-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ky është një nga shkenctarët më të mëdhenj të Epokës së Artë të Islamit

Më të lexuarat

Një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të epokës së artë të Islamit, dhe një prej më të mëdhenjve të të gjithë kohërave, edhe pse pak i njohur në Perëndim, ishte Abu Al-Rayhan Muhammad Ibn Ahmad al-Biruni (973-1048). Ishte astronom, matematicien, fizikan, historian, gjeograf, udhëtar, gjeolog, kartograf, antropolog, astrolog, filozof, farmacist. Shkrimtar i spikatur, brenda jetës së tij firmosi 146 vepra, ndër të cilat 35 libra astronomie, 15 libra matematike (8 aritmetike, 5 gjeometrie, 2 trigonometrie), 23 libra astrologjie, 16 letërsie, 10 topografie dhe kartografie, 4 libra që i përkisnin astrolaboratorëve, 9 libra gjeografie, 2 libra mjekësie dhe farmacologjie, 4 libra historie, 3 libra feje dhe filozofie, dhe dy libra për veprimtarinë minerare. I përpirë nga kurioziteti, Al Biruni ka qenë edhe një udhëtar i palodhur dhe një poliglot shumë i aftë: fliste persishten, arabishten, sanskrinishten, greqishten e lashtë, dhe kishte një njohje edhe të siriakes, hebraishtes dhe latinishtes.

Një ikonë e vërtetë e “gjenisë universale” pra, që përfshin në vetvete prototipin e studiuesit të epokës së artë të Islamit, aq sa ka marrë nofkën Al Ustadh “Profesori”.

I lindur në Corasmia, një rajon i lashtë në veriperëndim të Persisë, sot në Uzbekistan, në atë kohë nën kalifatin arabo-islamik të Abasidëve, Al Biruni ishte një talent i hershëm: kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjec përllogariti lartësinë e qytetit të Kath duke u bazuar në lartësinë maksimale të dukshme të arritur nga Dielli, në moshën 22 vjec publikoi një studim mbi projeksionin e hartave.

Shumë shekuj përpara pjesës tjetër të botës, ai përshkroi rrotullimin e Tokës përreth boshtit të saj, Rrugën e Qumështit, bëri përllogaritje të sakta të gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike, dhe si fizikan përcaktoi peshën specifike të 18 elementëve. Përdori edhe algjebrën për të formuluar ekuacione trigonometrikë dhe përdori astrolabion për të përcaktuar këndet.

Por kontributi më i njohur i shkencëtarit pers për gjeninë universale ishte vepra e tij kolosale e matjes së Tokës.

Arriti në fakt të masë rrezen e Tokës 6339,6 kilometra, duke përmirësuar vlerësimin 6314,5 km të kryer nga Eratosteni në vitin 230 para Krishtit dhe duke qenë shumë pak larg vlerave të sotme (6356,7 kilometra është masa e rrezes polare) që u realizuan në Perëndim vetëm në shekullin XVI, gjysmë mijëvjecari më vonë. E jashtëzakonshme ishte dhe mënyra si e realizoi: pa instrumenta përllogaritës, në majën e një mali në Indi.

Ndryshe nga paraardhësit e tij të famshëm, përfshirë Eratostenin, që kishin matur perimetrin e Tokës duke vëzhguar Diellin njëkohësisht nga dy vende të ndryshëm, Al Biruni i hapi shkencës një rrugë të re: zgjodhi në fakt një metodë të re të bazuar në përllogaritjen trigonometrike të këndit drejt horizontit që, bashkë me lartësinë e malit, i mundësoi të përllogariste me saktësi përkulësinë e Tokës. Gjë që i mundësoi si pasojë të maste perimetrin dhe rrezen e saj.

Entuziasmi i tij për shkencën sintetizohet në këtë shprehje të famshme, që i pëlqente ta përsëriste shpesh: “Allahu është i gjithëdijshëm dhe nuk e justifikon injorancën”. Pikërisht siç i ndodhi Arkimedit, për nder të tij, disa shekuj pas lindjes, emrin e tij e kanë marrë një asteroid (9936 Al Biruni) dhe krateri Al Biruni që ndodhet në Mare Marginis në Hënë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit