1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

MALLRAT KAMATOR

Më të lexuarat

 

 

Mr.BASHKIM ALIU

 

Pas definimit të kamatës në terminologjinë e të drejtës Islame dhe sqarimit të argumenteve që flasin për statusin e saj juridik në të drejtën Islame, duhet të ndalemi edhe në sqarimin e mallrave kamator, gjegjësisht llojet e mallrave në këmbimin e të cilëve ka kamatë e që nënkupton se duhet t’u përmbahemi rregullave të caktuara me qëllim që mos të biem në kurthën e kamatës.

Në literaturën Islame kjo njihet me nocionin “il-letu er-riba”, apo shkaku i ekzistimit të kamatës në një mall të caktuar.

         Së pari të përmendin faktin se në mesin e dijetarëve Islam ekzistojnë dy qëndrime përkitazi me atë se a thua kamata ekziston vetëm në këmbimin e shtatë llojeve të përmendura në hadithin e më sipërm, gjegjësisht:arit, argjendit, elbit, grurit, hurmave dhe kripës, apo se kamatë ka edhe në këmbimin e llojeve tjera të mallrave, pra hadithi në fjalë nuk ka patur për qëllim që ta përkufizojë kamatën vetëm në këto gjashtë lloje, por këto i ka përmendur vetëm si ilustrim dhe me këto bëhen analogji edhe mallrat tjerë.

Sipas drejtimit Dhahirit-literarist, kamata kufizohet vetëm në këto lloje, ndërkaq mallrat tjerë, nuk i nënshtrohen kamatës.Kështu, ndalohet të shitet 100 gram ar me dy qind gram ar, apo një kilogram hurma me dy kilogram, por nuk ndalohet shitja e një kilogram domate me dy kilogram.

Sipas mendimit të dijetarëve tjerë ku bëjnë pjesë edhe katër shkollat e njohura juridike Islame, kamatë ka edhe në këmbimin e mallrave tjerë, jo vetëm këtyre gjashtë llojeve, por ata kanë mendime të ndryshme mes veti përkitazi me atë se cili është shkaku i kamatës në këto mallra që të mund të bëhen pastaj analogji me këto edhe mallrat tjerë në rast të ekzistimit të shkakut përkatës edhe te ata mallra.Në vazhdim do ti përmendin mendimet e katër shkollave juridike Islame, edhe atë si vijon:

 

A-SHKOLLA JURIDIKE HANEFITE:Sipas kësaj shkolle juridike, shkaku i cili një mall e bën të jetë mall kamator, është të qenit e atij malli mall peshues apo matës me masë vëllimore, “vezn” dhe “kejl”[1] dhe të jetë i të njejtit lloj, apo thënë ndryshe:sasia përkrah llojit.Kështu, nëse janë evidente të dy shkaqet:pra matja vëllimore në mallrat e kësaj natyre dhe ajo matja e peshës në ato të kësaj natyre përkrah llojit të njejtë, këmbimi i dy mallrave duhet të jetë në masë të njejtë dhe dorë në dorë, apo ndalohet shtimi i sasisë së njërit mall kundrejt tjetrit gjatë këmbimit dhe prolongimi i dorëzimit të ndonjërit mall.

Në rast se në një mall ekziston vetëm njëri shkak, qoftë njësia matëse apo lloji, lejohet dallimi në sasi por jo edhe prolongimi i dorëzimit të njërit mall, e nëse nuk ekziston asnjëri shkak, pra as njësia matëse e as lloji, atëherë lejohet dallimi në masë i dy mallrave që këmbehen si dhe prolongimi i dorëzimit të njërit mall.Kështu, sipas këtij qëndrimi, lejohet të bëhet shitja jo në sasi të barabartë dhe me prolongim e bostanit, shegës, tokës, shtëpive, veturave dhe të ngjashme.Sipas këtij medhhebi lejohet shitja e kafshës së gjallë të cilës i hahet mishi me mish nga i njejti lloj, si psh:të shitet një dele e gjallë me një të therrur, sepse kemi shitjen e një malli që matet sipas peshës me nji pasuri që nuk matet sipas peshës.Kjo nuk është e lejuar te tre shkollat tjera juridike.

Hanefitët qëndrimin e vet e kanë mbështetur në argumentet vijuese:

I-Ajetet Kur’anore:[2].<>[3].

Në këto ajete jepet mesazh i qartë që të ketë drejtësi të plotë gjatë matjes dhe tërhiqet vërejtja për dënimin e dhëmbshëm që i pret ata që bëjnë hile në matje.Pra, theksi është vënë në matjen e sendeve pa mos u ndal në atë se sendi përkatës a është ushqimor apo jo.

II-Nga fusha e Sunetit (traditës pejgamberike):Ata u bazuan në një transmentim ku thuhet se një punëtorë i Hajberit ia fali të dërguarit të Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-le] një sasi hurma të kualitetit të mirë.I dërguari i Allahut i tha:”A të gjitha hurmat e Hajberit janë të këtilla?”.Ai tha:Jo, por ne japim dy sa’ë[4]hurma tjera për të marrë një sa’ë hurma të këtilla kualitative dhe tre sa’ë për të marrë dy të këtilla.I dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-le] i tha:”Mos vepro më kështu(në disa transmentime:Ke hyrë në kamatë), shiti të gjitha së bashku me  dirhem (para), pastaj me ato mjete të bleshë hurma të këtilla kualitative.Kështu duhet vepruar me gjërat që maten”[5].

Hadithi në fjalë flet qartë se këmbimi i dy gjërave të të njejtit lloj duhet të jetë në sasi të njejtë, pa marrë parasyshë a janë të të njejtës cilësi.

II-Analogjia:Ata kanë potencuar se barazimi në sasi i dy mallrave gjatë këmbimit të tyre, është kusht i validitetit të shitblerjes, ndërkaq kamata ndalohet për shkak të ekzistimit të sasisë shtesë të pasurisë pa kompenzim, e kjo është evidente edhe në mallrat që nuk janë përmendur me emër në hadithin e përmendur, fjala vjen si hekuri etj.Barazimi ndërmjet dy gjërave realizohet si formalisht poashtu edhe nga aspekti i përmbajtjes.Kështu, sasia  e pranuar në vëllim dhe peshë e realizon barazimin formalisht, ndërkaq lloji e realizon barazimin në përmbajtje.Kjo që përmendëm nuk është e veçantë vetëm për gjërat ushqimore dhe vlerat monetare, por vlen edhe për çdo mall që matet sipas vëllimit(mekil) dhe shitet me një mall tjetër të llojit të vet, dhe për çdo mall që matet sipas peshës(meuzun) i cili këmbehet me mall të njejtë[6].

 

B-SHKOLLA JURIDIKE MALIKITE:Sipas tyre, shkaku i ndalimit të shtesës gjatë këmbimit të arit me ar dhe argjendit me argjend është të qenit e këtyre dy metaleve vlera monetare; ndërkaq për sa u përket katër produkteve të përmendura në hadithin e më sipërm, shkaku  i kamatës te këto, sipas Malikitëve, dallon mvrasisht prej llojit të kamatës, gjegjësisht kamatës me shtim dhe me prolongim( riba fadël dhe nesie).Kështu, shkak i ndalimit të kamatës me prolongim është të qenit e këtyre produkteve ushqimorë jo për shërim, pa marrë parasyshë a përdoren vetëm për ushqim për ngrënie dhe për deponim, vetëm për njërën prej këtyre funksioneve apo nuk përdoren për diç të tillë, si që është rast me llojet e pemëve dhe perimeve.Ndërkaq shkaku i kamatës së shtesës janë dy elemente:Të qenit e tyre produkte ushqimore për ngrënie dhe mundësia për t’u magazinuar dhe qëndruar një kohë të gjatë pa u prishur.Kështu, sipas tyre nuk ka kamatë në gjërat që nuk janë ushqim themelor si frutat e pemëve, si dhe në ato gjëra që janë ushqim themelor por nuk magazinohen si mishi.

Malikitët qëndrimin e tyre e kanë arsyetuar si vijon:Pasi dihet se ndalimi i kamatës është bërë për një motiv të qartë dhe të kuptueshëm, gjegjësisht është bërë për shkak që mos të mashtrohen njerëzit dhe të mbrohet pasuria e tyre, atëherë kjo imponon nevojën që i njejti motiv të jetë instaluar në produktet bazë të jetesës, si:gruri, elbi, orizi, misri, hurmat, rrushi i thatë, vezët, vaji, perimet etj[7].

 

C-SHKOLLA JURIDIKE SHAFI’ITE:Sipas tyre, shkaku i kamatës në ar dhe argjend është të qenit e tyre vlera monetare për këmbimin e mallrave.Kjo vlen vetëm për arin e argjendin, por jo edhe për metalet tjera ai:hekuri, plumbi, bakri etj, sepse këto të fundit janë vetëm metale, por jo edhe vlera monetare.Ndërsa për sa u përket katër produkteve të përmendura në hadithin e më sipërm, shkaku i kamatës te këta është të qenit e tyre produkte ushqimore.Sipas kësaj pikëpamje, këmbimi i produkteve ushqimore, pa marrë parasyshë a maten sipas vëllimit apo peshës, duhet të jetë në sasi të barabartë, sepse nëse kemi shtesë në njërin produkt të këtillë, kemi hyrë në kamatë.Kështu, sipas këtij mendimi kamatë ka gjatë këmbimit jo të njejtë të bostanit, shegës, perimeve etj, por nuk ka kamatë në ndrimin jo të barabartë të kafshëve ashtu që lejohet të shitet një dele me dy dele, një deve me dy deve, një pule me dy pula, të shiten një palë tesha për dy palë tesha bile edhe me prolongim etj.

Shafi’itët qëndrimin e tyre e kanë argumentuar si vijon:

I-Karakteristikë e përbashkët e këtyre katër produkteve të përmendura në hadithin e më parshëm, është të qenit e tyre produkte ushqimore.

Poashtu, ata kanë ndjekur edhe një metodë tjetër në nxjerrjen e këtij shkaku, gjegjësisht kanë thënë se i dërguari i Allahut në hadithet e tij përmend:”Ushqimi me ushqim”, që do të thotë se shkak i ndalimit të këmbimit të mallrave përkatës jo në masë të njejtë, është të qenit e tyre mallra ushqimor-ushqim.

II-Ata mendimin e tyre se shkak i kamatës në ar dhe argjend është të qenit e tyre vlera monetare e kanë bazuar në hadithet e të dërguarit të Allahut i cili këto dy metale të çmuara i ka përmendur me këtë cilësi, pra si vlera monetare.Kështu, në një hadith i dërguari i Allahut thotë:”Mos e shitni një dinar (ari) për dy dinar, e as një dirhem (argjendi) për dy dirhem”[8].Pra, në këtë hadith ari dhe argjendi qartë potencohet se janë vlera monetare[9].

 

D-SHKOLLA JURIDIKE HANBELITE:Në këtë medhheb hasen tre versione përkitazi me atë se cili është shkaku i kamatës.Versioni i parë dhe më i njohur është identik me mendimin e shkollës juridike Hanefite, gjegjësisht:Matja e një malli sipas vëllimit apo peshës përkrah llojit të njejtë është shkak i kamatës, ashtu që kamata është evidente në çdo mall që matet sipas vëllimit apo peshës kur këmbehet me një mall të llojit të vet, pa marrë parasyshë a është ushqimor apo jo, si:drithërat, pambuku, liri, leshi, këna, hekuri, bakri etj.Ndërkaq nuk ka kamatë në këmbimin e dy mallrave ushqimorë të cilët nuk maten sipas vëllimit apo peshës.Kështu, shtëpitë, veturat, fushat, kafshët e të ngjashme, mund të këmbehen mes veti në sasi të ndryshme, gjegjësisht të këmbesh një veturë për dy vetura të të njejtit lloj pa mos patur në këtë transaksion kamatë.Versioni i dytë i tyre përputhet me mendimin e shkollës juridike Shafi’ite, ndërsa sipas versionit të tretë:në përjashtim të arit dhe argjendit, shkak i ekzistimit të kamatës gjatë këmbimit të katër produkteve të përmendura është të qenit e tyre produkte ushqimore që maten sipas vëllimit apo peshës.Sipas këtij mendimi nuk ka kamatë në produktet ushqimore që nuk maten sipas vëllimit apo peshës, si: vezët, dhe në gjërat që nuk janë ushqimore si:hekuri, safrani, plumbi etj[10].

Versioni i fundit u bazua në transmentimin  e Seid ibn Musejjibit, një pasardhës i shokëve të dërguarit të Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] se i dërguari i Allahut ka thënë:”Kamata ekziston vetëm në ar apo argjend, apo në ato gjëra ushqimore që maten sipas vëllimit apo peshës”[11].

 

MENDIMI MË I SAKTË:

 

         Në librat e të drejtës Islame-Fikh shpesh herë flitet për mendimin i cili është më i afërt apo më i mbështetur në argumente kur kemi të bëjmë me ma tepër mendime.Nëse kthehemi në librat e fikhut të shkollave juridike Islame, do të shohim se ekspertët juridik të atij drejtimi i mbështesin fuqishëm argumentet e veta dhe i demantojnë argumentet e shkollave tjera juridike.

Së këndejmi, të deklarosh se ndonjëri mendim është më i saktë se tjetri, është rëndë dhe çështje relative.Kështu, juristi i njohur Malikit Ibn Rushdi, mendon se mendimi më i saktë është ai i Hanefive, ndërkaq Ibn Kajimi mendon se më i saktë është mendimi i Malikive, ndërsa eksperti i shquar i vonshëm Es-Senhuri mendon se më të saktë janë Shafi’itët[12].

Kjo çështje është diskutabile, gjegjësisht nuk është e prerë në mënyrë decide që nënkupton se diejtarët mund të manevrojnë në të konform kritereve valide juridike, ndërkaq ata që nuk kanë mundësi të bëjnë vlerësimin e drejtë shkencor të argumenteve dhe mendimeve, duhet ta ndjekin dijetarin në të cilin u flen zemra.Allahu e di më së miri.

 

VENDIMI I PESË

 

PËRKITAZI ME SHFRYTËZIMIN E MJETEVE TË ZEKATIT PËR NDËRTIMIN E SHKOLLAVE DHE SPITALEVE NË VENDET EVROPIANE, SI DHE THEMELIMIN E FONDIT TË ZEKATIT NË KËTO VENDE

 

        

         I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut Nji, përshëndetjet, paqa dhe shpëtimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tone Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

 

         Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, në seancën e tij të nëntë, të mbajtur në selinë e Ligës së Botës Islame në Meke El-Mukerreme prej ditës së Shtunë 12 Rexheb 1406h deri në ditën e Shtunë 19 Rexheb 1406h, e shqyrtoi rekomandimin e Akademisë  Evropiane për gjurmime juridike Islame pranë Këshillit të Lartë Botërorë për Xhamitë, i cili iu dorëzua nga doktori i nderuar, sekretari i përgjithshëm, zavendës kryetari i këshillit, përkitazi me mundësinë e shfrytëzimit të mjeteve të zekatit për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve në vendet evropiane.

         Pas shqyrtimit dhe dëgjimit të prezentimeve të anëtarëve e debatit që u zhvillua, Këshilli miratoi konfirmimin e vendimit të marrë në seancën e tetë se thirrja në rrugë të Allahut të Madhërishëm, gjërat që ndihmojnë në këtë drejtim dhe i mbështesin veprimtaritë e saj, bëjnë pjesë në fondin <>(Në rrugë të Allahut), i cili është një nga fondet e përmendura në mënyrë taksative në Kur’an (Ajeti 60 i sures Et-Teube), bazuar në faktin se xhihadi në rrugë të Allahut, nuk i dedikohet vetëm luftës me shpatë, por e përfshinë edhe xhihadin me thirrje, transmentimin e mesazhit Islam dhe durimin në vështirësitë që dalin në këtë rrugë.

Allahu i Madhërishëm i drejtohet të dërguarit të Tij, përkitazi me Kur’anin, me këto fjalë:<>[El-Furkan, 52].

Në hadith qëndron:”Bëni xhihad ndaj idhujtarëve me pasuritë, veten dhe gjuhët tuaja”.Hadithin e transmenton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiju, Ibën Hibbani dhe Hakimi, i cili edhe e vlerëson hadithin për autentik.

         Ky kuptim konfirmohet në kohën tone në veçanti, ma tepër se kurdo here më pare.Kjo, ngase muslimanët luftohen në shtëpinë e tyre nga doktrinat, ideologjitë, besimet dhe filozofitë false.Ata luftohen në aspektin ideor dhe kulturor, e jo ushtarakisht, ata luftohen me institucione akademike, arsimore, e jo me institucione ushtarake.Për atë, pyka nxirret vetëm me pykë si ajo.Për këtë, thirrja në djallëzi, patjetër të luftohet me thirrjen në rrugë të Allahut, të luftohet mësimi i të mbrapshtës, me mësimin e të vërtetës, idenë e frymëzuar nga mosbesimi, me idenë e frymëzuar nga Islami.Në këtë kontekst, Ebu Bekër Es-Siddiku i tha Halidit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy,:Luftoi me atë armë që të luftojnë ata ty:Shpatën me shpatë, shtizën me shtizë…”.

         Në kohën tone, mjetet dhe metodat e thirrjes janë të shumëllojshme, ashtu që nuk kufizohen vetëm në fjalë, gazeta, libra, edhe pse të gjitha këto janë të rëndësishme, por prej mekanizmave më të mëdha dhe më të rrezikshme të thirrjes, është bërë shkolla, ku formësohen mendjet e reja, sajohen shijet dhe prirjet e tyre, atyre u mbillen ide dhe vlera që dëshirohen.Po ashtu, këtë karakter e kanë edhe spitalet, të cilat tentojnë të ushtrojnë ndikim te njeriu, në emër të shërbimeve humane.

Këto metoda i kanë shfrytëzuar armiqtë e Islamit të ngjyrave të ndryshme, për t’i luftuar bijtë e ummetit islam, t’i zhveshin nga identiteti i tyre e t’i devijojnë nga besimi i tyre.Për realizimin e këtyre planeve të flliqta, ata ngritën shkolla, spitale dhe për këto institucione shpenzuan qindra miljona.

Muslimanët, në veçanti rinia islame, këtij rreziku më së tepërmi i ekspozohen kur janë jashta vendeve islame.

         Nisur nga kjo, Këshilli konstaton se institucionet arsimore dhe shoqërore, si shkollat, spitalet e të ngjashme, nëse janë në vendet jo islame, sot konsiderohen domosdoshmëri e thirrjes dhe mjete të xhihadit në rrugë të Allahut.Këto institucione e mbështesin thirrjen dhe i ndihmojnë veprimtaritë e thirrjes islame, bile janë të domosdoshme për mbrojtjen e besimit dhe identitetit fetar të muslimanëve, përballë shkatërrimit ideologjik dhe fetar i cili ushtrohet nga shkollat dhe institucionet misionare krishtere dhe laike.

         Kusht për këtë, është që këto institucione të jenë pastër Islame, të destinuara për qëllimet e thirrjes dhe misionit islam si dhe dobisë së përgjithshme të muslimanëve, e jo për qëllime komerciale të disa individëve apo grupi njerëzish.

         Ndërkaq, për sa i përket themelimit të fondit të zekatit, për tubimin e zekatit nga njerëzit e obliguar dhe shpërndarjen e tij në fondet e parapara fetarisht, ku bën pjesë edhe ajo që përmendëm më lartë, është një potez i preferuar fetarisht shiquar nga aspekti i realizimit të dobive të mëdha që sjell për muslimanët.Por, ky fond, patjetër duhet të udhëhiqet nga njerëz të besueshëm, korrekt dhe njohës të dispozitave të zekatit përkitazi me tubimin dhe distribuimin e tij.Allahu e di më së miri.

 

Bekimi i Allahut dhe paqa e përshëndetjet e shumta qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e Tij.

         Falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

 

 

Nënshkruar nga:

 

KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT

         Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz

 

ZAVENDËSKRYETARI

         Dr.Abdullah Omer Nesif.

 

REFERENTI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT ISLAM

         Dr.Talal Omer Ba Fekih.

 

Pasojnë  anëtarët tjerë:

Muhammed ibën Xhubejr (nuk u pajtua me vendimin në fjalë), Abdullah Abdurrahman El-Bessam, Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan (nuk u pajtua me vendimin), Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil (mendon se kjo kategori ka të bëjë vetëm me luftëtarët), Mustafa Ahmed Ez-Zerka, Muhammed Mahmud Es-Savaf, Salih ibën Uthejmin, Muhammed Reshid Kabbani (nuk u pajtua me vendimin), Muhammed Esh-Shadhli, Ebu Bekër Mahmud Xhumi, Dr.Ahmed Fehmij Ebu Sunne, Muhammed El-Habib ibën El-Huxha, Dr.Bekër Ebu Zejd (mendon se kjo kategori u referohet vetëm luftëtarëve), Muhammed ibën Salim ibën Abdu-l-Vedud, Dr.Jusuf El-Kardavi, Ebu-l-Hasen Ali El-Hasenij En-Nedvij.

 

 

 

Seanca e katërmbëdhjetë:

 

 

VENDIMI I SHTATË

 

PËRKITAZI ME LOJRAT E FATIT

 

         I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut Nji, përshëndetjet, paqa dhe shpëtimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tone Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

 

         Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, në seancën e tij të katërmbëdhjetë, të mbajtur në selinë e Ligës së Botës Islame në Meke El-Mukerreme e cila filloi prej ditës së Shtunë 20 Shaban 1415h=21/1/1995 e shqyrtoi çështjen në fjalë, gjegjësisht zhvillimin e lojrave të fatit[13].Me ligj, loja e fatit njihet si:”Lojë në të cilën participojnë disa njerëz, ashtu që çdo njëri nga ata ven një sasi të vogël me shpresë se do ta kapë fatin, që nënkupton një sasi të madhe, apo çdo gjë tjetër që tërhiqet.Të gjithë pjesmarrësit kanë numra, pastaj numrat e tyre vehen në një vend dhe prej atij vendi me fat tërhiqet një numër apo disa numra.Kështu, numri i kujt del, ai është fitues i lojës së fatit”.

         Bazuar në këtë përkufizim, lojrat e fatit konsiderohen bixhoz, sepse çdo njëri pjesmarrës në këtë lojë, ose ta fitojë krejt lojën, apo ta humb atë që e ka dhënë.Ky është cilësimi i bixhozit të ndaluar.

         Justifikimin e disa legjislacioneve për legalizimin e lojrave të fatit (loto), nëse një sasi e mjeteve të kësaj loje destinohet për qëllime humanitare, e drejta islame e gjuan poshtë, sepse bixhozi është i ndaluar, pa marrë parasyshë motivet për të.

Kështu, në lojën “el-mejsir”, e cila ka qenë bixhoz i paganëve, ai që fitonte, fitimin nga fati ua ndante të varfurve.Për këtë dobi të bixhozit, tregoi edhe Kur’ani, por edhe përskaj kësaj e ndaloi, sepse dëmi i tij është më i madh se dobia:[El-Bekare, 219].

Pastaj, Allahu i Madhërishëm e shpalli ajetin:<>[El-Maide, 90].

         Pastaj, Këshilli rekomandon që drejtoria e Akademisë të bëjë studime në teren për llojet e dhuratave, garave dhe zbritjeve të reklamuara në mediume dhe tregje, tu shkruaj per këtë çështje disa juristëve islamë dhe gjurmuesve, dhe pastaj në seancën e ardhëshme, inshallah, çështjen në fjalë t’ia paraqesë këshillit.

 

Bekimi i Allahut dhe paqa e përshëndetjet e shumta qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e Tij.

         Falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

 

 

Nënshkruar nga:

 

KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT

         Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz

 

ZAVENDËSKRYETARI

         Dr.Ahmed Muhammed Ali

 

REFERENTI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT ISLAM

         Dr.Ahmed Muhammed El-Mukrij

 

Pasojnë  anëtarët tjerë:

Muhammed ibën Xhubejr, Abdullah Abdurrahman El-Bessam, Abdurrahman Hamza El-Merzuki, Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan (nuk u pajtua me vendimin), Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil, Mustafa Ahmed Ez-Zerka, Muhammed Salim Adud, Salih ibën Uthejmin, Muhammed Reshid Kabbani (nuk u pajtua me vendimin), Muhammed Esh-Shadhli, Dr.Ahmed Fehmij Ebu Sunne, Muhammed El-Habib ibën El-Huxha, Dr.Bekër Ebu Zejd, Muhammed ibën Salim ibën Abdu-l-Vedud, Dr.Jusuf El-Kardavi.

 

         Në debat rreth çështjes në fjalë, morrën pjesë edhe nji grup dijetarësh dhe ekspertësh:

1)      Prof.Dr.Vehbe Ez-Zuhajli; 2)Prof.Dr.Es-Siddik Muhammed El-Emin Ed-Darir; 3)Dr.Ali Muhjuddin Kuradagi; 4)Abdu-l-Kadir Muhammed El-Amari; 5)Muhammed Esh-Shejbani Muhammed Ahmed; 6) Dr.Ali Ahmed Es-Salus.

 

  Prej arabishtes: Mr.Bashkim Aliu

 

 

 



[1]               Në të kaluarën mallrat janë matur në dy mënyra:kejl, apo përmes enëve, nëse malli mund të matej në këtë mënyrë, si psh.hurmat, gruri, elbi etj, apo matej vëllimi i mallit, dhe vezn, apo malli i cili mates në bazë të randësisë, pra peshës.

[2]               Kaptina Esh-Shuaraë, 181-183.

[3]               Kaptina Hudë, 85.

[4]               Një sa‘ë është e barabartë përafërsisht me dy kilogram e gjysë.

[5]               Hadithin e transmenton Buhariu në sahihun e tij, Kitabu-l-vekale, babu:El-Vekaletu fi es-sarfi ve-l-mizan, hadithi nr.2302.Shih:Ibn Haxher Askalani, Fet‘hu-l-Bari, vëll.IV, fq.561, dhe Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, vëll.VI, fq.62.

[6]               Shih:El-Kasani, Bedai‘i Es-Sanai‘i, vëll.VII, fq.61-62, Dr.Vehbe Ez-Zuhajli, El-Fikhu-l-Islamij ve edil-letuhu, vëll.IV, fq.684, Dr.Teufik Ramadan El-Buti, El-Buju‘ë Esh-Sha‘iah, fq.107.

[7]               Shih:Ibn Rushd, Bidajetu-l-muxhtehid, vëll.II, fq.130, Abdurrahman El-Xheziri, El-Fikhu ala el-medhahibi-l-erbe‘ati, vëll.II, fq.250.

[8]               Hadithin e transmenton Muslimi në Sahih-un e tij, Kitabu-l-musakat, babu:Er-Riba.Shih:Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll.XI, fq.10, hadithi nr.1585.

[9]               Shih:Dr.Teufik Ramadan El-Buti, El-Buju‘ë esh-shaji‘ah, fq.100-102, Dr.Refik Junus El-Misrij, El-Xhami‘u fi usuli er-riba, fq.114, Abdurrahman El-Xheziri, El-Fikhu ala el-medhahibi-l-erbe‘ati, vëll.II, fq.250.

[10]             Ibn Kudame, El-Mugnij, vëll.V, fq.435, Dr.Vehbe Ez-Zuhajli, El-Fikhu-l-Islamij ve edil-letuhu, vëll.IV, fq.690.

[11]             Transmentimin e përcjell Darekutni në Sunen, kitabu-l-bujuë.Shih:Sunen Ed-Darekutnij, vëll.III, fq.11, hadithi nr.2810. Pastaj Darekutni thotë:Ky thënie është thënie e Seid ibn Musejjibit, dhe është i ndërprerë-mursel.Verifikuesi i haditheve të kësaj vepra në margjina thekson se hadithi është i dobët.

[12]             Shih:Dr.Vehbe Ez-Zuhajli, El-Fikhu-l-Islami ve edil-letuhu, vëll.IV, fq.692.

[13]             Këtu bën pjesë:Loto, bingo, bastoret sportive etj. (B.A)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit