4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Krijimi i sistemeve është më i rëndësishëm sesa vendosja e qëllimeve

Më të lexuarat

Shumë prej nesh, janë shumë të mirë në vendosjen e qëllimeve. Ne e kemi të lehtë të vendosim qëllime dhe të ëndërrojmë rezultate të mëdha. Por kur bëhet fjalë për mënyrën e arritjes së këtyre qëllimeve, çështja komplikohet.

Problemi nuk qëndron tek aftësia jonë e përcaktimit të qëllimeve por, te paaftësia jonë për të arritur ato qëllime për shkak të mungesës së një sistemi për arritjen e tyre.

Çfarë nënkuptoj me sistem? Mendojeni si planin tuaj të veprimit, rrugën që do të ndiqni, një grup hapash që ndërmerrni çdo ditë. Është rruga e arritjes së qëllimit tuaj dhe rezultateve që dëshironi.

Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të vendosni qëllime. Edhe qëllimet janë të rëndësishme. Mbi të gjitha, ato janë drejtimi juaj dhe mund t’ju ndihmojnë të qëndroni në korsinë e duhur. Por është e rëndësishme t’i mendoni qëllimet tuaja si një udhëzues i dobishëm. Ndërsa sistemi që ju përfundoni duke zbatuar është harku dhe shigjeta.

Duke krijuar sisteme dhe duke vendosur zakone të mira sot, do të jeni më afër arritjes së qëllimeve tuaja dhe gjithashtu do të shtroni rrugën për sukses afatgjatë. Më poshtë gjenden disa arsye përse zbatimi i sistemeve është më i rëndësishëm sesa vetëm vendosja e qëllimeve:

Ju përgatit për përmirësim të vazhdueshëm

Me një sistem të mirë, do mund të përgatitni veten për përmirësim të vazhdueshëm.

Si? Kryerja e një sërë zakonesh të përditshme ju lejon të përparoni, jo ​​vetëm të mendoni për rezultatet, siç bëni kur vendosni qëllime. Gjithashtu është diçka e qëndrueshme dhe ju mund ta rishikoni vazhdimisht sistemin tuaj, nëse është e nevojshme mund të rregulloni, përmirësoni ose krijoni zakone të reja për t’ju dhënë rezultatet që dëshironi.

Siç shpjegon Steven Handel, autor dhe trajner i vetë-përmirësimit të The Emotion Machine, “Sistemet ndryshojnë nga qëllimet sepse ato janë të përqendruara në qëndrueshmëri. Sistemet nuk kërkojnë një pikë referimi specifike që ne e arrijmë ose nuk e arrijmë. Ato janë një qasje ndaj jetës që ne praktikojmë dhe ndërtojmë çdo ditë. ”

Janë të shkallëzuar

Qëllimi juaj mund të jetë të ndërtoni një biznes të suksesshëm, por sistemet tuaja janë mënyra se si do t’ia arrini. Janë mënyrat se si krijoni produkte, punësoni punonjës dhe mbani llogari. Janë detajet e vogla të metodës që do t’ju lejojnë të arrini sukses.

Kjo është arsyeja pse sistemet janë kaq thelbësore dhe më të mira se vendosja e thjeshtë e qëllimeve. Nëse e arrini qëllimin tuaj, le të themi, krijimin dhe rritjen e një biznesi të suksesshëm, por harroni se si keni arritur atje, atëherë qëllimi juaj nuk është i shkallëzuar. Prandaj, është më mirë të sistematizoni qasjen tuaj në mënyrë që nëse dështoni, të mund të bëni një rishikim për të parë se ku gabuat. Në këtë mënyrë, kutponi se çfarë nuk duhet të bëni në të ardhmen. Dhe nëse fitoni, do të keni një sistem të dokumentuar se si t’ia arrini përsëri dhe ndoshta edhe më mirë herën tjetër.

Ju mund të motivoni ekipin rreth planit tuaj

Qëllimet e mëdha janë të shkëlqyera, por mund të jetë e vështirë të entuziazmoni ekipin tuaj për to. Por duke ndërtuar sisteme, ju mund t’i tregoni ekipit planet tuaja për kompaninë dhe t’i bëni të bashkohen me ju.

Nëse keni mundësi, përfshini ekipin tuaj në krijimin e sistemeve. Tregojuni atyre se të pasurit e një udhëzuesi hap pas hapi për kryerjen e detyrave do ta bëjë punën tuaj më të lehtë. Krijon efikasitet sepse ata do të dinë çfarë të bëjnë, si ta bëjnë atë dhe kur.

Dhe ndërsa biznesi juaj rritet dhe punësoni punonjës të rinj, do të jetë e lehtë për ta që të marrin njohuritë dhe të kuptojnë procedurat që ju tashmë keni vendosur.

Lë hapsirë për zgjidhje krijuese

“Unë do të fitoj 200,000 dollarë këtë vit.” Ky është një qëllim i shkëlqyer, por çfarë do të thotë në të vërtetë, dhe si është i arritshëm? Ajo që do të bëni është ajo që vlen.

Mendoni në mënyrë krijuese për implementimin e sistemeve të reja. Edhe nëse ka një ndryshim prej një përqind në mënyrën se si i bëni gjërat, grumbullimi i të gjitha këtyre ndryshimeve të vogla do të sjellë rezultat.

Nëse marrim si shembull ekipin britanik të çiklizmit, ata bënë ndryshime të vogla krijuese, si përdorimi i një shale më të rehatshme, por akumulimi i të gjitha ndryshimeve u dha rezultate të mëdha (ata kanë arritur gjashtë fitore në Tour de France).

Krijon një mendësi afatgjatë

Ju jeni stërvitur fort dhe keni garuar në maratonë. Po tani? Nëse e keni arritur qëllimin tuaj, çfarë ju motivon të mbani zakone të mira vrapimi?

Ruajtja e një sistemi ju lejon të vazhdoni të keni rezultate pasi të jetë arritur një qëllim sepse nuk ka të bëjë me një arritje të veçantë.

Ka të bëjë me përkushtimin ndaj procesit, pasi të krijohet dhe ruhet një zakon i mirë, do të shihni se si po përfiton kompania juaj. Ju do të ndjeni nxitjen për të vazhduar, sepse do të shihni vazhdimisht shpërblime. Kjo është mendësia afatgjatë që ju duhet.

“Arsyeja e vendosjes së qëllimeve është të fitoni lojën”,- thotë James Clear, autori më i shitur i një numri librash, përfshirë Atomic Habits. “Qëllimi i ndërtimit të sistemeve është të vazhdojmë të luajmë lojën … mendësia e vërtetë afatgjatë është të mendoni pa vendosur qëllime”.

Ju mban me këmbë në tokë

Së fundmi, një sistem ju mban të orientuar drejt veprimit sepse shihni përparimin që po bëhet. Është i prekshëm dhe jep më shumë kënaqësi dhe lumturi afatgjatë.

Nëse e bazoni lumturinë tuaj në arritjen e një qëllimi, po i thoni vetes: “Nëse e arrij qëllimin tim, vetëm atëherë mund të jem e lumtur”.

Por pse të mos e lejoni veten të jeni i lumtur dhe me këmbë në tokë gjithë kohës?

Duke ndërtuar një sistem, qëllimi kthehet në rezultatin e të gjitha procedurave që keni bërë. Ju gjithashtu do të zhvendoseni nga një mendësi dështimi në një mendësi ku jeni të kënaqur të shihni se sistemet tuaja funksionojnë mirë dhe si rezultat, qëllimet tuaja të mëdha po përmbushen.

Dhe kjo është ajo që do t’ju motivojë dhe do t’ju shtyjë drejt suksesit të vazhdueshëm afatgjatë, si në jetën tuaj personale, po ashtu edhe në biznesin tuaj.

ENTREPRENEUR

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit