Në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Kurti, takoi Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Fillimisht, Kurti e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për kontributin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Siç njoftohet, u bisedua për situatën aktuale të sigurisë në vend, si dhe sulmin terrorist të Serbisë të datës 24 shtator ndaj Republikës së Kosovës.
Kurti tha se provat e shumta të mbledhura konfirmojnë se sulmi u sponsorizua nga shteti i Serbisë.
“Ishte një tentativë për të cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës, pjesë e një plani më të madh që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës”, u shpreh ai.
Po ashtu Kurti theksoi se është me rëndësi që partnerët tanë dhe komuniteti ndërkombëtar të dënojnë terrorizmin dhe sulmin e Serbisë ndaj një shteti sovran dhe të ndalojnë destabilizimin e rajonit, transmeton Telegrafi.