1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Kryeqyteti ka nevojë për nji Xhami të madhe e moderne”

Më të lexuarat

Kryeqyteti ka nevojë për nji Xhami të madhe e moderne”. Me këtë titull hapet artikulli i revistës “Zani i Naltë” në vitin 1938. Aty lexojmë se qysh atëherë, edhe me rritjen e numrit të popullsisë, shprehet nevoja për një xhami të madhe, ku t’i mbledhë të gjithë besimtarët për ceremoni dhe lutje të përbashkëta, sidomos në festa fetare dhe kombëtare. Aty gjithashtu flitet edhe për pamundësinë financiare për ndërtimin e saj nga institucioni, si dhe iniciativën që duhet të marrin bujarët e kryeqytetit në këtë drejtim.

Një nga vendet më karakteristike të shekullit XIX është rregullimi i sheshit të Namazgjasë nga Ahmet Bej Toptani, i biri i Abdurrahman Toptanit. Namazgjaja përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të Ramazanit dhe Bajramit. Rrënojat e mureve dhe selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Prandaj dhe kërkesat e Komunitetit Mysliman në vazhdimësi kanë qenë që xhamia e madhe të ndërtohej pikërisht në truallin e Namazgjasë.

Trualli i Namazgjasë u pa më i përshtatshëm për funksionimin e tij si një faltore e hapur me një mihrab dhe një minber, pastaj dhe me murin rrethues. Më 17.08.1943, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i dërgon Bashkisë së Tiranës një shkresë të shoqëruar me tri lidhje të planit të Namazgjasë, si për rrethim ashtu edhe për objektet e brendshme, me të cilat kërkon edhe lejen e ndërtimit të tyre. Tri ditë më pas, Drejtoria Teknike në Bashkinë Tiranë, shprehet në favor që Vakëfit Mysliman t’i akordohet leja për ndërtimin e Namazgjasë sipas projektit përkatës. Nuk e dimë me saktësi nëse ky projekt gjen zbatim në atë kohë.

Në bazë të kërkesës datë 20.04.1993, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës, me dt. 04.10.1993, nr. 13, vendosi dhënien  e lejes së ndërtimit për objektin Xhaminë e Namazgjasë, e cila është firmosur nga Kryetari i Bashkisë z. Sali Kelmendi. Subjekti që zbaton punimet është M.A.K. Albania Al-Kharafi Industries & Establishments dhe objekti financohet nga Shoqata Islame e Vakëfit. Megjithëse guri i themelit u vendos dhe ceremonia u zhvillua, kjo mbeti deri këtu, sepse në shtator të vitit 1994 punimet u pezulluan.

Ndërkohë, Komuniteti Mysliman vazhdon kërkimin e donatorëve për ndërtimin e xhamisë dhe një qendre kulturore me takime dhe vizita të vazhdueshme në Komunitetin Mysliman të Turqisë, Ministrinë e Çështjeve Islame- Vakfeve në Kuvajt dhe me autoritete të larta të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilët shprehin gatishmërinë dhe premtojnë për ndërtimin e tyre.

Në maj të vitit 2011 ka pasur një nismë nga Bashkia e Tiranës për ta ndërtuar xhaminë e madhe në Tiranë prapa Pallatit të Kulturës, sipas projektit fitues danez i Studios “BIG-Kopenhagen”, por që Komuniteti Mysliman nuk ka rënë dakord. Kryesia e KMSH-së në mbledhjen e posaçme të datës 20.09.2011, analizon edhe një herë të gjitha detajet për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, e shumëpritur kjo prej kohësh. Në këtë mbledhje, Komuniteti Mysliman shprehet i vendosur që xhamia e madhe të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, tokë kjo e trashëguar brez pas brezi si vend për të falur namaz.

Përpjekjet dhe orvatjet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë u mbyllën përfundimisht në vitin 2013, me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për leje zhvillimore komplekse, firmosur nga Kryetari i tij z. Sali Berisha. Guri i themelit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës u rivendos më 20 prill 2013 me ceremoninë e fillimit të punimeve në sheshin Namazgja.

Me datë 24.09.2013 në Ankara dhe në Tiranë, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, nënshkruan me Prof. Dr. Mehmet Gormez, Kryetar i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë dhe Kryetar i Këshillit Administrativ të Fondacionit për Fenë i Turqisë, një protokoll kuadër lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj.

Me ndërrimin e qeverive, po në vitin 2013, kemi edhe një ndryshim në vendimin për lejen zhvillimore komplekse të dhënë më parë, ndryshim i cili miraton vetëm ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, në bashkëpunim me zhvilluesin “Komunitetin Mysliman Shqiptar”. Vendimi është i firmosur nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, z. Edi Rama.

Hedhja e themeleve për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, u krye më 13 maj 2015, në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, Presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Tajip Erdogan, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë, z. Mehmet Gormez, dhe personaliteteve të rëndësishëm nga Shqipëria e Turqia.

Xhamia e Namazgjasë ka elementë shqiptarë të një stili klasik ballkanas. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 6000 m² në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra. Brenda në xhami mund të falen njëkohësisht rreth 5000 besimtarë.

Xhamia e Namazgjasë është një kompleks multifunsksional, ku të gjitha funksionet janë të hapura për publikun. Aty përfshihen qendra kulturore, salla e madhe e konferencave me kapacitet rreth 320 vende, një sallë tjetër më e vogël, biblioteka. Projekti lë hapësirë edhe për realizimin e një muzeu islam, i cili do të jetë i pari në Shqipëri në llojin e tij. Në projekt përfshihen  parkingu me dy kate nëntokë, si dhe një numër i konsiderueshëm dyqanesh e ambientesh shërbimi.

Lusim Allahun e Madhëruar që me realizimin e ëndrrës shumë vjeçare të besimtarëve myslimanë të Tiranës e mbarë besimtarëve shqiptarë, ta bekojë këtë xhami me mirësitë e Tij të pafundme, ta bëjë një vend ku lartësohet dhe nderohet emri i Tij me adhurime e lutje të sinqerta, ta bëjë një vend ku përhapet dija, dashuria dhe respekti për të gjithë.

Dorian Demetja


Post Views: 4

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit