“Qeveria e Mianmarit, për interesa të saj, dëshiron që përmes gjenocidit ndaj muslimanëve Rohingya në territorin e Arakanit të asgjësojë muslimanët dhe t’i përvetësojë resurset nëntokësore në rajon”
AMSTERDAM (AA) – ABDULLAH AŞIRAN
Sazaat Ahammed, aktivist nga Arakani i të drejtave të njeriut që jeton në Holandë, kërkon që liderët e vendeve muslimane tani më të bashkohen dhe të ndërhyjnë lidhur me gjendjen aktuale në shtetin e Arakanit në Mianmar.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) lidhur me dhunën me të cilën së fundmi po përballen muslimanët e Arakanit nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë, Ahammed rrëfen se në Holandë kishte ardhur si refugjat në vitin 2000 si rezultat i dhunës nga qeveria e Mianmarit. Ai bën të ditur se rreth 60 muslimanë të Arakanit aktualisht jetojnë në Holandë.
Ai thotë se persekutimi i muslimanëve në Mianmar ka filluar 70 vite më parë. “Në fillim, sikur që ishte rasti me mua, qeveria e Mianmarit sajonte arsye dhe niste hetime, burgoste muslimanët Rohingya dhe i torturonte apo i vriste. Meqë shtetet muslimane heshtën përballë tiranisë së qeverisë së Mianmarit, pas vitit 2012 ata filluan përsëri të ushtrojnë dhunë pa arsyetime ndaj muslimanëve dhe të vrasin”, shprehet Ahammed.
Ahammed tregon se pjesëtarë të familjes së tij gjenden në Arakan. “Motra dhe kushëriri me të cilët kontaktoja çdo ditë, tani janë të humbur. E kam të pamundur të marr lajm nga ta”, shton Ahammed.
Sipas tij, qeveria e Mianmarit i urren muslimanët. “Qeveria e Mianmarit, për interesa të saj, dëshiron që përmes gjenocidit ndaj muslimanëve Rohingya në territorin e Arakanit të asgjësojë muslimanët dhe t’i përvetësojë resurset nëntokësore në rajon”, thekson Ahammed.
“OKB duhet të miratojë rezoluta detyruese”
Ahammed konsideron se Kombet e Bashkuara (OKB) prej vitesh kanë miratuar rezoluta të cilat nuk janë të dobishme për askënd dhe shton se kjo organizatë tani më duhet të miratojë rezoluta detyruese për t’i dhënë fund gjenocidit në Arakan.
Edhe komuniteti ndërkombëtar, thotë ai, ka ngelur pasiv kundrejt muslimanëve Rohingya. “Veçanërisht liderët e vendeve muslimane tani më duhet të bashkohen dhe të ndërhyjnë në këtë gjendje. Nëse liderët e vendeve muslimane nuk bëjnë asgjë duke pritur që OKB të sjell paqe, atëherë në Arakan do të vdesin më shumë muslimanë. Për këtë arsye, unë u lutem këtyre liderëve që për hirë të Zotit të lënë interesat e tyre dhe të ndërhyjnë. Në të kundërtën, umeti nuk shpëton dot nga kjo gjendje”, thekson Ahammed.
Ndërkohë, Ahammed falënderoi Turqinë për interesimin dhe mbështetjen për muslimanët e Arakanit.
“Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është person që gjithnjë mbron dhe qëndron në anën e të shtypurve, pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë”, tha Ahammed, duke theksuar se edhe liderët e vendeve të tjera muslimane duhet ta marrin shembull, siç tha ai, këtë guxim të presidentit Erdoğan.