9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kurti konfirmon se zyrtarët qeveritarë po trajtojnë 15 modele të propozuara nga BE-ja për asociacionin

Më të lexuarat

“Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilën ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, tha Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë duke trajtuar 15 modelet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të cilat ia ka prezantuar atij emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Anadolu.

Kurti në një deklaratë për media pas një vizite në Komunën e Kamenicës, tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në BE do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur.

“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian. Janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë nuk po përmend ndonjërën që të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë. Por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë, ka edhe pakica dhe janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë BE-ja. Por unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tone”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se megjithëse këto modele po shqyrtohen nuk do të ketë kompromis në disa aspekte.

“Ato (modelet) po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilën ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, tha Kurti.

Më 18 mars, Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq u dakorduan se nuk ka nevojë për diskutim të mëtutjeshëm mbi Propozimin Evropian për marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit