7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Kriza energjetike dhe deklaratat e fundit rreth rritjes së çmimit të rrymës në Kosovë

Më të lexuarat



Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se situata energjetike në Kosovë gjatë tri ditëve të ardhshme pritet të rëndohet, duke shtuar se mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin janë shpenzuar për vetëm dy muaj.

Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është shprehur se një bllok i termocentralit “Kosova B”, ka dalë jashtë funksionit.

“KEK-u zakonisht operon me dy blloqe të termocentralit ‘Kosova A’ dhe dy blloqe të ‘Kosova B’, që i bie rreth 800MW në orë. Është bërë përpjekje edhe e shtimit në funksion të një blloku tjetër të ‘Kosova A’, duke rritur për 120MW kapacitetet. Fatkeqësisht tentimi për t’i mbajtur te tri blloqet njëkohësisht nuk ka funksionuar. Është dashur që një bllok i ‘Kosova B’ të ndalet për 36 orë për një riparim. Kështu që tri ditët e ardhshme, situata energjetike pritet të jetë edhe më e rënduar”, është shprehur Rizvanolli, shkruan Telegrafi.

Sipas saj, mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin u shpenzuan për dy muaj.

“Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë euro për import”, ka përfunduar ajo.

Rizvanolli: Situata energjetike pritet të rëndohet gjatë tri ditëve të ardhshme

Rizvanolli gjithashtu ka shpërndarë një manual i cili kërkon nga qytetarët që ta kursejnë energjinë elektrike. Ajo thotë se një pjesë e konsiderueshme e energjisë elektrike që konsumojmë vjen nga ndriçimi.

“Fikja e dritave kur të dilni nga dhoma/shtëpia, zëvendësimi i poçeve me ata LED, shfrytëzimi i dritës natyrore gjatë ditës dhe vendosja e sensorëve të efiçencës”, janë disa nga këshillat në dokument.

Po ashtu, aty bëhet thirrje edhe që pajisjet elektrike që konsumojnë më shumë energji, si rrobalarësja, enëlarsja dhe hekuri për hekurosje të përdoren mes orës 22:00 dhe 07:00.

‘Fikni dritat kur të dilni nga dhoma’, ministrja Rizvanolli prezanton manualin se si të kursehet energjia elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka pranuar nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO) kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, thuhet se ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.

“Muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor”, thuhet në njoftim.

Zyra e Rregullatorit pranon kërkesat për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm, kështu ka paralajmëruar KEDS.


Sipas tyre, knsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe ZRRE bëjnë shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Lidhur me mundësinë e shtrenjtësimit të energjisë elektrike, reagim ka pasur edhe nga komuniteti i biznesit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi është shprehur se që nga muaji tetor kanë paralajmëruar krizën për energjinë elektrike.

“Kriza me çmimet e energjisë elektrike është krizë e paralajmëruar. Që nga muaji tetor kemi bërë thirrje për të ndërmarrje të veprimeve konkrete. Çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja në tërë sektorin privat”, ka reaguar Rukiqi.


Rukiqi: Çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja në tërë sektorin privat

Përveç çmimit të energjisë elektrike, që pritet të shtrenjtohet, muajve të fundit në Kosovë janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit