1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Koment – Turqia, Gjermania dhe Evropa; “quo vadis”?

Më të lexuarat

​​​​​​​Një marrëdhënie e bazuar në besim, interes të përbashkët, barazi dhe respekt është e mundur dhe e nevojshme midis Turqisë, Gjermanisë dhe Evropës, të cilat duhet të punojnë fuqishëm për të shmangur qëndrimet e dëmshme për të gjithë…

Majin e kaluar, Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi në Bruksel bisedime me krerët e Bashkimit Evropian për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet Turqi-BE pas disa muaj tensionesh përpara referendumit turk në prill. Në Samitin e G20-s në Hamburg, ai gjithashtu pati takime me udhëheqësit evropiane, përfshi edhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, për të hartuar një kurs të ri në marrëdhëniet dypalëshe. Ndërsa të gjithë prisnin një klimë të re dhe më pozitive, javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, njoftoi një ndryshim të madh politikash mbi Turqinë. Nga vjen kjo? Çfarë qëndron pas saj?

Dy incidente të kohëve të fundit janë përmendur si shkak i mundshëm për këtë ndryshim të politikave. I pari është ndalimi i një shtetasi gjerman në Turqi për dyshimin se është përfshirë në veprime të paligjshme. I dyti është pretendimi se Turqia po heton kompanitë gjermane në Turqi si pjesë e hetimit në vazhdim kundër grupit terrorist gylenist (FETO). Qeveria gjermane shkoi aq larg sa të pretendonte se shtetasit dhe kompanitë gjermane nuk janë të sigurta në Turqi. Të dyja akuzat janë të pabaza.

Nuk ka kërcënim për shtetasit gjermanë ose të tjerë të huaj në Turqi, qofshin për vizitë apo për biznes. Rasti i përmendur, rreth ndalimit të një shtetasi gjerman, është një proces gjyqësor dhe vetëm gjykatat do të japin vendimin përfundimtar. Po ashtu nuk ekziston asnjë listë e zezë e kompanive gjermane në hetim e sipër apo nën shënjestër në ndonjë lloj mënyre. Në Turqi operojnë rreth 7.000 kompani gjermane dhe disa prej tyre bëjnë biznes në Turqi që prej gati një shekulli. Asnjë kompani e huaj nuk është mbyllur apo hetuar pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut (2016). Kompanitë, të cilat janë mbyllur ose konfiskuar, janë vetëm ato të rrjetit FETO.

Marrëdhëniet turko-gjermane kanë një histori të gjatë dhe nuk ka bazë të arsyeshme për t’i prishur ato tani. Qindra-mijëra qytetarë, turistë dhe figura biznesi të Gjermanisë vizitojnë Turqinë çdo vit pa kurrfarë problemi. Më shumë se 3 milionë njerëz me origjinë turke jetojnë në Gjermani si qytetarë dhe rezidentë të ligjshëm. Nuk ka arsye për t’i parë ato si kërcënime ose në rrezik me ndonjë sforcim të imagjinatës.

Gjatë dekadës së fundit, qeveritë e njëpasnjëshme gjermane nën drejtimin e Kancelares Angela Merkel kanë kundërshtuar haptazi anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në BE. Megjithatë Turqia vazhdoi të punonte me Gjermaninë në nivele të ndryshme. Ka edhe pika të tjera mosmarrëveshjesh për çështje si integrimi dhe asimilimi, pluralizmi kulturor dhe lufta civile siriane. Pavarësisht nga këto dallime, sidoqoftë, marrëveshja e migracionit Turqi-BE, arritur nën lidershipin gjerman, ka funksionuar për të ndalur fluksin e refugjatëve nga Siria dhe rajoni në Evropë. Marrëdhëniet ekonomike gjithashtu kanë ecur mirë në kohë të turbullta.

Por qëndrimi gjerman në lidhje me referendumin e 16 prillit u shfaq si një manovër surprizë. Ndalimi i politikanëve turq nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në pushtet, përfshi kështu edhe ministrat, për t’u takuar me votuesit legjitimë turq në Gjermani, ishte krejtësisht i pakuptimtë. Ndërkohë që aktivistët e fushatës “Jo” u lejuan të bënin programe të shumta, përkrahësve të reformave kushtetuese nuk iu dha e njëjta hapësirë lirie. Mediat gjermane dhe politikanët ankohen për lirinë e tubimit në Turqi, por vetë zyrtarët e këtij vendi nuk lejuan madje as Erdoganin që të takohej me qytetarët dhe bashkatdhetarët turq për të mbajtur një takim paqësor.

Ç’është më e keqja, disa nga zgjatimet kryesore të PKK-së, një organizatë terroriste e jashtëligjshme, mbajtën mitingje në sheshe dhe takime në salla të mbyllura jo vetëm për të mbështetur fushatën “Jo”, por gjithashtu për të përhapur ideologjinë e PKK-së dhe për të justifikuar aktet terroriste të saj. Për më tepër, dhjetëra të dyshuar të FETO-s janë lejuar të strehohen në Gjermani, ndërkohë që në Turqi ata janë shpallur persona në kërkim dhe duhet të arrestohen. Të gjithë kësaj i duhet shtuar edhe mania e shtypit gjerman për Erdoganin, një obsesion ky që të kujton shumë më tepër përçartjet e një truri të sëmurë, sesa analizat politike serioze.

Tani qeveria gjermane po thotë se do ta transferojë këtë çështje edhe në pjesën tjetër të Evropës; pra, do të përdorë fuqinë dhe influencën e saj për të mobilizuar vendet e tjera evropiane kundër Turqisë. A është kjo me të vërtetë një politikë e shëndoshë? A mendon ndokush se nga kjo qasje joracionale do të lëndohet vetëm Turqia? Edhe për sa kohë do të vazhdojë Gjermania të luajë rolin e të verbrit ndaj shqetësimeve legjitime të Turqisë lidhur me prezencën e PKK-së, FETO-s dhe grupeve të tjera, të cilat tipar dallues dhe kryesor kanë armiqësinë e hapur ndaj Turqisë, një vend aleat i NATO-s dhe kandidat për në BE? Si do të reagonte Gjermania apo ndonjë vend tjetër nëse Turqia do të lejonte shumë individë ose organizata antigjermane të nisnin sulme të pamëshirshme dhe të vazhdueshme ndaj Gjermanisë?

Është e qartë se zgjedhjet e ardhshme gjermane të muajit shtator kanë një rol me peshë në gjithë këtë. Populizmi antiTurqi sjell duartrokitje, vëmendje dhe vota. Për më tepër, disa e shohin Erdoganin dhe Turqinë si një “tjetër”, përmes të cilit mund të zhvendosin problemet e tyre të brendshme mbi një armik të largët e imagjinar. Disa qarqe politike në Evropë e përdorin Turqinë si një problem për të mos parë veten në pasqyrë dhe për të mos u ballafaquar me shëmbëlltyrën e tyre. Ata transformojnë imazhin e turqve duke e shtrembëruar atë në “barbarë”, vetëm e vetëm që ta ndjejnë veten mirë dhe të qëndrojnë larg problemeve reale në rritje të vazhdueshme si ksenofobia, papunësia, pabarazia, dhuna në familje, individualizmi ekstrem, racizmi, seksizmi, lufta e klasave, multikulturalizmi dhe dobësimi i përgjithshëm i Evropës si një ide.

Por ne duhet të përballemi me faktin e thjeshtë se shndërrimi i Turqisë në një “tjetër” armike mund të sjellë përfitime afatshkurtra për oportunistët politikë dhe racistët e ekstremit të djathtë në Evropë. Por kjo gjendje nuk zgjidh as problemet e veta të Evropës dhe as siguron një udhërrëfyes politik e moral për të ardhmen. Ajo vetëm sa thellon ndjenjën e mosbesimit, e cila tashmë po helmon marrëdhëniet Turqi-Evropë në njërën anë dhe ndërmjet shoqërive islame e atyre perëndimore në anën tjetër.

Kjo ecuri duhet të hidhet poshtë në një kohë kur probleme globale të tilla si pabarazia, padrejtësia, terrorizmi, përjashtim/tjetërsimi dhe mosbesimi kërkojnë partneritet dhe mirëkuptim global. Një marrëdhënie e bazuar në besim, interes të përbashkët, barazi dhe respekt është e mundur dhe e nevojshme midis Turqisë dhe Evropës. Turqit, gjermanët dhe evropianët duhet të punojnë fuqishëm për të shmangur qëndrimet irracionale dhe politikat e papërgjegjshme, të cilat rezultojnë të dëmshme për të gjithë.

 

Autor:Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit