9.1 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

Kundërshtimi publik i prijësit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kundërshtimi publik i prijësit
Imam Muslimi na përcjell në Sahihun e tij (nr.49) një ngjarje në kohën e sahabëve, kur në Medinë ishte vali Mervan ibn el-Hakem. Ishte ditë Bajrami dhe Mervani do të udhëhiqte namazin dhe më pas do të mbante hutben, siç është tradita e Profetit (alejhi salatu ue selam). Por ai ndryshoi radhën dhe e nisi me hutben. Një burrë nga të pranishmit ngrihet dhe i thotë me zë të lartë, se namazi duhet falur para se të mbahet hutbja. Por Mervani i përgjigjet duke iu justifikuar, se njerëzit e lënë hutben pa dëgjuar dhe largohen. Aty ishte i pranishëm edhe Ebu Seid el-Hudri (radijAllahu anhu) i cili tha:
“Ky e kreu atë që i takonte. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë: “Kush sheh prej jush një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij, nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, e ky është besimi më i ulët.””
*******
Ebu Seid el-Hudri përsëri përcjell nga Profeti (alejhi salatu ue selam) se ai ka thënë:
“Xhihadi më me vlerë është fjala e vërtetë para një udhëheqësi të padrejtë.” (Ebu Daudi nr. 4344, Tirmidhiu nr. 2174)
*******
Ebu Kubejli tregon se Muavija (r.a) mbajti një hutbe ditën e xhuma dhe tha:
“Pasuria është e jona dhe plaçka e luftës është e jona, kujt të duam i japim dhe kujt të duam ia ndalojmë.”
Askush nuk e kundërshtoi. Kur erdhi xhumaja tjetër, tha po të njëjtën gjë dhe askush nuk e kundërshtoi. Kur erdhi xhumaja e tretë, tha përsëri të njëjtën gjë. Atëherë u ngrit një burrë që ishte prezent në xhami dhe tha:
– Jo! Porse pasuria është e jona dhe plaçka e luftës është e jona, ndaj kush bëhet pengesë mes nesh dhe asaj, do ta gjykojmë me shpatat tona.
Pasi Muavija zbriti nga hutbja (dhe fali namazin) dha urdhër që atë burrin ta dërgonin tek ai. Njerëzit thanë: Vdiq! Muavija dha urdhër të hapen dyert dhe të futen njerëzit. Kur ata hynë, panë se ai ndodhej i ulur pranë Muavijes në fron. Muavija tha:
“Ky njeri më dha jetë, që Allahu i dhëntë jetë! E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë:
“Do të vijnë pas meje prijës, që do të flasin dhe askush nuk do t’ua kthejë atyre fjalën, ata do të kërcejnë për në Zjarr siç kërcejnë majmunët.”
Unë fola (xhumanë e parë) dhe askush nuk ma ktheu, dhe u frikësova se mos isha prej tyre, pastaj fola për herë të dytë dhe askush nuk ma ktheu, dhe thashë me vete se qenkam prej tyre, pastaj fola në xhumanë e tretë dhe ky njeri më kundërshtoi. E më dha jetë, që Allahu i dhëntë jetë! Kështu që shpresova që Allahu të më largojë nga ata!” Muavija më pas e shpërbleu këtë njeri dhe i dha dhuratë për këtë që bëri.
(Tarikh el-Islam, i Dhehebiut 4/314, Es-silsiletu es-Sahiha 4/398, etj.)
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit