4.5 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Kush po vret në veri e kush në Maqedoni?

Më të lexuarat

Me ndarjet e reja në Ballkan më së shumti do të përfitonte Serbia. Me një skenar të mundshëm vetëm Serbia do të rifitonte territoret, të cilat i ka humbur në luftërat e fundit. Pjesa e Maqedonisë, që do t’i bashkohej eventualisht Shqipërisë ose Kosovës, nuk do të ishte shumë më e madhe se pjesa e Kosovës që do t’i bashkohej Serbisë. Kurse Maqedonia, e rrudhur dhe me popullatë joshqiptare, do të rriste edhe më tepër pretendimet ndaj saj të Bullgarisë dhe Greqisë

MAQEDONI: “Në Norvegji i çmenduri kishte vrarë gjithçka që lëvizte në ishull – ditë zie. Ne çfarë presim? Milenko pse e quan njeriun të çmendur? Një person i tillë na duhet edhe neve këtu në Maqedoni! Duket se edhe ai ka qenë një prej atyre të cilëve iu ishte bërë e tepërt të shikojë se si në vendin e tij amë, mbledhin, ushqejnë dhe kujdesen sikur të jenë gjarpërinj, çfarëdo tipi afrikan dhe aziatik, i cili më vonë ua bën norvegjezëve të njëjtën gjë të cilën ata ua bënë 4 fëmijëve maqedonas të premten! Vetëm për dallim nga maqedonasit tanë, në Norvegji u gjet një person të reagojë kundër kësaj. Seriozisht të them, për mua një person i tillë në Maqedoni do të ishte hero! Hero i historisë bashkëkohore maqedonase. Dhe për të gjithë të tjerët maqedonas dhe njerëz normalë…”.

SERBI: “Më thuaj nëse di emrin dhe mbiemrin e një shqiptari që nuk angazhohet për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Ata janë një fis, të cilët kuptojnë vetëm ligjin e dhunës, që nga foshnja që arsimohet në këtë frymë e deri te pleqtë. Dëgjoj se si maqedonasit janë duke djegur shtëpitë e shqiptarëve… Po iu duhet këtyre njerëzve që të vetorganizohen, pasi që shteti i tyre, ashtu si ky yni, është i paaftë. Tash është rasti që duhet shfrytëzuar për të pastruar vendin e tyre prej këtij fisi. Të gjithë deri te më i fundit shqiptar duhet të dëbohen në Shqipëri. Kështu edhe bullgarët i kanë dëbuar turqit në vitin 1989, dhe nuk i ka munguar asgjë, tash janë anëtarë të BE-së. Vetëm përpara, maqedonas.”

KOSOVË: “E nanën e sllavit ta q..sha. Po hajde o b.th.q..ë hajde se jemi t’u e prit atë kohë me krisë edhe një herë dhe besoj se do jetë hera e fundit, sepse do të shkoni andej kah keni ardhë: Bullgari, Rumani, Greqi… Do ja hupim farën krejt, more deri ma të voglin sllav i kisha hangër gjallë, o krejt ato pare që i kam kisha ble plumba aaaaaaaaaaaaaaa ju ha more sllavë krejtttttttt”.

GJITHÇKA KA FILLUAR nga gjuha. Dhe ka përfunduar me rreth 200 mijë të vrarë, miliona të shpërngulur, qindra mija shtëpi të dëmtuara, dhjetëra mija femra të përdhunuara… miliona e miliona jetë të shkatërruara në pakthim. Ky është bilanci i zi i luftërave në ish-Jugosllavi. Ka ndodhur në të kaluarën e afërt.

E, pra, së pari ka filluar urrejtja. E urrejtja ishte thelluar me ashpërsimin e gjuhës. Zakonisht për secilin incident, akt kriminal ose terrorist është satanizuar tjetri. E ky tjetri, në masën më të madhe ka qenë komshiu që ka pasur etni ose fe tjetër.

A ka mësuar kush gjë nga kjo përvojë e keqe që do të duhej të mbahej mend si një turp i njerëzimit?

KOMENTET NË PJESËN e parë të kësaj kolumneje i kam marrë nga faqet e ndryshme në internet, në Maqedoni, Serbi e Kosovë. Të gjitha i referohen rastit të vrasjes së pesë maqedonasve në afërsi të Shkupit.

Të ngjashme kanë qenë komentet edhe me rastin e vrasjes së dy të rinjve shqiptarë nga polici maqedonas në Gostivar.

Dhe të ngjashme kanë qenë edhe pas vrasjes së Selver Haradinajt dhe plagosjes së familjarëve të tij në banesën në pjesën veriore të Mitrovicës.

Vetëm për rastin e Gostivarit dihet autori. Versioni zyrtar i Qeverisë së Shkupit është se dorasi me rastin e krimit nuk ka qenë në detyrë dhe se zënka ka qenë e zakontë fqinjësore, pa motive etnike. Mirëpo situata ndëretnike atje është tensionuar në masë të madhe, me sulme fizike e verbale.

Në dy rastet e tjera ende nuk janë zbuluar autorët.

Logjikshëm, analistë të sigurisë dhe të tjerë për rastin e veriut të Kosovës kanë ngritur dyshimet se është vepër e serbëve dhe e Beogradit. Arsyetimi: në atë pjesë ka fare pak mundësi të operojnë shqiptarët, sulmi ka qenë i kryer nga profesionistë, metodologjia ngjan me atë të shërbimeve sekrete serbe, është vrarë shqiptari, Beogradi ka interes ta ndajë atë pjesë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Serbët dhe të tjerët që i përkrahin kanë thënë se këto janë akuza të shpejta dhe se mund ta bëjnë vetë shqiptarët për të arritur qëllimet politike.Njëlloj, me vrasjen e pesëfishtë në Maqedoni, është nxituar të akuzohen shqiptarët. Arsyetimi: hakmarrje për vrasjet në Gostivar.Mirëpo, në këtë mes, me akuzat maqedonase, kanë ardhur të barabarta – për të mos thënë edhe më të ashpra – akuzat nga komentuesit serbë, që të gjithë thuaja pa përjashtime duke e marrë si të mirëqenë se është vepër e shqiptarëve.

Shqiptarët, në anën tjetër, në masë të madhe kanë thënë se si në rastin e veriut, ashtu edhe të Maqedonisë, vetëm një palë mund të jetë përfituese – Serbia. Dhe për këtë arsye ka gatishmëri të jepen garanci se skenari është nga kuzhinat në Beograd.

ÇKA NË QOFTË se vërtet Beogradi ka gisht? Përfitimet për Serbinë mund të jenë të mëdha.

Disa nga porositë që dëshirojnë të jepen me sulmin në veri të Mitrovicës është se në këtë pjesë nuk ka sovranitet të institucioneve të Prishtinës, se nuk mund të ketë multietnicitet, se duhet trajtuar ndarazi nga pjesa tjetër e Kosovës dhe që rrjedhimisht duhet hapur mundësia për ndarje, ose status special.

Edhe porositë që dëshirojnë të jepen me vrasjet në Maqedoni janë të ngjashme: se nuk mund të ketë multietnicitet, se maqedonasit nuk mund të qeverisin shqiptarët dhe shqiptarët nuk mund të qeverisin maqedonasit dhe se duhet rikthyer idetë e vjetra për një ndarje të mundshme të Maqedonisë.

Është e natyrshme se nga ndarjet e reja në Ballkan më së shumti do të përfitonte Serbia. Në qoftë se ndahet Maqedonia, lehtë do të ndodhte realizimi i paralajmërimit të hershëm i hapjes së Kutisë së Pandorës, kur do të mund të vazhdohej me ndarjen e Kosovës dhe atë të Bosnjës.

Me një skenar të mundshëm vetëm Serbia do të rifitonte territoret, të cilat i ka humbur në luftërat e fundit. Pjesa e Maqedonisë që do t’i bashkohej eventualisht Shqipërisë ose Kosovës, nuk do të ishte shumë më e madhe se pjesa e Kosovës që do t’i bashkohej Serbisë. Kurse Maqedonia, e rrudhur dhe me popullatë joshqiptare, do të rriste edhe më tepër pretendimet ndaj saj të Bullgarisë dhe Greqisë.

MIRËPO, ÇKA NËSE hipotetikisht në fund mund të dalë se vrasja në Mitrovicë dhe ato në Maqedoni janë kryer nga sulmues dhe motive krejt të ndryshme nga ato etnike dhe territoriale? Besoj se sërish përfituesit më të mëdhenj do të jenë ata që nuk ia duan të mirën as Kosovës e as Maqedonisë. Ngritja e tensioneve dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të sjellë asgjë të mirë, veçse viktima të reja dhe prishje të tjera të jetëve të njerëzve që jetojnë në këto dy shtete.Pyetini se si ndihen familjarët e Haradinajt dhe të të vrarëve në Maqedoni. Atyre asgjë nuk mund t’ua kthejë mbrapsht humbjet e më të dashurve.E një shtet i tretë mund të qëndrojë duke bërë sehir. Pa therë në këmbë.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit