Nga: Doktor Muhamed Imare
Liria dhe jeta
Në betejën e Bedrit, muslimanët zunë rob një numër të konsiderueshëm nga luftëtarët trima dhe nga liderët e armiqve të Islamit dhe muslimanëve.
Për të shpaguar veten e tyre dhe për të fituar lirinë, këta robër duhet t’iu mësonin shkrim e këndim 10 muslimanëve. Duke analizuar këtë urdhër të dhënë nga Profeti (a.s) për shpagimin e çdonjërit prej robërve, arrijmë të kuptojmë pozitën që i ka dhënë feja islame dijes – madje edhe zhdukjes së analfabetizmit – në këmbim të jetës, që është gjëja më e shtrenjtë e njeriut.
Duke komentuar ajetin kuranor: “Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar…”([1]), imam En Nesefi aludon rreth urtësisë së sheriatit islam në vendosjen e barazisë midis “lirisë” dhe “jetës”. Ai (imam En Nesefi) ka thënë, se urtësia e Allahut të Madhëruar, i Cili ka vendosur si dëmshpërblim – për atë që vret gabimisht një besimtar – që t`i japë lirinë një robi, qëndron në faktin se liria jepet në këmbim të jetës, sepse vrasësi – që ka vrarë gabimisht – i ka marrë jetën një njeriu. Duke qenë se robëria dhe skllavëria konsiderohen si vdekje, ndërsa liria konsiderohet jetë, feja islame ka caktuar si dëmshpërblim – për atë që i ka marrë jetën dikujt – që t`i “japë jetë” dikujt tjetër, duke e liruar nga skllavëria. Kështu pra Sheriati Islam i dha lirisë pozitën e jetës, duke treguar se vetëm njerëzit e lirë janë të gjallë në kuptimin e plotë të fjalës.
Kur meditojmë rreth ajeteve kuranore: “Po është e vërtetë se njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm”([2]), arrijmë të kuptojmë se si Allahu i Lartësuar në suret e para që ka shpallur nga Kurani – në ligjin që nuk ndryshon – ka bërë lidhjen mes lakmisë së njeriut për pushtet – ekonomik, administrativ ose politik – dhe tiranisë. Lakmia për pushtet është porta që të shpie tek despotizmi dhe tirania, Prandaj konsulta dhe bashkëpunimi në ide, administrim dhe të ardhura është çelësi i shpëtimit nga despotizmi, tirania dhe shtypja.
Kur lexojmë fjalët e imam Ali ibn ebu Talib (r.a): Të kesh pasuri në dhè të huaj, është njësoj si të jetosh në atdheun tënd, të jesh i varfër në vendin tënd, është njësoj si të jetosh në dhè të huaj. ndërsa nevojtari ndihet i huaj në atdheun e tij”, arrijmë të kuptojmë thesarin që posedojmë dhe madhështinë e trashëgmisë islame.
Kështu pra feja islame e vendos dijen në këmbim të jetës, skllavërinë e konsideron vdekje kurse lirinë e konsideron jetë, konsultën dhe bashkëpunimin e konsideron si parim bazë të menaxhimit të shoqërisë njerëzore – në lëmin e politikës, pasurisë, administrimit dhe familjes – duke e mbrojtur atë (shoqërinë) nga despotizmi e tirania. Islami e bën drejtësinë në shoqëri si portë, që të shpie drejt progresit qytetar, kombëtar dhe ndërkombtar.
Këto tipare dalluese të sheriatit islam kanë nevojë për një mendje të ndritur, që të arrijë t`i kuptojë mirë thesaret që mbart me vete dhe ka nevojë për vendosmëri e përpjekje të mëdha për ta përkthyer shpalljen e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij në punë. Nëse ne nuk arrijmë ta kuptojmë vërtetësinë e begatisë së fesë islame, nuk do të kemi mundësi ta falenderojmë siç duhet Allahun, i Cili na ka begatuar me këtë fe.
[1] – Sure En Nisa: 92.
[2] – Sure El Alak: 6-7.
…