2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kur’ani është shërim e mëshirë, por jo për të gjithë – Tefsir nga Imam Sadi (el Isra- 81, 82 dhe 83)

Më të lexuarat

– “Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota!” – E vërteta është ajo që Allahu ia shpalli Profetit të Tij, Muhamedit (alejhi selam). Allahu e urdhëroi Profetin e Tij që ta thotë haptaz, se: erdhi e vërteta, që asgjë nuk mund ta ndalë dhe ta pengojë. Ndërkohë e kota u tret dhe u zhduk.

– “Vërtet, e kota gjithnjë do të zhduket!” – Ky është përshkrimi i duhur për të kotën. Ajo tretet e zhduket. Por ndodh që e kota të përhapet dhe të ketë njëfarë ndikimi ndër njerëz, nëse përballë saj nuk vihet e vërteta. Por nëse shfaqet e vërteta, e kota zhduket pa asnjë gjurmë. E kota shfaqet e përhapet ndër njerëz veçse në ato kohë dhe vende që janë bosh nga dituria rreth shpalljeve e argumenteve të Zotit.

 – “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim” –

Kur’ani është shërim e mëshirë, por jo për të gjithë. Kjo u mundësohet besimtarëve të Allahut, që e besojnë vërtetësinë e ajeteve e mesazheve të tij, që punojnë me kumtet e urdhëresat e tij. Ndërsa për të padrejtët, që nuk besojnë në vërtetësinë e ajeteve dhe nuk zbatojnë urdhëresat e tij, ajetet e Kur’anit kanë për t’iu shtuar veçse dëshpërimin e humbjen. Ata nuk do të kenë më justifikim e arsyetim para Zotit. Shërimi që përmban Kur’ani është i përgjithshëm, për të gjitha llojet e sëmundjeve.
Ai është shërim për zemrat nga sëmundjet e dyshimeve, pasigurisë, paditurisë, arsyetimeve të prishura e dëmtuese, devijimit shkatërrues dhe prej qëllimeve të sëmura e të liga. Kur’ani i shëron këto lloj sëmundjesh të zemrës përmes diturisë së sigurt që përmban. Kjo dituri largon çdo dyshim, paqartësi dhe pasiguri. Me këshillat e porositë e tij të shndritshme, ai shëron çdo sëmundje të epshit dhe të dëshirave të pakontrolluara, që bien ndesh me urdhëresat e Zotit.

Kur’ani është shërim edhe për sëmundjet fizike, sepse largon dhimbjet dhe vuajtjet e trupit, me lejen e Zotit. Kur’ani është edhe mëshirë. Me mënyrat e mjetet për arritjen e udhëzimit dhe të mirësisë, që Kur’ani nxit, mund të themi me bindje se njerëzit fitojnë lumturinë, sepse gjejnë rrugën drejt mëshirës së Zotit. Nëse i përfshin mëshira e Zotit, ata fitojnë lumturinë e përjetshme dhe shpërblimet e Tij në këtë jetë e në ahiret.

– “Kur e begatojmë njeriun (me të mira), ai prapësohet (nga besimi) dhe largohet (nga Rruga e Drejtë).“ – Kjo është natyra e njeriut, si krijesë e dobët, e prirur drejt injorancës dhe padrejtësisë. Përjashtim bëjnë vetëm ata që Allahu i Madhëruar i udhëzon. Kur Allahu e begaton me të mira, njeriu gëzohet, dhe e tepron me gëzimin e tij, duke u bërë arrogant. Kjo e bën atë që t’i kthejë shpinën e të largohet nga Zoti i tij: as nuk e kujton Atë e mirësitë e Tij dhe as nuk tregon mirënjohje për to.
– “Kur e godet e keqja, ai e humb shpresën.” – Kur atë e godet ndonjë sprovë, si për shembull sëmundje, e shikon atë pesimist të plotë, që nuk pret më asnjë të mirë. Kështu, Ai nuk shpreson më te Zoti i vet dhe mendon se halli në të cilin ndodhet do të vazhdojë përgjithmonë e nuk do të largohet prej tij. Por nuk janë kështu ata që Allahu i ka udhëzuar.

Këta të zgjedhur dhe fatlumë, kur janë mes mirësive, nënshtrohen para Zotit të tyre, për t’i shprehur Atij mirënjohjen me adhurime e me vepra që Ai ka përcaktuar për këtë çështje. Ndërsa kur janë në sprovë e vështirësi, shpresojnë në shpëtimin dhe mëshirën e Allahut për t’ua larguar atë. Kjo ua lehtëson sprovat dhe u sjell qetësi e prehje, urtësi e maturi.

Marrë nga tefsiri i Sadit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit