4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Koment – Epokë e re në luftën antiterrorizëm të Turqisë: Operacioni “Dega e Ullirit”

Më të lexuarat

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

Can ACUN*

Turqia po përgatitej prej një kohe të gjatë për një operacion ushtarak gjithëpërfshirës kundër PYD/YPG-së, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, të cilat i konsideron një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë kombëtare të saj, por edhe për integritetin territorial të Sirisë. Në fazën e tanishme, Turqia është vënë në veprim për qytetin Afrin, në skajin perëndimor të brezit terrorist. Ndërkohë që dërgonin në rajon trupa ushtarake prej një kohe të gjatë, Forcat e Armatosura të Turqisë e kanë rrethuar zonën duke u dislokuar gjithashtu në Idlib dhe pjesët jugore të Afrinit. Pas muajsh të tëra përgatitjesh, operacioni nisi me fazën e ofensivës më datë 20 janar, ora 17.00, vetëm disa minuta pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se “operacioni i Afrinit ka filluar në mënyrë efektive në terren”. Operacioni u kodua me emrin “Dega e Ullirit”.

 

Qyteti Afrin paraqet një pozitë gjeopolitike të rëndësishme në vijën kufitare me Turqinë. Sipas censusit të fundit të popullsisë, realizuar në mbarë Sirinë në vitin 2004, qendra e Afrinit ka 64.758 banorë, ndërsa bashkë me periferitë popullsia e tij shkon në 172.095 banorë. Duke qenë se nuk është goditur nga sulmet ajrore të regjimit të Esadit, ky qytet është konsideruar relativisht më i sigurt dhe si i tillë është përballur me disa valë emigrantësh. Aktualisht mendohet se në Afrin dhe përreth tij jetojnë gati 300.000 njerëz.

Për organizatën terroriste, kjo zonë shikohet si një trampolinë për të dalë në Mesdhe. Ajo është duke u përpjekur gjithashtu për të formuar një linjë furnizimi nga Afrini drejt Turqisë nëpërmjet maleve Amanos, për të dërguar militantë dhe armë. Deri më sot, ushtria dhe forcat e tjera turke të sigurisë kanë neutralizuar në këtë zonë mbi 40 terroristë, që përpiqeshin të kalonin ilegalisht nga Afrini në territoret e Turqisë.

Faza e ofensivës së operacionit të Afrinit, koduar nga ushtria turke me emrin “Dega e Ullirit”, filloi në orën 17.00 të datës 20 janar 2018, me bombardimin e objektivave terroriste në Afrin nga avionët luftarakët të Forcave Ajrore të Turqisë, të cilët hynë në hapësirën ajrore siriane. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke, 72 reaktivë gjuajtës asgjësuan në ditën e parë të operacionit 108 objektiva të përdoreshin si vendstrehime, pika zjarri dhe depo armësh e municionesh nga organizatat terroriste PKK/KCK/PYD-YPG. Manovra e parë e operacionit sinjalizoi se një ndërhyrje ushtarake tërësore do të realizohej kundër terrorit të PKK-së në Afrin.

Në ditën e 2-të të operacionit “Dega e Ullirit”, ushtria turke dhe opozitarët sirianë të mbështetur nga Turqia filluan ofensivën tokësore duke marrë plotësisht nën kontroll shumë pika strategjike të zonës në fjalë. Më pas u vërejt që objektivat primare të operacionit ishin kodrat apo lartësitë në terrenin malor. Nisja e ofensivës nga fronti më i vështirë, gjë kjo të cilën YPG-ja nuk e priste aspak, jep indikacione të rëndësishme nga aspekti i strategjisë së operacionit. Marrja nën kontroll e lartësive apo kodrave në terrenin malor është një tentativë, që ka shumë gjasa të rezultojë e suksesshme, për të parandaluar dhe penguar arratisjen e YPG-së. Thënë ndryshe, pasi të kenë vendosur kontrollin mbi terrenin malor, ushtria turke dhe opozitarët sirianë të mbështetur nga Turqia do të kalojnë në fazën e pastrimit të plotë të zonës nga elementët e YPG-së. Kurse një tjetër çështje e spikatshme është vazhdimi i operacionit nga 8 fronte të ndryshme. Kështu, YPG-ja është e detyruar të luftojë në shumë fronte duke e bërë të pamundur që forcat e saj të jenë të mjaftueshme.

Kurse organizata terroriste PKK/YPG, në këtë operacion që është ekzekutuar me sukses deri më tani dhe tashmë ka hyrë në ditën e 7-të, ka provuar teknikat e luftës hibride-asimetrike dhe është përpjekur të përdorë civilët si mburoja njerëzore duke u tërhequr në vendet e banuara. Shihet qartë se duke përdorur civilët si mburojë njerëzore organizata terroriste synon jo vetëm që të reduktojë humbjet/dëmet në radhët e saj, por edhe të mundësojë vdekjet e civilëve për të jetësuar përmes tyre një proces ndërkombëtar të shpifjeve dhe propagandës së zezë. Këtë vlerësim e konfirmojnë edhe pengesat e mëdha, të cilat krijohen në atë zonë nga anëtarët e organizatës për të mos lejuar civilët që të largohen nga qendra dhe periferitë e Afrinit.

Përveç dimensionit ushtarak të operacionit, mjaft vëmendje po tërheq edhe përmasa diplomatike e tij. Në kuadër të marrëveshjes së arritur me regjimin e Esadit, Rusia vazhdon të mbajë nën kontrollin e saj hapësirën ajrore të Sirisë. Dihet botërisht që Rusia, e cila ka disa pika kontrolli në atë zonë, po bën përpjekje intensive që ta bindë Turqinë për të një operacion me përmasa më të vogla. Megjithatë të paktën po kaq e ditur botërisht është edhe domosdoshmëria e Turqisë për një operacion pastrimi tërësor për të mundësuar eliminimin e kërcënimit terrorist në Afrin përgjithmonë.

Krahas kontakteve të ngushta e të vazhdueshme me Rusinë, Turqia është angazhuar në një diplomaci intensive gjithashtu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe vendet e Gjirit. Menjëherë pas fillimit të operacionit, ambasadorët e dhjetëra shteteve u thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Ankara dhe u informuan në lidhje me ofensivën. Në anën tjetër, nisma e Francës për ta çuar operacionin “Dega e Ullirit” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u shndërrua nëpërmjet iniciativës diplomatike të MPJ turke në një pikë të rendit të ditës, ku diskutohet dimensioni humanitar në Siri. Përsëri me iniciativë të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme u penguan edhe tentativat e disa qarqeve mbështetëse e simpatizante të PKK-së në Këshillin e Evropës për të ngritur operacionin “Dega e Ullirit” në rend të ditës.

Edhe pse nga SHBA-ja janë bërë shumë deklarata të ndryshme në lidhje me operacionin “Dega e Ullirit”, përgjithësisht vërehet që Uashingtoni është i pakënaqur nga ofensiva e ushtrisë turke në Afrin. Ndërkohë që Britania e Madhe, Gjermania dhe NATO-ja e vlerësojnë operacionin “Dega e Ullirit” si legjitim, Rusia po e akuzon SHBA-në për indiferentizëm dhe moskokëçarje në Siri.

*Ekspert i politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Shqipëroi: Hilmi VELAGOSHTI – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit