Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Në reagimin e QUINT-it me rastin e 7 vjetorit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit thuhet se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë.
“Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende shtatë vjet më vonë.
Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Për QUINT-in, sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Vonesa e mëtejme është vetëm pengesë për këtë përparim”, thuhet në reagim. /Telegrafi/