1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kur nga kjo jetë ndahet vajza e Eqrem bej Vlorës

Më të lexuarat

Nga Roland Qafoku

Vetë jeta e saj ishte pa bujë. Po ashtu siç vdiq këtë mëngjes në Vlorë, po në atë shtëpi ku lindi 75 vjet më parë.

Teksa dha shpirt, Ajnisha Vlora nuk nxori asnjë fjalë nga goja sikur të ndiqte rregullin që kishte zbatuar i ati Eqrem bej Vlora.

Nuk la asnjë amanet dhe nuk tha as lamtumirë.

Iku në heshtje si e gjithë jeta e saj edhe pse pa me sytë e vet dhe kaloi dhimbje që vetëm rraca njerëzore  mund ti mbajë.

Ishte vetëm 9 muajsh kur i ati e la në Shqipëri në atë nëntor të vitit 1944.

Dhe nga ky moment deri në 1990 nuk jetoi thjesht vetëm e internuar në Kavajë, por kaloi një kalvar vuajtjeje dhe dhimbjeje që fjalët nuk mjaftonin.

Të atin nuk e pa asnjëherë gjallë. E pa të vdekur në vitin 2015 në arkivolin që një avion ia solli eshtrat nga Austria në Shqipëri.

Pa tmerrin me syë në internim duke e lënë pa shkollë pikërisht atë vajzë, i ati o të cilës ishte shqiptari më i shkolluar.

Pa në vitin 1970 të vdiste para syve të saj e motra, Lejla, që vrau veten me brengën se nuk takonte dot të atin. Pa me sytë e saj në vitin 1987 ti vdiste e ëma, Hadie Vrioni Vlora, nën lëngimin e një jete që punonte në bujqësi dhe që I duhej të rriste e vetme dy vajza.

Pikërisht ajo që cilësohej si gruaja më e bukur e Shqipërisë së kohës, një nga zonjat më të pasura dhe më të arsimuara, por që befas jeta iu kthye në ferr. Ajnisha Vlora përjetoi paralizën e vet pikërisht nga jeta ferr që kaloi.

Pa me sytë e saj ti shkatërroheshin të gjitha pronat, shtëpitë por edhe biblioteka e të atit me 30 mijë vëllime ajo që cilësohej biblioteka më e madhe në Ballkan.

E megjithatë, kjo grua e heshtur, vajza e poliedritit Eqrem bej Vlora dhe pinjolle e familjes Vlora kurrë nuk u ankua.

Kurrë nuk mallkoi ata që ia bënë jetën ferr dhe kurrë nuk nxori një fjalë të ligë nga goja.

Unë jam me fat që jam i vetmi gazetar që i kam marrë një intervistë të gjatë 3 vjet më parë në studion e emisionit tim “Debati në Channel One”.

Dhe rrallë kam provuar ato emocione, trishtim e habi njëkohësisht në punën time kur dëgjoja nga goja e saj se si një njeri vuan kaq shumë dhe ankohet kaq pak. Ishte viktimë disafishe dhe kurrë nuk nxori një fjalë të keqe nga goja.

Nuk përmendi me emër e mbiemër asnjë nga që ia bënë jetën ferr por përmendi emër për emër ata që e kishin ndihmuar.

Dhe kur e pyeta nëse do kishte përballë Enver Hoxhën çfarë do ti thoshte, përgjigja ishte unikale: Asgjë. E kam falur. Gjaku i familjes Vlora nuk merr hak. Kjo ishte Ajnisha Vlora, gruaja e urtë që ndërroi jetë sot në mëngjes në në Vlorë.

E fundit e familjes së vet që Eqrem bej Vlora e pa gjallë atë nëntor të vitit 1944 kur u largua nga Shqipëria.

Fati e deshi që Ajnishaja të krijonte familje dhe sot dy fëmijët e saj, Ervini dhe Lejla kanë shumë dhimbje në shpirt.

Por më shumë se humbja ata duhet të falenderojnë Zotin që kishin një nënë të rrallë si Ajnisha Vlora, modelin e gruas që në 46 vjet diti si të përballonte dhimbjen dhe ti rriste ata dy fëmijë.

Fundja ishte gjaku i Vlorajve, një gjak që vetëm ai mund të përballonte atë jetë të vuajtur. Të qoftë dheu i lehtë nënë Ajnishaja.(TemA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit