Protestuesit kërkuan tërheqjen e Ligjit për presidentin, marrëveshje për zgjedhjen e gjykatëseve të Gjykatës Kushtetuese si dhe caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare
Mbrëmë në Podgoricë u mbajtën protestat e katërta me radhë të organizuara nga lëvizja “Ne ekzistojmë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit kërkuan tërheqjen e Ligjit për presidentin, marrëveshje të menjëhershme për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese si dhe caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në protestën e mbajtur para Parlamentit të Malit të Zi, sipas vlerësimit të organizatorëve, ishin mbledhur rreth 20 mijë qytetarë. Tubimi filloi me intonimin e himnit të Malit të Zi ndërsa qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet: “Ne ekzistojmë”, “Nuk të japim Mali i Zi”, “Nuk ka më zgjidhje, shkojmë në zgjedhje”, “Jemi këtu për Malin e Zi, për BE-në”.
Protestuesve iu drejtua gazetarja Tanja Paviçeviq e cila tha se më shumë se dy vite “Kemi duruar shkeljet, paligjshmërinë dhe shkatërrimin e shtetit tonë për interesa të të tjerëve”.
“Dëshmojmë desantin ndaj shtetit. Shohim rrënimin e vetëdijshëm dhe qëllimkeq të institucioneve, partitokracinë e paskrupullt, nëpërkëmbjen e Kushtetutës. E gjithë kjo, për të na çuar të ndarë, të zhveshur, të varfëruar, sa më larg nga ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Paviçeviq.
“Këtu jemi për t’i thënë Dritan Abazoviqit dhe shërbëtorëve të tjerë të Vuçiqit që në vend të ‘Ballkanit të Hapur’, të zgjedhim Evropën e hapur dhe në vend të botës serbe, vetëm botën”, tha ajo.
“Neglizhenca e tyre zgjoi qytetarët. Qytetarët janë të vetëdijshëm se qeveria nuk i mbron interesat kombëtare të Malit të Zi. Qytetarët janë të vetëdijshëm se Qeveria e Malit të Zi po e udhëheq vendin përmes asimilimit të plotë nën këmbët e Serbisë. Kjo nuk mund të kalojë”, tha Paviçeviq.
Nënkryetari dhe deputeti i DPS-së, Jevto Erakoviç tha se “kjo është një luftë për mbijetesën e Malit të Zi”.
“Kjo nuk është vetëm luftë politike, kjo është luftë për mbijetesën e Malit të Zi. Kjo pranverë duhet të jetë malazeze, pranvera e zgjedhjeve. Le të gjëmojë, le të vërshojnë rrugët malazeze për të larë këtë pisllëk. Zgjohu Mali i Zi, pranvera malazeze po vjen”, tha Erakoviç.
Në protestë morën pjesë përfaqësues të DPS-së, kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviç, anëtarë të Partisë Liberale, SD, SDP. Në protestën e mbrëmshme ishte edhe Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihailo.
Pas fjalimeve, qytetarët bënë një marsh proteste deri te godina e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.