1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Legalizimi i së keqes – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Është e vërtetë se shprehja “molla e ndaluar është e dëshiruar” qëndron në shumë raste, por më shumë se kjo qëndron shprehja “shih rrushi rrushin dhe piqet”. Shumë gjëra të këqija dhe të dëmshme për njerëzit ndalohen me fe dhe me ligj sepse janë të tilla, ndërkohë lejimi i tyre nuk është aspak e vërtetë se ulë kërkesën dhe përdorimin e tyre shumë më tepër sesa kur ato ndalohen. Njeriu është vërtetë një qenie kureshtare dhe ndalesa mund ta shtyjë dikë t’i afrohet të ndaluarës me çdo kusht, por njeriu është gjithashtu edhe një qenie frikacake dhe ndjenja e frikës qoftë nga Zoti, qoftë nga shoqëria apo ligji, e detyrojnë atë të stepet shumë më tepër para së ndaluarës. Njeriu është gjithashtu një qenie racionale, që përfiton nga pësimet e të tjerëve dhe përvoja historike e njerëzimit, kështu që kjo është një shkak më tepër se pse ndalimi i diçkaje të keqe ka efekt më pozitiv parandalues dhe mospërhapës sesa lejimi i saj.
Sigurisht në një shoqëri, si kjo e sotmja, ku as ndërgjegjja individuale, as opinioni shoqëror nuk kontribuojnë mjaftueshëm në parandalimin e së keqes, ligji i ndalesës do të jetë i dobët përballë valës së dëshirës për shumë njerëz për ta provuar atë, por ai është hallka e fundit e zinxhirit që nëse këputet askush nuk e mban më të ligën të përhapet dhe bëhet masive.
Lejimi sot i kanabisit për arsye mjekësore, për një grusht të vogël njerëzish, për të cilët ai qenka kurativ, do t’i hapë rrugën nesër lejimit të përdorimit për qejf, si pjesë e lirive individuale të njeriut dhe e keqja e deridjeshme do të bëhet e lejuara apo e “mira” e ardhshme! Me të tilla artifica i janë hapur shpesh herë rrugët së keqes, mjafton të kujtosh historinë e ndryshimit të qëndrimit ndaj fenomenit homo, për të kuptuar se ku na shpie ky muhabeti i hashashit.
Argumenti që na ofrohet se pjesa më e madhe e botës së qytetëruar e lejuaka, presupozon se kjo qenka e mirë, se kjo botë ndryshe nuk e kishte lejuar. Ky argument merr apriori për të mirëqenë se lejimi i kanabisit i paska bërë mirë kësaj bote dhe lë mënjanë duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh pasojat shëndetësore dhe sociale që kjo botë vuan nga lejimet i të këqijave të shumta, mes tyre dhe hashashit. Fakti se kjo botë për shkak të mirëqenies ekonomike, zhvillimit industrial dhe rregullimit ligjor, ka më tepër mundësi sesa ne të kurojë pjesërisht pasojat e dëmshme të legalizimit të hashashit, nuk e bën atë më të qytetëruar dhe më të mirë sesa ata që e ndalojnë atë pikërisht për shkak të pasojave negative që ai ka. Për më tepër shkalla e zhvillimit të qytetërimit nuk matet me çdo legalizim ligjor që bota e sotme perëndimore u bën fenomeneve apo produkteve të caktuara, të provuara ndër shekuj që janë negative, por me atë se sa ajo e ka rritur ndërgjegjësimin individual dhe social për t’iu larguar këtyre të ligave.
Bota perëndimore vërtetë mund të ketë mirëqenie më të lartë, shërbim shëndetësor më të mirë, përkujdesje sociale më shembullore, drejtësi më pak të korruptuar e demokraci më të madhe, por këto shoqëri industriale vuajnë gjithashtu nga sëmundje fizike dhe sociale, për të cilat u duhet të shpenzojnë miliarda, dhe këto miliarda i duhet t’i sigurojnë duke i nxjerrë nga zhvillimi i industrisë që kërkon lëndët e para dhe tregjet e vendeve të tjera më pak të zhvilluara dhe në kurriz të tyre. Kjo botë vuan nga sëmundja e mbingopjes ushqimore dhe harxhon miliarda për ta kuruar atë, ndërkohë që disa të tjerë vdesin nga uria. Kjo botë vuan nga rënia e pjellorisë, duke bërë gjithmonë e më pak fëmijë, dhe këtë e kompenson duke joshur emigrantët nga pjesa tjetër e botës, e cila varfërohet edhe më tepër nga ikja e fuqisë së saj punëtore dhe intelektuale.
E pra kjo botë e “qytetëruar” i kuron sëmundjet e veta sa mundet përmes “gjakpirjes moderne” të burokratizuar dhe nën anestezinë e 1001 mekanizmave të hollë që i bën botës tjetër, por ndërkohë nuk lë pa na ngjitur edhe sëmundjet e saj, të cilat ne si të dobët që jemi do t’i përjetojmë në mënyrë katastrofale.
Kështu pra bota e “qytetëruar” moderne ja “toleron” vetes kanabisin dhe plotë sëmundja të tjera, si për shkak të pasojave negative që sjellë pashmangshëm jeta e luksit dhe argëtimit, ashtu edhe mundësive të mëdha që ajo ka për t’i përballuar ato, por ndërkohë për ne që i përkasim një bote tjetër, këto sëmundje janë vetë vdekja.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit