra e Prevalitanës, madje edhe krejt dominimi bizantin mbi Adriatikun, ishte Durrësi, atdheu i vetë perandorit Anastazit I (Zefi: Cfr.R. ALMAGA’, op.cit.48)” Nga kjo e dhënë, bëhet e qartë se viset ilire, përveç Dalmacisë, që në shekullin V kanë qenë nën dominimin bizantin, që do të thotë edhe nën ortodoksinë bizantine. Rrjedhimisht, nuk mund të thuhet se katolicizmi ishte dominues ndër shqiptarë dhe as “feja e vjetër e shqiptarëve”, sepse Bizanti dhe kisha bizantine ishin dominues në viset shqiptare që nga shekulli IV e deri në shekullin XIV, kur filloi edhe shkërmoqja e sundimit serb mbi shqiptarët. Në fakt, dy kishat, zyrtarisht u ndanë në vitin 1054, por edhe para se të ndaheshin formalisht, ndikimet e tyre qenë fiksuar. Ndikimi i Kishës Bizantine, i bashkuar me sundimin bizantin mbi territoret ilire/shqiptare, ishte i plotë. Ai ndikim u alternua edhe me ndikimin e Kishës Bullgare në shekujt IX- XI dhe me ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në shekujt XII- XIV. Por në të trija rastet ishte fjala për ordodoksinë e jo për katolicizmin. Pushtimi i plotë nga Serbia i territoreve të sotme të Kosovës ka ndodhur në vitin 1196 dhe prej asaj kohe e deri në shkërmoqjen e sundimit serb, dominimi i kishë ortodokse serbe e cila e fitoi autonominë në vitin 1219, është evident dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë ndikim të katolicizmit në këto territore. Përkundrazi, Zakonik cara Dushana, jepte udhëzime të ashpra për përndjekjen e heretikëve, që në këtë rast do të thotë të katolikëve. 

Sa u përket shekujve IX – XI, ata paraqesin një ndërprerje të sundimit bizantin mbi viset iliro-shqiptare, meqë ato u pushtuan nga bullgarët: “Khantë bullgarë dhe carët e tyre e sunduan Kosovën që nga viti 850 deri në fillim të shekullit XI, ndërsa perandorët bizantinë e sunduan Kosovën deri në dekadat e fundit të shekullit XII.” (Malkolm: 42) Por, Kisha Bullgare ishte ortodokse e jo katolike. 

Luftërat e ashpra që u bën ndërmjet bullgarëve e bizantinëve, sollën shkatërime të reja në këto vise, prandaj as që mund të bëhej fjalë për ndonjë zhvillim fetar a kulturor. Mbetet që në të ardhmen të hulumtohet më thellësisht se a i ka prekur vërtet këto vise, lëvizja bogomile që u nis nga Bullgaria, e vërshoi Maqedoninë e arriti të forcohej edhe në Bosnje. Meqë këto vise gjeografikisht janë në mes të këtyre vendeve që ishin qendra të lëvizjes bogomile, është shumë e mundshme që ajo lëvizje ka qenë prezente edhe në viset iliriko-shqiptare, si një lëvizje kundër Kishës Katolike. 

Nga shekulli XII, kur shumica e viseve shqiptare ranë nën sundimin serb (1196-1389), ordodoksia serbe bëri agresion të fortë mbi shqiptarët, duke uzurpuar kishat bizantine e duke i kthyer në kisha serbe. Me anën e represionit politik e fetar, Serbia filloi një proces konvertimi të shqiptarëve në serbë. Ndërrimi i emrave të toponimeve e të patronimeve, ka ecur krahas konvertimit të shqiptarëve në serbë. Në kushte të atilla as që ka mundur të bëhej fjalë për ndonjë zhillim kulturor të shqiptarëve, të cilët i shin ekspozuar konvertimit fetar dhe asimilimit etnik. (Malkolm:58) 

Prandaj, që nga kontakti i parë me Islamin, shqiptarët filluan ta pranonin fenë e re dhe sunduesin e ri, sepse nuk kishin një traditë të fanatizmit fetar nga lufta e dogmave krishtere dhe nga ana tjetër kishin një përvojë të rëndë me ortodoksinë bizantine, bullgare e veçmas me atë serbe. Në kushte të zhvillimeve aq të pafavorshme, shqiptarët nuk arritën të krijonin as shtet të vetin e as literaturë në gjuhën e vet deri në shekullin XVI, pra gati dy shekuj pasi që ishin futur nën sundimin osman. 

Pra, legjenda sipas të cilës feja katolike është feja e vjetër e shqiptarëve”, është një produkt i imagjinatës së disa misionarëve katolikë të kohëve të vona. Në fakt, krishterimi që nga fillimet e veta kurrë nuk ka qenë unik, por kur është ndarë përfundimisht në vitin 1054, shqiptarët dhe viset e tyre me shumicë absolute kanë qenë nën Bizantin dhe nën ortodoksinë. 

Po të shihet kjo çështje nga aspekti i lëvizjeve kulturore-fetare, kuptohet lehtësisht se viset shqiptare nuk kanë qenë të prekura esencialisht nga lëvizjet në botën latine. Fjala vjen, Inkuizicioni nuk ka vepruar në viset shqiptare, sepse nuk ka pasur një strukturë të organizuar të Kishës katolike e të besimtarëve katolikë. As Humanizmi dhe Renesansa, si lëvizje kulturore dhe artistike, nuk kanë dhënë asnjë produkt në gjuhë shqipe, edhe pse shfaqja e asaj lëvizjeje ka qenë para sundimit osman mbi shqiptarët. Edhe pse në fqinjësi direkte me Italinë, që është trualli i Humanizmit dhe i Renesanës, shqiptarët nuk i preku ajo lëvizje kulturore, sepse ata ishin të integruar në fenë ortodoske dhe në qytetërimin bizantin. Kontigjentin e vogël të katolikëve shqiptarë, nuk e ka prekur as lëvizja e Reformacionit, sepse ata ishin krejtësisht margjinalë edhe brenda popullit shqiptar e edhe brenda formacionit krishterë të proviniencës latine. Kisha Katolike e lejoi botimin e ndonjë libri fetar në gjuhë shqipe në periudhën e Kundërreformës, në mesin e shekullit XVI, por më shumë e motivuar nga kundërvënia sundimit osman dhe përhapjes së Islamit ndër shqiptarë. Fillimi i integrimit të shqiptarëve në lëvizjet europiane ka ndodhur në periudhën e Romantizmit, që është një lëvizje artistike e fuqishme laicizuese. Pra, shqiptarët që nga shekulli XIX e këndej, i kanë integruar me Europën lëvizjet e mëdha politike e artistike, nacionaliste e laiciste, e jo katolicizmi. 

Katolicizmi nuk ka asnjë gjasë që të integrojë shqiptarët as në botën postmoderne në të cilën jetojmë sot. As me sloganet e rreme për gjoja “Kthimin në fenë e vjetër”. Nëse dikush vërtet mendon se kthimi në fenë e vjetër duhet të ndodhë, kjo do të thoshte kthim në ortodoksinë bizantine- bullgare-serbe.

Pjesë e shkëputur nga libri “Letërsia shqipe dhe besimet fetare” me autor Milazim Krasniqin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit