2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

LËVDATAT E ARMIKUT JANË THIKË PAS SHPINE

Më të lexuarat



Metodat që armiqtë përzgjedhin për ta rrëzuar dikë janë nga më të ndryshmet. Komplotet që ata thurin ndonjëherë janë të atilla që vetëm mendjet e ndritura mund t’i dekodojnë. Një nga ato mënyra është dhe shprehja e lëvdatave dhe fjalëve miradije. Zaten, të parët tanë kanë thënë: Ke kujdes nga ai që t’i rreh krahët sepse ta bën gropën pas shpine!

Në librat e historisë rrëfehet një ngjarje interesante nga jeta e dijetarit të madh, Sha’biut (16-87 / 637-721). Sha’biu i përket gjeneratës së dytë, tabiinëve, dhe, siç rrëfen për vete, ka takuar hiç më pak se pesëqind shokë të Pejgamberit a.s. ka jetuar në kohën e sundimtarit Abdul Melik bin Mervan (26-86 / 646-705) me të cilin kishte edhe lidhje të forta shoqërore. Halifeja e kishte dërguar me disa shkresa tek mbreti romak, i cili ishte mahnitur nga dija e Sha’biut andaj kishte dashur që një i tillë të mos jetë në mesin e myslimanëve. Mënyra që ai kishte përzgjedhur djallëzore. Dëshironte që Sha’biu të ishte viktimë e mikut të tij të madh, Halifes.

Sha’biu rrëfen: Duke qenë në pallat, ai më pyeste ndërsa unë i përgjigjesha në çdo gjë. Ka qenë praktikë që emisarët të mos qëndrojnë gjatë ndërsa mbreti romak mua më ndali për një kohë të gjatë. Dikur u mërzita andaj kërkova të kthehem në vendin tim. Kur desha të kthehem, mbreto romak më pyeti:

A je ti pjesëtar i familjes mbretërore?

Jo, jam thjesht një qytetar- iu përgjigja.

I pëshpëriti dikujt diçka dhe nuk vonoi gjatë e ia sollën një copë letre në të cilën shkroi diçka.

Kur t’ia dorëzosh mbretit tënd letrat, dorëzoja edhe këtë!- më tha.

Kur u ktheva, ia dorëzova Abdul Melikut letrat ndërsa këtë të fundit kisha harruar t’ia dorëzojë. Me të bërë gati të largohem nga pallati, mu kujtua, andaj u ktheva dhe ia dorëzova. E hapi dhe e lexoi.

Para se ta dorëzonte letrën, a të tha ndonjë gjë?- më pyeti Abdul Meliku.

Po, iu përgjigja dhe i tregova për fjalët që mi kishte thënë.

Duke u bërë gati për ta lëshuar pallatin, kërkuan të kthehesha prapë dhe kur dola para Halifes, më pyeti:

A e di se çfarë ka të shkruar në letër?
Jo- iu përgjigja.
Merre dhe lexoje – më tha.

E mora kur ja në të shkruante: “Më çudit një popull që ka një njeri të këtillë ndërsa pushtetin ia japin dikujt tjetër!”

Për Allahun, po ta dija përmbajtjen e saj, nuk do ta sillja! Ai e ka shprehur këtë përshtypje për mua pa të parë ty (ndryshe nuk do ta thoshte, do të bindej në personalitetin dhe aftësinë tënde)– i thashë Halifes.

A e di përse e ka shkruar?- më pyeti Halifeja.
Jo- i thashë.
Ai ka dashur të provokojë xhelozinë time dhe të më nxit kundër teje që të heq qafe – i tha Halifeja.

Këto fjalë i shkuan mbretit romak, i cili tha: Po, atë e kam pasur për qëllim.

Hoxhë Sedat Islami



Ibn Hal-likan, Vefejat el-a’jan ve enbau ebnai ez-zeman, ver. Dr. IHsan Abbas, (Bejrut: Dar Sadir, pv.b.), 3/13; Ibn Imad, shedherat edh-dheheb fi ahbari men dhehebe, (Damask: Dar Ibn Kethir, 1988) 2/26; Rexheb Mahmud Ibrahim Behit, A’lam el-Kudat, (Kajro: Mektebetu kunuz el-ma’rife, 2011), f. 69-70.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit