1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Koment – Myslimanët e Indisë

Më të lexuarat

Analizë në kuadër të serialit radiofonik “Perspektiva Globale” nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

 

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Teoricieni shoqëror, David Harvey, antropolog dhe gjeograf amerikan me famë botërore, në veprën e tij me titull “Gjendja e Postmodernitetit” (The Condition of Postmodernity), e përkufizon epokën në të cilën ne jetojmë si “shtrëngim kohë-hapësirë”. Proceset globalizuese që po kalojmë, nga njëra anë afrojnë largësitë e mëdha dhe nga ana tjetër mund të largojnë afërsitë gjithashtu. Madje mund të na bëjnë që të harrojmë edhe historinë e përbashkët, përvojat e përbashkëta.

Këtë javë kam dëshirë të flas për myslimanët e Indisë. Në aspektin e perceptimit shoqëror, India është sot po aq larg sa edhe Meksika. Mirëpo a ka qenë historikisht gjithmonë kështu?

 

E kaluara islame e harruar e Indisë

Nënkontinenti Indian (Indi, Pakistan, Bangladesh) është njohur me Islamin që në kohën e Hz. Omerit (r.a.), kalifi i dytë i myslimanëve.

Drejtori i Departamentit të Kërkimeve në “Mashreq Centre” të Nju-Delhit dhe njëherësh lektor i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit” të Ankarasë, dr. Omair Anas, të cilin pata shansin ta kem të ftuar në emisionin “Çesmi Cihan” (Syri i Botës), që transmetohet në turqisht ngaTRT Radio Zëri i Turqisë, thekson se Islami ka hyrë në Indi përmes tri rrugëve. E para ndër to është ajo e tregtarëve myslimanë, si në rastin e Indonezisë. Tregtarët e ndershëm dhe të besueshëm myslimanë kanë luajtur një rol madhor në përhapjen e Islamit në nënkontinentin Indian.

Rruga e dytë është ajo e sufistëve (mistikëve) myslimanë që shtegtonin nga Azia Qendrore, edhe këta shumë efektivë gjithashtu. Dr. Anasi potencon se mes tyre, nënkontinenti Indian simpatizon dhe njeh shumë mirë veçanërisht Mevlana Xhelaludin Rumiun. Kur vijnë në Turqi, myslimanët indianë dhe sidomos ata sufistë vizitojnë patjetër Konjën, qytet ku edhe prehet Rumiu, që sipas tij mund të jetë një urë shumë e rëndësishme ndërmjet dy vendeve. Një faktor amplifikues i këtij efekti mund të jetë edhe vendlindja e Rumiut, qyteti Belh i krahinës Horasan në veri të Afganistanit, një zonë shumë afër Indisë. Po të shohim jetën e tij, Mevlana është me të vërtetë si një urë mbihistorike, këmbët e së cilës janë të vendosura njëra në atë rajon dhe tjetra në Anadoll; ndërkohë që koncepti i kohës nuk ekziston për mesazhet e tij. Ai është i aftë të bashkojë hapësirat gjeografike, vendet dhe njerëzit në çdo periudhë.

Kurse rruga e tretë ka të bëjë me qeverisjet myslimane që kanë sunduar për shekuj me radhë në ato treva. Ndikimi i fortë i udhëheqësve myslimanë me origjinë turke në Indi ka filluar që pas fundit të shekullit të 10-të dhe fillimit të atij të 11-të. Sikurse dhe në shembujt e Andaluzisë dhe Perandorisë Osmane, ata kanë demonstruar një qeverisje tolerante që respektonte dallimet, duke jetuar në harmoni dhe të gërshetuar me traditat dhe kulturën e popullatës vendore të nënkontinentit Indian.

Vlen të theksohet se kjo hapësirë gjeografike ka nxjerrë edhe dijetarë myslimanë shumë të mëdhenj. Po të zbresim vetëm pak në thellësitë e memories historike, do të kujtojmë menjëherë Imam Rabanin (Ahmad Sirhindi, 1564-1624), autor i librit të titulluar “Letrat” (Maktubat); Shah Veliullah Dehlavin (1602-1662), autor i veprës me titull “Dëshmia e thelluar e Allahut” (Hujjat Allah al-Baligha); si dhe Abul Hasan an-Nadvin (1914-1999), autor i librit të mirënjohur “Çfarë humbi bota me rënien e muslimanëve?” (What did the world lose with the decline of Muslims?).

Pas okupimit britanik, e kaluara islame e Indisë bëhet gjithnjë e më pak e dukshme, çdoherë e më shumë e panjohur, gati sa nuk harrohet. Po aq sa politikat pushtuese, mund të themi me plotgojë se ndikim të madh në këtë proces kanë pasur orvatjet e Indisë, Pakistanit dhe Bangladeshit për të ndërtuar kombet dhe historitë kombëtare të tyre gjatë rrugëtimit për themelimin e shteteve të tyre.

India është sot vendi i dytë me popullsinë myslimane më të madhe në botë, me mbi 200 milionë banorë të besimit islam, menjëherë pas Indonezisë. Po të llogarisim popullsinë myslimane në tërë nënkontinentin Indian, ajo arrin deri në 600 milionë. Kurse popullsia totale e Indisë është rreth 1,3 miliardë banorë. Mirëpo gjendja aktuale e myslimaneve indianë, për fat të keq, nuk është aspak e kënaqshme. Presionet mbi myslimanët në Assam, shtet verilindor indian, janë në rritje të vazhdueshme.

Sulltanatet 700-vjeçare me origjinë turke

Sundimi i sulltanateve me origjinë turke në nënkontinentin Indian fillon në fund të shekullit të 10-të dhe vazhdon deri në vitin 1857. I pari ndër to është Sulltanati Gaznavid, ndërsa periudha më e ndritur dhe madhështore e tyre është ajo e Perandorisë Mogule, themeluar nga Shah Baburi dhe djali i tij Shah Xhahangiri, pinjollë të dinastisë turke të Çagatajve.

Periudha e sulltanateve në nënkontinentin Indian përfundon me fitoren e britanikëve përballë Shah Mirza Bahadurit, perandori i fundit mogul, në vitin 1857.

Ndërkaq, marrëdhëniet e ngushta ndërmjet sulltanëve osmanë dhe atyre të Indisë janë botërisht të njohura. Madje kur dinastia otomane u internua nga Turqia, disa nga princeshat osmane u martuan me princër indianë.

Po sikur India të pushtohej më herët nga britanikët apo sikur myslimanët të zbulonin Amerikën?

Sot, India ka 18 gjuhë zyrtare, afro 400 gjuhë e dialekte të tjera, si dhe 22 shtete. Nga aspekti i fesë, gjuhës, kulturës dhe besimit, ky është ndoshta vendi më i larmishëm, më shumëngjyrësh dhe më i pasur në botë. Pa dyshim që sulltanatet myslimane qindravjeçare në nënkontinentin Indian kanë ndikim shumë të madh në konservimin dhe transmetimin e një pasurie e trashëgimie të tillë kaq të madhe deri në të sotmen. Sepse ato kanë adoptuar një stil qeverisjeje që nuk i eliminon këto kultura, gjuhë dhe besime lokale, por i konsideron dhe përqafon si pjesë e qytetërimit të tyre; sikurse osmanët në territoret e tyre dhe arabët në Andaluzi. Për këtë arsye, të gjitha fetë, gjuhët dhe kulturat e kanë vazhduar ekzistencën e tyre në këtë rajon edhe pasi udhëheqësit myslimanë e humbën dominimin e tyre atje. Në Ballkan turqishtes dhe në Andaluzi arabishtes, pavarësisht sundimit shumë më të gjatë mysliman, nuk u duken pothuajse as gjurmët; kurse në Indi, Pakistan dhe Bangladesh anglishtja është një nga gjuhët zyrtare. Sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atje as që bëhet fjalë për gjuhën, fenë apo kulturën e gjallë të vendasve, pasi ata vetë ruhen në territore të rezervuara si specie të rralla në zhdukje.

Pashmangshmërisht, kjo gjendje na sjell në mendje pyetjet e mëposhtme: Cilat do të ishin pasojat sikur britanikët të mos e pushtonin Indinë në shekullin e 19-të, por në të 15-tin, sikurse SHBA-në? Me shumë mundësi, ashtu si dhe SHBA-ja, India do të ishte një vend ku “njeriu i bardhë” do të shkatërronte kulturën, gjuhët dhe besimet e vendasve për të imponuar gjuhën dhe fenë e tij. Ose le të mendojmë të kundërtën: Po sikur Amerika të zbulohej nga myslimanët dhe jo nga perëndimorët, cila do të ishte situata e popullatës vendase në SHBA? A do të kërcënoheshin nga zhdukja kulturat, gjuhët dhe besimet e aztekëve, inkasve, majave dhe të tjerëve? Apo mos vallë SHBA-ja do të sundohej prej tyre sot?

Pas pushtimit britanik, sovrane në nënkontinentin Indian u bë vetëm kultura perëndimore. Nënkontinenti u nda në tri shtete: Indi, Pakistan dhe Bangladesh. Një debat i rëndësishëm është nëse kjo ndarje erdhi si pasojë e politikës “përça dhe sundo” të imperializmit britanik apo nga mungesa e politikave shpresëdhënëse të myslimanëve nën darë. Nëse nënkontinenti Indian do t’ia kishte dalë të qëndronte si një shtet i vetëm, ndoshta s’do të flitej për armiqësi mes këtyre tri vendeve dhe në rajon do të kishte më shumë qetësi e stabilitet nën efektin e myslimanëve, të cilët, në atë rast, do të formonin shumicën. Kush e di?!

Lufta Çlirimtare turke dhe myslimanët indianë

Kur britanikët sulmuan territoret osmane në Luftën I Botërore, myslimanët indianë reaguan fuqishëm. Ata ishin gjithashtu nën pushtimin britanik. Fakti që edhe Shteti Osman po pushtohej nga britanikët do t’u dobësonte atyre shpresat dhe, rrjedhimisht, kjo do të thellonte rrënjët e okupatorëve në vendin e tyre. Për të mbështetur Shtetin Osman, ata ndërmorën nismën e quajtur “Lëvizja e Kalifatit”, mbështetur po ashtu nga Muhamed Ali Xhinahu dhe Mahatma Gandi. Ata organizuan një sërë protestash intensive. Vetë nismëtarët e Lëvizjes së Kalifatit arritën të bisedojnë madje edhe me kryeministrin e atëhershëm britanik. Për të mbështetur Luftën Çlirimtare, ata mblodhën donacione dhe ia dërguan ato Turqisë.

Artikullin tonë e filluam me globalizimin, prandaj le ta përfundojmë me të. Teksa shkurton distancat dhe i afron vendet me njëri-tjetrin, globalizmi nuk duhet të na bëjë që të harrojmë përvojat e përbashkëta, akumulimin historik dhe hapësirat gjeografike që i konsiderojmë të afërta. Këto afërsi duhet të jenë një shans i mirë për të forcuar në shumë dimensione marrëdhëniet tona me Indinë, shtet kandidat për t’u bërë një nga vendet më të rëndësishme të shekullit të 21-të.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit