8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Letër Nënës!

Më të lexuarat

Dielli atë mëngjes nuk lindi, jo se dielli vonohet për shkak të vdekjes së dikujt, por ti ishe vetë dielli i shtëpisë sonë. Pjesë e kësaj bote ishe edhe t`i, e butë për nga natyra, por e fortë për nga forca e shpirtit dhe zemërmadhe. Ishe e dhimbsur, por lotin gjithmonë e fshehe se frikësoheshe mos vallë po bëhem unë loti. Ti më doje kur unë harroja të thosha të dua. Nuk urreve, as më mësove të urreja dikë. Nuk bëre keq dhe çdoherë më pengove nga e keqja, më mësove si të rrija larg të keqes.

Kam frikë se letrat dhe lapsat e mi do të harxhohen, por fjalët për ty asnjëherë. Ti bëre shumë. Kur më solle në jetë, vdekjen me dhembje e shijove para se të vinte vdekja e vërtetë. Në jetë u mërzite që unë të isha i lumtur, u sëmure që unë të shërohesha, qëndrove e uritur që unë të ngopesha, qave shpeshherë që unë të qeshja, brengat e mia ishin edhe të tuat. Gjithmonë më dhe dashuri, lumturi, por falënderim e kompensim nuk kërkove.

Unë sot ndiej dhembje sepse jam pjesë e jotja. Por, dhembjet e tua asnjëherë nuk m’i tregove.
Kur më kishe parë për herë të parë, çdo gjë e kishe harruar. Vonë e kuptova se djepi nuk lëviz vetë.
Shikimin nuk e largoje nga unë asnjëherë dhe për ty mbeta çdoherë i vogël, sepse pata nevojë. Mendova se u rrita, por prapë për ty pata nevojë sepse rrugës frikësohesha të ecja pa ty.

Ti u bëre kurban për ne. Njëri sy asnjëherë nuk u mbyll derisa ne ishim larg teje. Një ditë u gëzove kur u bëre gjyshe dhe nga larg na mësoje se si lahet fëmija.
U bëre gjyshe me plot nipa e mbesa. Ata silleshin rreth teje si zogjtë në fole sepse foleja jote qe shumë e madhe. I doje dhe të donin. Shkove dhe në momentet e fundit për ta u kujdese.

Preje teje mësova durimin sepse jeta mund të të dhurojë edhe dhembje, dashurinë sepse njeriu duhet të dashurojë, sakrificën se me të ia arrin qëllimit. Gjërat e huaja nuk bëhen tuat, musafiri vjen me bukën e vet. Të fitosh me nder është vetë nderi. Të mos e kërkosh problemin, e ke zgjidhur atë. Të jesh i heshtur është më mirë sesa të flasësh kur koha ka kaluar. Të mos i mërzitësh njerzit është sekreti i lumturisë. Në jetë nuk ke ardhur për të zgjidhur problemet e jetës, por për mos t’i sjellë jetës probleme.
Më mësove se si duhet jeta. Ti ishe nëna më e mirë në botë sepse çdo nënë është vetë bota.

Gjatë rrugëtimit në jetë e pashë se bekimi yt ish i shenjtë. Lutja jote bëhej kabull.
Ti nuk kishe shkollë, por dite të më shkolloje kur më the: “Jo, se e lë shkollën.” Këtë sekret s’po e tregoj, se e dimë vetëm ne të dy.
Sëmundjes nuk ia dhe mundësinë të të rrëzonte sepse fuqia e besimit tënd në Zot të mësoi se si përballohet dhembja e sëmundjes.
Unë tani e di se ti nuk je më me trup, por me shpirt po, sepse ti ishe shpirti im.
Ta shkrova këtë letër që të të kujtoja, mallin për ty ta shuaja e të mbetej shenjë udhëzimi për ata që nënat i kanë gjallë, kurse ne që nuk i kemi, do të lutemi për ju. Të lutemi për ju që një ditë të takohemi në xhenet.

Zoti të mëshiroftë e të faltë nëna ime… Të dua derisa të vij te ti!

Rashit Zylfiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit