Autoritetet e Libanit më herët kanë deklaruar se filmi “Barbie” nuk do të shfaqet në këtë vend me arsyetimin se shkel vlerat morale dhe fetare, si dhe promovon homoseksualitetin
Autoritetet kompetente të Kuvajtit kanë ndaluar shfaqjen e filmave “Barbie” dhe “Talk to Me”, të cilët konsiderohen si joadekuat nga aspekti i moralit publik dhe zakoneve shoqërore në vendin e Gjirit, raporton Anadolu.
Agjencia e lajmeve KUNA raporton se Lafi es-Sabii nga Ministria e Informacionit tha se filmat “Barbie” dhe “Talk to Me” nuk do të shfaqen në Kuvajt.
Sabii ka theksuar se një vendim i tillë është marrë me qëllim të mbrojtjes së moralit publik dhe traditës shoqërore.
“Bordi i Censurës së Filmit kërkon që skenat shqetësuese të fshihen përpara se të lejohet shfaqja e filmit. Kur filmi përmban një mesazh që nuk është në përputhje me vlerat e shoqërisë, ndalohet shfaqja e tij. Kjo vlen për çdo film që ka përmbajtje që nuk është në përputhje me vlerat dhe traditat e popullit tonë”, tha Sabii.
Po ashtu edhe autoritetet e Libanit më herët kanë deklaruar se filmi “Barbie” nuk do të shfaqet në këtë vend me arsyetimin se shkel vlerat morale dhe fetare, si dhe promovon homoseksualitetin.
/aa/