3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

KUSH LARGOHET PREJ SUNNET- IT TIM, NUK ËSHTË PREJ MEJE

Më të lexuarat

Ekstremizmi dhe thellimi i tepërt në disa adhurime fetare, duke e privuar njeriu trupin e tij nga ajo që e meriton, siç është pushimi dhe relaksimi me gjërat e mira me të cilat na ka dhuruar Allahu, është gjë të cilën Islami nuk e pranon, sepse Islami është fe e drejtësisë dhe mesatarisë (në të gjitha aspektet e jetës).

Ai i cili mendon rreth dispozitave të Islamit dhe legjislacionit të tij, do t’a sheh se ky legjislacion i ka përfshirë të gjitha aspektet e jetës së një njeriu, me maturi dhe drejtësi, kështu që nuk ka mundësi t’i jep përparsi njërit aspekt të jetës së njeriut ndaj tjetrit.

Ai i cili mendon rreth teksteve të Kur’anit dhe Sunnetit, do t’i sheh ndalesat e rrepta dhe kërcënimet për atë që e shtrëngon Fenë dhe bëhet ekstrem, andaj Allahu i ka qortuar të  krishterët duke thënë: وَرَهْبَانِيَّةً ابْتَدَعُوهَا مَا كَتَبْنَاهَا عَلَيْهِمْ

“…ndërsa murgësinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim atyre…”[1] Poashtu thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Largojuni prej ekstremizmit në Fe, sepse ata që ishin para jush u shkatërruan për shkak të ekstremizmit në Fe.”[2], poashtu thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): “U shkatërruan mutenettiu’nët”[3] dhe e përsëriti tri herë, ndërsa mutenettiu’n janë ata që thellohen shumë në çështjet fetare dhe i tejkalojnë kufijtë e normales në thënie dhe vepra.

Gjithashtu thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Mos ia vështirësoni vetes tuaj dhe pastaj t’ju vështirësohet, sepse disa njerëz ia vështirësuan vetes së tyre, pastaj Allahu ua vështirësoi atyre, andaj mbetën nëpër kisha dhe manastire.”[4]

Përpara nesh e kemi një hadith të Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) i cili e vërteton këtë kuptim, transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Enes ibn Malik se ka thënë: “Erdhën tre persona te shpijat e bashkëshorteve të Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) që të pyesin për Ibadetin e Pejgamberit. Pasi morrën përgjigjen, atyre ju dukej pak (ibadeti i Pejgamberit) dhe thanë: Ku jemi ne në krahasim me Pejgamberin (salAllahu alejhi ve sel-lem)?! Atij Allahu ia ka falur mëkatet… Pastaj njëri prej tyre tha: Unë tërë natën (çdoherë) do t’a kaloj në namaz. Tjetri tha: Unë do të agjëroj tërë jetën (ditë pas ditë, pandërprerë), ndërsa i fundit tha: Unë do të largohem nga gratë dhe nuk do të martohem.

Pastaj erdhi Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe tha: “Ju jeni ata që thanë kështu dhe kështu? Pasha Allahun, unë jam më i devotshmi prej jush dhe më së shumti që e kam frikë Allahun, mirëpo unë agjëroj dhe e prishi agjërimin, falem (natën) dhe flej dhe martohem me gra, kush largohet prej Sunnet-it (rrugës) tim, nuk është prej meje.”

Sahabet ishin njerëzit më të kujdesshëm në kryerjen e veprave të mira dhe në të kapurit për udhëzimin e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), sepse e shihnin mesatarinë dhe drejtësinë e tij në adhurimet që i bënte. Mirëpo tre prej sahabeve thanë në vete: Ndoshta Pejgamberi nuk bën më shumë adhurime përpara njerëzve që t’ua lehtëson atyre dhe mos ua vështirëson dhe ai medoemos që në shtëpi të jetë më ndryshe se para syve të tjerëve. Andaj u drejtuan kah shtëpitë e bashkëshorteve të tija, Nënave të besimtarëve dhe i pyetën për Ibadetin e tij në vetmi dhe larg publikut. Nënat e besimtarëve e treguan atë që e shihnin nga i Dërguari i Allahut… Kur këta tre sahabe ndëgjuan për adhurimin tij në shtëpi, vërejtën se nuk ishtë ashtu siç e kishin imagjinuar, andaj menjëherë e komentuan situatën sipas mendjeve të tyre. Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) i ishin falur të gjitha gabimet, ndërsa ata kishin frikë për përfundimin e tyre, andaj vendosën që t’i shtojnë adhurimet dhe të largohen nga gjërat e kësaj bote.

Kur erdhi Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe e ndëgjoi lajmin për këto sahabe dhe vendimin që morën, i hidhërua me ata dhe tha: “Ju jeni ata që thanë kështu dhe kështu? Pasha Allahun, unë jam më i devotshmi prej jush dhe më së shumti që e kam frikë Allahun, mirëpo unë agjëroj dhe e prishi agjërimin, falem (natën) dhe flej dhe martohem me gra…” d.t.th se ai ka arritur një shkallë lartë të devotshmërisë dhe frikës prej Allahut, mirëpo ky fakt nuk e ka penguar që ai mos të kënaqet me gjërat e mira të cilat ua ka lejuar Allahu robërve të Tij, pastaj tha Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem), duke iu kërcënuar atij që largohet prej metodologjisë së tij: “…kush largohet prej Sunnet-it (rrugës) tim, nuk është prej meje”, d.t.th ai që anon dhe largohet prej rrugës time, nuk është prej meje, nuk është musliman nëse largimi i tij është si shkak i urrejtjes së kësaj rruge dhe metodologjie, mirëpo nëse ai largohet nga kjo rrugë për shkaqë tjera, atëherë ai është mëkatar dhe kundërshtar i metodologjisë së tij mesatare dhe të lehtë.

Prej dobive që i përfitojmë prej këtij hadithi është se kundërshtimi i metodologjisë profetike në Ibadet e bën njeriu neglizhent ndaj obligimeve dhe detyrimeve tjera që i ka robi ndaj Allahut dhe krijesave, siç janë obligimet familjare.[5]

Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani


[1] El-Hadid:27.

[2] Ahmedi.

[3] Muslimi.

[4] Ebu Davudi.

[5] Nga Islamweb.net, me disa shkurtesa.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit