3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kur ishte pyetur Dr. Zakir Naik për disa që falin namazin por ende kan disa cilësi të këqija?!

Më të lexuarat

Disa thonë: “Ka myslimanë të cilët i falin pesë kohët e namazit, mirëpo prapë mashtrojnë, gënjejnë, janë të padrejtë etj. Si mund të ndodh kjo, nëse namazi është programim për të mirë?” Përgjigjja në këtë pyetje gjendet në Kur’an:
“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun, 1-2)
Fjala arabe hashiun/të përulur është nxjerrë prej fjalës hushu’un që do të thotë: frikë dhe përulje. Do të thotë, ata që e falin namazin me përulje dhe me frikë prej Allahut, do të kenë sukses dhe do të arrijnë fitore të madhe. Ata të cilët falen sipërfaqësisht, pa përulje në namaz, ata nuk do të arrijnë kurrfarë dobie nga namazi. Ai numër i vogël i myslimanëve që falen, të cilët nuk janë të mirë, namazin e kryejnë sipërfaqësisht, pa përulje. Që dikush të jetë i përulur në namaz, ai duhet ta njohë kuptimin e asaj që e thotë dhe do t’i kryejë urdhrat e Allahut.

Ka myslimanë që e falin namazin, mirëpo në ta nuk ka asnjë gjurmë të namazit. Si do ta kryeni urdhrin që nuk e kuptoni? Duhet t’i dëgjoni urdhrat e Allahut që t’i arrini dobitë e namazit. Paramendoni sikur njëri prej punëtorëve më të rregullt të cilin e keni, vjen në zyrë dhe fillon t’ju lavdërojë, mirëpo kur e angazhoni me punë, madje vetëm që t’ua sjellë një gotë ujë, ai vazhdon me lavdërimet dhe nuk shkon për ujë. Ju i thoni atij: “Kjo letër është shumë me rëndësi. Dërgoje në filan adresën, është urgjentisht!” Mirëpo, ai nuk lëviz prej zyrës dhe thotë: “Unë jam i dëgjueshëm ndaj pronarit tim. Pronari im është më i miri!” Çfarë do të bëni, a do ta avanconi? Jo, do ta përzini nga puna.

Ne jemi robër të Allahut. Ne duhet t’i kryejmë urdhrat e Tij. Nuk mjafton vetëm të falemi. Njëjtë sikurse mjeku kur ia shkruan pacientit reçetën të cilës duhet t’i përmbahet, për shembull, që ta marrë terapinë tre herë në ditë. Pacienti e merr atë letër dhe rregullisht me bindjen më të thellë e lexon atë recetë tre herë në ditë, mirëpo nuk e bën atë që shkruan në të: nuk i merr tabletat e as që e respekton terapinë. A do të shërohet?

Që të kemi dobi prej namazit, duhet t’i pasojmë urdhrat që i dëgjojmë në të. Disa njerëz e falin namazin, mirëpo nuk kanë asnjë dobi prej tij. Allahu i përmend ata në Kur’an: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.” (El-Maune, 4-7)

Të këtillët falen vetëm që t’i shohin të tjerët. Mjerë ata!

“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (En-Nisa, 142)

Namazi është obligim i detyrueshëm. Për lënien e namazit nuk ka kurrfarë arsyetimi. Madje edhe kur udhëton, njeriu duhet ta falë namazin, duke i përdorur lehtësimet e shkurtimit dhe të bashkimit të namazeve. Madje, edhe në fushëbetejë duhet ta falni namazin.

“Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të prish faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta! Pastaj këta, le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur dhe, le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t’i mbajnë armët e veta!” (En-Nisa, 102)

“Nëse keni frikë, faluni duke qenë në këmbë ose hipur (mbi kalë)! Kur të jeni të sigurt, atëherë t’i kryeni faljet për Allahun, ashtu si ju ka mësuar Ai atë që nuk e keni ditur!” (El-Bekare, 239)

“Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En- Nisa, 103)

Namazi është i obligueshëm madje edhe për të sëmurët. Kur’ani Fisnik thotë: “për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë…” (Ali Imran, 191)

Një i sëmurë kishte shkuar te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel- lem dhe e kishte pyetur se si ta falë namazin. I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Falu duke qëndruar në këmbë. Nëse nuk mundesh në këmbë, atëherë falu duke qenë ulur. Nëse nuk mundesh as kështu, falu i shtrirë i mbështetur në njërën anë.”( Buhariu). Madje edhe kur jeni të sëmurë, ju nuk keni arsyetim për namazet e lëshuara. Ju mund të faleni edhe me isharete, mirëpo namazin nuk guxoni që ta lini. Kur’ani Fisnik thotë: “Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zeqatin.” (El-Maide, 55)

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën njeriu do të pyetet në ditën e gjykimit është namazi.” (Ebu Davudi) “Dallimi mes myslimanëve dhe jobesimtarëve është lënia e namazit,” (Muslimi) “Dallimi mes besimitarit dhe jobesimtarit është lënia e namazit.”( Ebu Davudi)

Kur’ani Fisnik thotë: “të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin për keqbërësit: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz.” (El-Mudethir, 40-43)

Ibrahimi(alejhi selam) e ka bërë këtë dua:

“O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim, 40)

Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare, 201)

Do ta përfundoj ligjërimin me ajetin e sures El-En’am: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El-En’am, 162-163)

Duaja jonë e fundit është: Falënderimi i përket Allahut, Zotit të gjithë botëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit