1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kriza që shpalosi krizën e vërtetë të njerëzimit

Më të lexuarat

“Njeriu është më shumë se ç’mund të thonë për të të gjitha shkencat së bashku”– (Alija Izetbegoviç). A nuk përbën kjo ide madhështore motiv dhe nxitje për të reflektuar dhe medituar edhe një herë, edhe më seriozisht në lidhje me vlerën e qenies njerëzore? Kjo ide dhe të ngjashme gjithmonë më ngacmojnë kureshtjen, më bëjnë të ngre pyetje dhe dilema rreth shumë enigmave. Por, nën kushtet e situatës që po jetojmë, kjo thënie e pavdekshme realisht më tronditi, më shtyu të thellohem në mendime dhe të sodis në hapësira intelelektuale dhe shpirtërore të reja. Idetë, teoritë dhe doktrinat të cilat i qasen njeriut në dimensionin e intepretimit të ekzistencës, veçanërisht në rrethanat e pandemisë që po përjetojmë, duhet ta tërheqin çdokënd në pozitën e qëndrimit me veten, e mendimit dhe reflektimit rreth tyre; pasi në të tilla situata njeriu ka nevojë më së shumti të konsolidojë përgjigjet e pyetjeve themelore të jetës, ekzistencës, vdekjes.

Sot, pothuajse në çdo cep të globit, mbizotëron një ndjenjë ankthi dhe pasigurie e lartë. Përhapja në masë e Virusit Korona (Covid-19) i ka angazhuar mbarë shoqëritë në një angazhim të jashtëzakonshëm në kaudër të parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje të panjohur më parë. Shtetet e gjithë botës të unifikuara si asnjëherë më parë në ndonjë veprimtari, me të gjitha mundësitë e tyre po veprojnë me qëllimin e shpëtimit të sa më shumë jetëve, qëllim ky shumë i drejtë dhe fisnik. Arsyet e frikës dhe pasigurisë janë të pranueshme, të drejta. Ruajtja e jetës është objektiv parësor i të gjitha botëkuptimeve mbi jetën, është objektiv edhe i çdo kushtetute mbi të cilën funksionojnë shtetet. Por, përtej nivelit përshkrues rreth asaj çka po ndodh aktualisht në botë, le të kalojmë pak në një dimension tjetër të qasjes ndaj realitetit.

Ashtu sikurse ekziston ankthi dhe pasiguria e njerëzve për shkak të rrezikut të lartë në jetë njerëzish dhe rrjedhimisht në shumë fusha të jetës, po ashtu ekziston edhe një brengë të cilën jo çdokush e konstaton dhe e pranon, porse kjo brengë është e pranishme tek shumëkush, sidomos në gjendjen në të cilën ndodhemi. Pamundësia dhe paaftësia për t’i dhënë kuptim të qenësishëm, konkret dhe bindës gjithë çfarë po ndodh sot, prodhon një kompleks gnoseologjik dhe emocional prej të cilit burojnë ankthi dhe pasiguria e një tjetër dimensioni. (lexo: gnoseologjik – shkenca e njohjes). Tashmë që vdekja është më pranë nesh, të paktën sipas perceptimit të asaj që përfitohet nga mediat dhe deklaratat e politikanëve, nevoja për t’i dhënë përgjigjje pyetjeve rreth qëllimit të jetës është jashtëzakonisht më e madhe.

Në fakt, njerëzimi[1] prej një kohe të gjatë ndodhet në një krizë të errët e cila mund të identifikohet si krizë që kulmon me dështimin real në fushën e Ontologjisë[2] dhe Aksiologjisë[3]. Ky fakt nuk është absolut pasi në rruzullin tokësor ekzistojnë shoqëri dhe elita të pakta të cilat nuk janë prekur në këto përmasa nga kriza e njohjes dhe e vlerave të njëmendëta. Por, ato shtresëzime intelektuale, politike e kulturore të cilat kanë nën sundim interpretimin e Qenies (ontologjinë) dhe interpetimin e vlerave (aksiologjinë) ndaj pjesës dërrmuese të shoqërive njerëzore, prej dekadash e shekujsh ndodhen nën kthetrat e kësaj krize. Madje, nën hijen e këtyre rrethanave dhe problematikave është ndërtuar pothuajse gjithçka në shoqëritë e sotme: që nga mënyra e jetesës, hierarkia socio-politike, ekonomia, institucionet, marrëdhëniet ndërkombëtare etj.

Së këndejmi, nën hijen e rrethanave dhe kushteve në të cilat këto besime dhe vlera e kanë çuar shoqërinë njerëzore, po përballemi me një tjetër krizë të prekshme, konkrete, të rrezikshme dhe që është në veprim çdo ditë e më shumë. Koronavirusi është në krizë e cila kërcënon jetët njerëzore në përmasa të mëdha, madje përhapja e saj në kohë dhe hapësirë e detyroi OBSH-në të shpallë gjendjen e pandemisë. Kanosja e jetëve, ekonomive dhe stabilitetit politik përbën arsyen kryesore për ta vlerësuar madhështore këtë çekulibrim të status-quo-së së njerëzimit.

Por, nëse do i qasemi situatës nga një këndvështrim më largpamës dhe joakut, do të pohoja me bindje të plotë se madhështia supreme e kësaj krize nuk qëndron në numrin e jetëve njerëzore të humbura apo të rrezikuara, as në dëmet poltike dhe ekonomike, po madhështia e vërtetë shfaqet tek fakti se kjo krizë shpërfaq haptaz, zbuluar dhe me argumente të qëndrueshme krizën e thellë ontologjike dhe aksiologjike në të cilën njerëzimi ka kohë të gjatë që është përhumbur.

Kriza në të cilën e ka çuar koronavirusi njerëzimin sot nuk është madhështore thjeshtë për faktin e rrezikut dhe dëmeve të shkaktuara. Më shumë sa kaq, madhështia e kësaj krize vërehet në faktin se gjithsesilit prej nesh po i jepet mundësia që të ndalet qoftë edhe një çast me veten e vet dhe të mendojë e reflektojë rreth të vërtetave madhore të ekzistencës, të qëllimit të jetës e vdekjes, të asaj që na lidh me situatën përtej hapësirës dhe kohës (përjetësinë). Nëse ëndrra madhore e shumëkujt në këtë situatë të vështirë është zbulimi i vaksinës kundër virusit, atëherë ëndrra më e madhe e këtij virusi (nëse do shpreheshim metaforikisht) është injektimi i tij edhe në vetëdijen njerëzore, për ta kthjelluar dhe vetëdij ësuar njerëzimin. Nëse kjo gjendje pandemie do t’i shërbente njerëzimit për të dalë nga kriza e besimit dhe vlerave, kostoja do jetë e lartë, por do ia vlente. Por, nëse kjo krizë nuk ndikon në përmirësimin e vetëdijes njerëzore, ky çmim vërtetë është i pajustifikueshëm.

Analizat e dëmeve që ka shkaktuar dhe që mund të shkaktojë kjo sëmundje në botë rezultojnë të frikshme. Njerëzimi është duke humbur shumë në aspektin e jetëve dhe në aspektin material. Nga ana tjetër, mundësitë për t’iu qasur të vërtetave themelore në qashtërsinë e tyre origjinale janë shumë më të mëdha se përpara kësaj gjendjeje. Njerëzimi ka shansin e madh të perceptojë koncpetet universale dhe parimet metafizike në radikalitetin e tyre absolut. Çdokush, sot e ka më të lehtë të përvetësojë kuptimet reale rreth jetës, vdekjes, qëllimit të jetës, moralit, vlerave etj. E ata të cilët i posedojnë këto kuptime, kanë mundësinë e konsolidimt të tyre.

Kjo botë, në dimensionin fizik e biologjik, ekziston ende dhe nuk shkatërrohet në sajë të të vërtetave absolute, të ligjeve dhe raporteve, të frocave, gravitetit apo kushteve të jetesës. Pra, ekziston një e vërtetë prej të cilës bota “frymon”. Ndërsa me anë të shkencave fizike, njerëzimi thjeshtë zbulon ligjësitë e kësaj të vërtete. Edhe në aspektin e jetës njerëzore ekziston një e vërtetë njohjeje dhe vlerash e cila gjendet mes shoqërive njerëzore, e pa të cilën njerëzimi do të shkatërrohej. Kjo e vërtetë buron nga revelatat (shpalljet) hyjnore të feve abrahamike. Një pjesë e madhe e njerëzve e pengojnë depërtimin e kësaj të vërtete tek shumica e njerëzve për shkak se nuk e kuptojnë. Një pjesë e vogël e njerëzve të dijshëm e njohin dhe e kuptojnë saktë këtë të vërtetë, madje punojnë dhe përpiqen ta transmentojnë atë mes njerëzve. Realiteti na tregon se qasja e atyre që e shpërfillin të vërtetën dominon pushtetet politike e rrjedhimisht edhe kulturën masive. Me shpërfilljen e kësaj të vërtete dhe me zvëndësimin e vlerave të vërteta me vlera të rrejshme, njerëzimi nuk arriti të pozicionohet si duhet ndaj fenomenit të vdekjes, as ndaj fenomenit të virusit që po e ndihmon më së shumti vdekjen sot.

Njerëzimi gjithsesi u përhumb, u konfirmua me gjendjen e prodhuar dhe pranoi të jetojë, qoftë dhe pa e kuptuar pse! Njohësit e së vërtetës ndoshta menduan se stagnoi mundësia dhe aftësia e tyre për të përhapur dritën e saj në gjithë njerëzimin. Ndoshta menduan se përpjekja e tyre nuk mund të jepte rezultate të jashtëzakonshme. Por, ndoshta të gjithë ne harruam se e gjithë fuqia njohëse, vepruese e ndryshuese qëndron tek e vërteta, tek një e vërtetë ontologjike e cila ekziston vetvetiu, pa pasur nevojën e shkaqeve dhe faktorëve. Këtë herë kjo e vërtetë u shfaq mes nesh me anë të një ligji dhe krijese të panjohura kurrë më parë. Ndoshta kjo ngjarje erdhi për të na argumentuar se ato të vërteta ontologjike dhe aksiologjike të cilat i janë zbuluar njerëzimit ndër shekuj me anë të profetëve janë të pandryshueshme, të vlefshme për të gjithë ne, në çdo kohë. Ndoshta Sunduesi i së Vërtetë po e sprovon njerëzimin me këtë virus dhe me këto humbje jetësh e të mirash, jo për ta dënuar, por për t’i mundësuar që të pozicionohet si duhet ndaj vdekjes që është ligj për çdo qenie të gjallë. Ndoshta ky virus ndaj qytetërimeve të sotme – të cilat për pak arritën vetëshpalljen hyjni, është një thirrje e fuqishme për t’i orientuar tek zgjidhja dhe udhëzimi të cilin e ofron Zoti i vërtetë. Kjo e fundit vlen jashtëzakonisht shumë për të gjithë ne, sepse një qytetërim si ky i yni që pretendon hyjnitetin, pretendon se ka në dorë vdekjen, jetën, të drejtën, pasuritë e tokës; po dëshmon se realisht nuk ka në dorë pothuajse asgjë, sidomos në raste të tilla. Me qëllim ose jo, një dozë idhujatrie ka depërtuar në çdo skutë të botës për të sfiduar monotezimin. Por, monoteizimi po dëshmon edhe një herë se posedon të vërtetën e vetme dhe brenda doktrinave të tij ndodhet zgjidhja e kësaj krize dhe e krizës më madhore, krizës së moralit e vlerave. Monotezimi nuk duhet kërkuar si zgjidhje për të shpëtuar nga vdekja, sepse njerëzimi nuk duhet të ketë frikë nga vdekja, por qëllimi i tij duhet të jetë jeta, e nëse në botë do mëkëmben vlerat e vërteta, atëherë edhe ndaj vdekjes do kemi qasjen e duhur.

Romeo Ismahilaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit