5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Koncepti i adhurimit në tre muajt e begatë

Më të lexuarat

Njeriu në natyrën e vet është adhurues. Njeriu nuk mund të shndërrohet nga adhurues në jo adhurues. Ai mund të kalojë nga një lloj adhurimi në një tjetër. Nuk është zgjedhja mes adhurimit dhe joadhurimit, sikundër bëri sistemi bashkëkohor, por zgjedhja është vetëm tek i adhuruari, a është Allahu i Madhëruar, apo diçka tjetër. Zgjedhja sipas shprehjes kuranore është mes adhurimit të Allahut dhe adhurimit të shejtanit: “Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armiku juaj i shpallur, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë.” (Jasin: 60-61)

Rruga e drejtë është ajo që të çon në njohjen dhe adhurimin e Allahut, ndërsa rrugët e shejtanit të orientojnë drejt prishjes, shkatërrimit dhe mohimit. Të adhuruarit në sistemin bashkëkohor është i ndryshëm dhe rrugët e tij janë të shumta gjithashtu, nga adhurimi i dollarit/euros në adhurimin e dëshirave dhe epsheve, duke kaluar te prodhimi dhe “interesat kombëtare”, “shkenca dhe mendja”, “përparimi dhe zhvillimi”, “idetë personale”, “natyra dhe humanizmi”. Çdo i adhuruar prej këtyre ka detyrimet e veta që duhet t’i bindesh… Ku shkon njeriu kur del nga adhurimi i Allahut? Bota bashkëkohore thotë se ai çlirohet nga vargonjtë. Po, çlirohet nga prangat njerëzore, që të bjerë në ato shtazore. Adhurimi padyshim është varësi, sepse është detyrim me atë që Allahu zbriti robërim e pengim të epsheve dhe dëshirave, por në të njëjtën kohë ai e çliron njeriun nga presioni i epsheve dhe nënshtrimi poshtërues i njerëzve që marrin dinjitetin e njeriut. “Adhuroje Allahun sikur ta shihje Atë. Dhe nëse ti nuk e sheh Atë, padyshim Ai të sheh ty! ” (Buhari, Iman: 37)

Adhurimi është nënshtrim i mbushur me dashuri. Është bindshmëria e njeriut që dashuron atë që ai nderon dhe respekton. Është një qëndrim që i shkon për shtat natyrës së njeriut kundrejt vetëm Zotit. Adhurimet janë vërtetim besnikërie që tregojnë se robi i qëndron besnik marrëveshjes së bërë me Zotin e vet në zanafillë (pafillimshmëri). Adhurimet janë një botë krejt private, ku njeriu e qetëson dhe e forcon shpirtin me kënaqësinë se po bën diçka vetëm për pëlqim të Zotit të vet. Adhurimet janë burimi më me efekt i shërimit dhe qetësimit që mundet ta çlirojë njeriun nga dyshimet dhe shqetësimet e përtej vdekjes, janë klimë shpirtërore nëpër të cilën kalon rruga e vetme e investimeve që bëhen për botën e përtejme. Me këto cilësi, adhurimet janë burim begatie që kurrsesi s’duhen nënvlerësuar në rrugën e sigurimit të ekuilibrit dhe paqtimit të zemrës.

Për të vjelur rezultatin e dëshiruar nga adhurimet, është kusht që ato të kryhen me përshpirtshmëri, dhe përshpirtshmëria është qëndrimi para audiencës hyjnore në bashkëveprimin e qetësisë dhe kënaqësisë së zemrës me ndjenjat e dashurisë dhe frikës, është shkëputja e të gjitha lidhjeve të jashtme për të qenë bashkë me Zotin dhe arritja e vetëdijes së krijimit vetëm për ta adhuruar Atë! “Unë krijova xhindet dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar Mua.” (Dharijat: 56) “Thuaj: Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm” (Furkan: 77)

Zoti me anë të këtyre ajeteve deklaron se, që njeriu të shpëtojë nga disfata e amshuar, duhet ta shoqërojë besimin me adhurim dhe punë të mira. Kështu, besimtarët që kanë vënë si synim të dalin në audiencën e lartë të Zotit me zemër të pastër, ua dorëzojnë zemrat burimeve sublime të adhurimeve, të quajtura punë të mira dhe marrin rrugën drejt detit të afrisë hyjnore. Adhurimet, të cilat janë simbol i besimit dhe ushqim i shpirtit tonë, e përforcojnë besimin tonë duke pastruar brendinë tonë nga mendimet e këqija dhe anën tonë të jashtme nga ndytësitë e mëkateve, duke na shndërruar në besimtarë të plotë me moral dhe virtyte të larta. Përkufizimi tradicional i adhurimit në Islam përfshin pothuajse çdo gjë në aktivitetin e individit. Të gjitha veprimet e njeriut duhet të jenë në pajtim me udhëzimet e Atij të cilit njeriu i nënshtrohet. Në Islam puna e denjë konsiderohet një lloj adhurimi, ndërsa të kërkuarit e diturisë është një ndër llojet më të larta të adhurimit. Mirësjellja ndaj anëtarëve të familjes së dikujt, apo mirësjellja shoqërore ndaj familjes së madhe njerëzore dhe bashkëpunimi i mirëfilltë janë pjesë e adhurimit kur bëhen për hir të Allahut. Pra, koncepti i adhurimit në Islam është koncept i gjerë, që përfshin të gjitha aktivitetet pozitive të individit. Ai është rregullatori i jetës së njeriut në të gjitha nivelet: atë individual, shoqëror, ekonomik, politik dhe shpirtëror. Është element shumë domethënës kur dikush kupton se të gjitha aktivitetet e tij konsiderohen nga Allahu si vepra adhurimi. Adhurimi në Islam, qoftë ai ritual apo joritual, e ushtron individin në atë mënyrë që ai të jetë më i afërt dhe ta dojë më së shumti Krijuesin e tij dhe, me anë të kësaj, të fitojë vullnet dhe entuziazëm të paepur, për t’i fshirë të gjitha të këqijat dhe brengat nga shoqëria njerëzore dhe ta bëjë emrin e Zotit dominues në botë.

Koha dhe vendi të gjithë vlerën dhe shenjtërinë e tyre e marrin sepse ashtu dëshiron Allahu. Kjo dëshirë hyjnore përfshin mijëra urtësi për krijesat, veçanërisht ato ngjarje që ndodhin brenda asaj kohe dhe vendi, i fitojnë këtyre një rëndësi të veçantë. Shenjtëria e disa aspekteve të kohës në Islam është një mënyrë që begatia dhe mirësia e pafund e Zotit të mbërrijë te myslimanët. Sipas kalendarit hënor, që ka si pikënisje Hixhretin e profetit Muhamed a.s., muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan janë muaj shumë të dobishëm dhe të bekuar. Në shoqërinë islame këta muaj quhen “Shuhur-u thelathe” (Tre Muajt). Të gjitha netët e mira veç Natës së Mevludit, ndodhen brenda këtyre tre muajve. Muaji Rexheb cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji Ramazan si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr ç’ka mbjell, merr të barazvlefshmen e asaj që ka bërë. Tre muajt kanë një shije të vetën, e cila i veçon ata nga muajt e tjerë. Secili nga muajt ndjehet me ndjenjat tona të dukshme, ndërsa këta të tre, ndjehen me zemër dhe ndjenja mjaft të thella. Brenda kësaj kohe njerëzit që i kthehen botës së zemrës, preken shpirtërisht nga rrezet që burojnë nga besimi i tyre dhe u duket se në këtë gjendje ata do të jetojnë përgjithmonë në hare. Ditët, netët, madje orët dhe minutat gjatë kësaj kohe për ta ecin në një formë të magjishme. E ashtu duke rrjedhur, pa dyshim që secilit i pëshpërijnë diçka në shpirt… Gjatë këtyre muajve myslimanët pendohen për mëkatet; zemërimeve dhe mërive u jepen fund, ndjenjat vëllazërore zhvillohen më tej, kështu, myslimanët bëjnë përpjekje për të hyrë me mendime të mira dhe kënaqësi në muajin e bekuar të Ramazanit. Muaji Rexheb është muaji i faljes, amnistisë nga Allahu; muaji Shaban është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit për falje; muaji Ramazan është muaji i shtimit të mirësive. Për këtë qëllim Profeti ynë në fillim të Rexhebit lutej kështu: “Allahu im! Na i bëj të bekuar Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin! ” (Ahmed, 1, 259) Muaji Shaban është muaji i tetë sipas kalendarit hënor, muaj ky i cili i paraprin muajit të agjërimit, ose muajit të Kur’anit-Ramazanit. Ky është muaji i begative madhështore, që i nxit myslimanët që të shfrytëzojnë rastin për të përfituar shpërblime të mëdha si dhuratë nga Allahu xh.sh. për veprimet e mira dhe produktive gjatë këtij muaji. Pikërisht në këtë muaj kanë ndodhur dy ngjarje të mëdha për mbarë myslimanët: Nata e Beraetit apo nata e katërmbëdhjetë e muajit Shaban dhe ndërrimi i Kibles prej Mesxhidi Aksasë (Jeruzalemit) në drejtim të Mesxhidi Haramit. Nëna e besimtarëve Aishja r.a ka thënë: “Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar muaj të plotë përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë se sa në muajin Shaban.” (Buhariu: 1833) Ky muaj është parapërgatitje me qëllim që besimtarët myslimanë të presin muajin e agjërimit me zemra të hapura dhe të pastra. Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin filloi të zbresë Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i së vërtetës nga e pavërteta. Është muaji në të cilin është zhvilluar lufta e Bedrit, lufta e parë për ngritjen e fesë së Zotit dhe për mbrojtjen e jetës dhe identitetit të myslimanëve. Është muaji në të cilin gjendet një natë që është më e vlefshme se njëmijë muaj dhe muaji gjatë të cilit myslimanët e shëndoshë fizikisht dhe ata që janë në vendin e lindjes së tyre janë të obliguar ta kryejnë kushtin e tretë të fesë islame, që është agjërimi. Kur afrohej muaji i Ramazanit, Pejgamberi a.s. përgatitej në të gjitha aspektet: agjëronte shumë ditë në muajin Shaban, shumë netë të tij i kalonte në adhurim, u fliste shokëve të tij për vlerën e muajit të Ramazanit. Transmetohet nga Selman Farisiu se Pejgamberi a.s. në ditën e fundit të muajit Shaban, thoshte: “O njerëz, jeni në prag të një muaji të madh e të bekuar. Është muaji në të cilin gjendet një natë më e vlefshme se njëmijë muaj. Allahu në ditët e këtij muaji e ka bërë farz agjërimin, kurse netët të kalohen me adhurim nafile. Kushdo që në këtë muaj bën ndonjë punë të mirë, do t’i llogaritet sikur të ketë kryer një farz jashtë Ramazanit. Kushdo që e kryen ndonjë farz gjatë Ramazanit, do t’i llogaritet sikur të ketë kryer 70 farze jashtë tij. Ky është muaji i sabrit (durimit), kurse sevapi për sabrin është Xheneti.” Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë të mirash sjell Ramazani, do të kishin dëshiruar që i gjithë viti të ishte Ramazan. Në dhjetë ditët e para të këtij muaji Allahu e lëshon rahmetin (mëshirën) e Tij mbi njerëzit, në dhjetë ditët e mesme Allahu ua fal gjynahet robve të Tij, kurse në dhjetë ditët e fundit Ai i fal edhe ata që e kanë merituar dënimin me zjarr xhenemi.”

Mehmet Disha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit