1.4 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Kolektivizimi i konvertimit përballë lirisë së besimit

Më të lexuarat

Shqiptarët, të gjendur mes ndikimeve të ndryshme fetare dhe kulturore, zhvilluan një elasticitet të madh në lidhje me besimet e tyre fetare. Ky elasticitet nuk ishte thjesht një formë mbijetese ose një mënyrë për ta ruajtur kohezionin social dhe për t’i adaptuar praktikat fetare me nevojat dhe rrethanat e kohës, por para së gjithash ishte një përpjekje për të mos ia nënshtruar plotësisht zgjedhjen individuale, familjare apo klanore përcaktimit dhe vullnetit të pushtetit.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

 Nga konvertimet kolektive tek konvertimet individuale

Evoluimi i historisë fetare të shqiptarëve përgjatë shekujve mund të reduktohet në dy kahje kryesore: periudha kur mbisundonin konvertimet kolektive fetare dhe periudha kur vetë individi vendoste për besimin e tij fetar. Natyrisht, periudhat e konvertimeve kolektive janë periudha të mungesës së lirisë së besimit dhe kur besimi individual përcaktohej nga pushteti politik. Përcaktimi fetar i secilit ishte në dorën e pushtetarit dhe mundësia e vetme e ripërcaktimit ose konvertimit fetar ishte në rast të ndryshimit të pushtetit politik ose të ndryshimit të besimit nga ana e sundimtarit. Banorët e një qyteti, principate, shteti ose edhe perandorie, duhet të ishin besimtarë të atij besimi ose asaj kishe së cilës i përkiste konti, duka, mbreti apo perandori. Kësisoj, përshpirtshmëria e masave ishte në thelb e imponuar politikisht, edhe përkundër faktit që një pjesë e caktuar e nënshtetasve të tillë ishte thellësisht besimtare në besimin e vendosur dhe të paracaktuar nga pushteti.

Megjithë suksesin në dukje të këtij besimi të imponuar politikisht dhe kolektivisht, nevoja e individit për vetëpërcaktim fetar gjithmonë ka qenë e pranishme. Konvertimi i romakëve nga besimet e ndryshme pagane dhe jo të krishtera në fenë e krishterë në shek. IV ishte një vendim i marrë politikisht dhe i zbatuar e imponuar përmes pushtetit politik. Si i tillë, do të rezultonte në një konvertim kolektiv, ku individi nuk kishte zë dhe as mundësi zgjedhjeje. Individi nuk mund të vendoste nëse do të ishte i krishterë apo jo, por vetëm se sa i krishterë donte të ishte. Pushteti garantonte që të gjithë nënshtetasit do të ishin të krishterë, kurse kisha kujdesej që nënshtetasit të cilëve pushteti ua kishte imponuar fenë e vet do të ishin besimtarë sa më të fortë. Pra, pushteti politik i përcaktonte, vendoste dhe impononte kufijtë e hapësirës fetare, kurse pushteti fetar ose kisha vepronte për ndërgjegjësimin fetar të nënshtetasve në këtë hapësirë të paracaktuar nga pushteti.

Ndarja e kishave në vitin 1054 bëri që ky paracaktim i besimit të nënshtetasve nga pushteti politik të krijonte një pështjellim të vazhdueshëm në zonat kufitare mes dy kishave dhe hapësira e banuar nga shqiptarët të ishte në mesin e një kufiri fillimisht të dyfishtë dhe më pas të trefishtë, ku konvertimet kolektive, herë në një rit e herë në një rit tjetër, ndodhnin aq shpesh, saqë me sa duket që në atë kohë për shqiptarët konvertimi kolektiv ose zgjedhja e fesë së shqiptarit nga pushtetari që e sundonte të shihej me një dozë skepticizmi dhe pranimi sa për sy e faqe. Pa dyshim që edhe autoriteti kishtar në këtë kufi të trefishtë mes katolicizmit latin, ortodoksisë bizantine dhe ortodoksisë pravosllave do të lëkundej bashkë me shkundjen dhe ndërrimin e pushtetit politik.

Për këtë arsye, zakonisht, harrohet se nuk ishte një ndarje e qartë të trojeve shqiptare me katolikë në veri dhe ortodoksë në jug. Kjo paraqitje është shumë skematike, e thjeshtëzuar dhe nuk e pasqyron realitetin tejet kompleks të situatës fetare në trojet shqiptare në mesjetë.

Kështu, nëse në zonën e Shqipërisë së Mesme kufiri fetar ndryshonte mes kishës katolike dhe asaj ortodokse bizantine, kësaj më në veri i shtohej edhe ndryshimi dhe paqëndrueshmëria fetare në kontaktin mes kishës katolike dhe asaj pravosllave ose ortodokse serbe më në veri. Ngjashëm edhe në zonën jugore, paqëndrueshmëria ishte po aq e madhe për shkak të përballjes mes ortodoksizmit bizantin dhe atij bullgar. Për këtë arsye historia e Shqipërisë, gjatë mesjetës, karakterizohet nga një paqëndrueshmëri fetare dhe politike e jashtëzakonshme. Në këta shekuj të mesjetës shqiptarët kanë përjetuar konvertime e rikonvertime të shpeshta e të befasishme, në varësi të situatës politike që mbizotëronte. Trojet e banuara nga shqiptarët e vuajtën më së shumti këtë paqëndrueshmëri me pasoja të rënda për kohezionin e tyre politik jo vetëm për faktin se ndodheshin në kufirin e paqëndrueshëm ndarës mes kishës së Romës dhe asaj të Konstantinopojës, por edhe sepse ky fragmentim fetar u thellua akoma edhe më tej nga vendosja e kufijve të tjerë fetarë po aq të paqëndrueshëm. Pra, shqiptarët, si popull me një pozitë gjeografike që i vendoste në qendër të konflikteve dhe interesave të ndryshme, përjetuan një sërë konvertimesh dhe rikonvertimesh fetare, që ishin të diktuara nga faktorët politikë dhe ushtarakë të kohës. Kjo paqëndrueshmëri fetare nis të vërehet që herët nga të huajt. Kështu në vitin 1308 një udhëpërshkrues anonim pohonte se shqiptarët nuk janë tamam as katolikë dhe as ortodoksë: “nec sunt pure catholici, nec pure schismatici”.

Kësisoj, dukja e Islamit në horizontin social të shqiptarëve nga fundi i shek. XIV përbënte një ndryshim epokal, jo thjesht pse sillte një besim të ri në këto troje, pasi kjo në fakt nuk ishte ndonjë risi, por sepse solli një prirje dhe mundësi të re: përcaktimin e fesë nga vetë individi dhe jo më nga pushteti politik. Dukja e pushtetit politik islam solli lirinë fetare edhe për individin, jo vetëm për pushtetin. Secili mund të ishte i krishterë ose musliman, katolik ose ortodoks sipas zgjedhjes së vet dhe jo sipas hartës politike. Kjo do të vazhdojë kështu për disa shekuj, deri në vitin 1967, kur sërish besimi fetar shqiptarëve u imponua nga pushteti politik dhe u rikthye në një formë tjetër e konvertimit kolektiv të shqiptarëve, në këtë rast në fenë ateiste ose në besimin komunist. Se sa e rëndë ishte për një shoqëri konvertimi kolektiv sipas vullnetit të pushtetit politik, kjo u bë e qartë nga komunistët. Ishte një rikthim brutal dhe i dhunshëm në praktikat e mesjetës shqiptare, kur parimi cuius regio, eius religio (feja e pushtetarit duhet të jetë edhe feja e nënshtetasve të tij) kishte pështjelluar shoqërinë shqiptare vazhdimisht. Parimi i paracaktimit dhe përcaktimit të besimit përmes imponimit nga pushteti u rivendos pas shumë shekujsh në këto troje në periudhën e diktaturës politike komuniste, që gjithashtu u paraqit në realitet edhe si diktaturë fetare, ku atributet e Zotit iu mveshën partisë.

Konteksti social dhe kulturor i konvertimeve fetare

Konvertimet fetare nuk ishin thjesht çështje të imponimit nga jashtë, por shpesh ishin të ndikuara nga dinamikat e brendshme sociale dhe kulturore. Shqiptarët, të gjendur mes ndikimeve të ndryshme fetare dhe kulturore, zhvilluan një elasticitet të madh në lidhje me besimet e tyre fetare. Shqiptarët, të gjendur mes ndikimeve të ndryshme fetare dhe kulturore, zhvilluan një elasticitet të madh në lidhje me besimet e tyre fetare. Ky elasticitet nuk ishte thjesht një formë mbijetese ose një mënyrë për ta ruajtur kohezionin social dhe për t’i adaptuar praktikat fetare me nevojat dhe rrethanat e kohës, por para së gjithash ishte një përpjekje për të mos ia nënshtruar plotësisht zgjedhjen individuale, familjare apo klanore përcaktimit dhe vullnetit të pushtetit.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procesi i konvertimeve kolektive ishte shpesh një proces i ndërlikuar dhe jo i njëtrajtshëm. Shqiptarët nuk kalonin thjesht nga një besim në tjetrin, por shpesh përqafonin elemente të ndryshme të besimeve të ndryshme, duke krijuar një lloj sinkretizmi që ishte unik për rajonin. Ky sinkretizëm fetar ishte një pasqyrë e përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre në një mjedis të përhershëm ndryshimi dhe pasigurie.

Për pushtetin politik të një shteti islam, sikurse ishin osmanët, besimi i nënshtetasve nuk mund të ishte zgjedhje e pushtetit politik, por e individit dhe e familjes. Kjo është arsyeja që për herë të parë në histori konvertimi në besimin e pushtetit ose nuk ndodhte tërësisht ose ndodhte pjesërisht dhe me shumë ngadalësi. Konvertimet kolektive të një shoqërie si ajo shqiptare pushojnë së vepruari dhe shtrirja e pushtetit politik nuk është më e njëvlerëshme me shtrirjen e hapësirës fetare.

Është fakt i njohur tashmë se procesi i pranimit të fesë islame ndër shqiptarët e krishterë është zhvilluar gradualisht dhe shumë ngadalë, pikërisht sepse tashmë ishte krijuar hapësira dhe mundësia e përcaktimit individual fetar. Nëse në mesjetën e dominuar nga pushteti politik serb nuk mund të ekzistonte mundësia e pluralizmit fetar jo vetëm në rrafsh të ngushtë, por as në rrafsh vendbanimi, fisi, zone apo krahine, në periudhën pasmjesjetare dhe osmane pluralizmi fetar ishte normë dhe normalitet deri në atë shkallë, saqë deri edhe anëtarët e një familjeje ndodhte të kishin fe të ndryshme, pa shkuar më tej pastaj me rastin e fshatrave e mahallave që kishin jo vetëm besimtarë të feve të ndryshme, por edhe hapësirat e ushtrimit publik dhe kolektiv të fesë si kisha të riteve të ndryshme, xhamia, teqe e sinagoga.

Kjo më se miri mund të shihej nga Ligji i Dushanit, ku thuhet se katolicizmi është herezi latine. Nën presionin e shtetit serb, që kulminoi me kodin e Dushanit, nënshtetasit e besimit katolik duhej të ktheheshin në ritin pravosllav. Burimet mesjetare flasin qartë se në trevat e Shqipërisë mesjetare u zhvillua një luftë e ashpër mes kishës latine dhe asaj bizantine, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe politik dhe hapësinor. Rënia e Bizantit nën sundimin kolonial europian do të sjellë daljen në skenë dhe forcimin e shtetit mesjetar serb, që duke filluar nga ardhja në krye të tij e Stefan Nemanjës do të nisë pushtimin e trojeve të banuara etnikisht nga shqiptarët. Kjo do të rezultojë në një presion të madh asimilues, që do të sjellë pasoja për ngjizjen dhe formësimin e identitetit etnik shqiptar. Madje, nga fundi i shekullit XIII e deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dinamika asimiluese e shtetit serb ndaj shqiptarëve do të shndërrohet në dhunë të hapur dhe të sanksionuar edhe në një tërësi ligjesh e aktesh të mbretërve mesjetarë serbë, veçanërisht të Stefan Uroshit II (1282-1321) dhe Stefan Dushanit, të vetëshpallur perandor (1331-1355). Krijimi i kishës së pavarur serbe në vitin 1219, që më pas do të ketë si qendër Pejën, ishte një faktor më shumë në këtë process asimilimi të dhunshëm etnik e fetar. Dushani i pushtoi të gjitha trojet shqiptare deri në Vlorë, Janinë e Thesali. Kjo u shoqërua me konvertimin e dhunshëm në ritin pravosllav jo vetëm të ortodoksëve të ritit bizantin, por edhe të atyre që konsideroheshin si “heretikë”, pra të katolikëve dhe bogomilëve. Kjo u sanksionua edhe me ligj në kodin e njohur si Kodi i Stefan Dushanit. Dënimet për ata që nuk pranonin të konvertoheshin në ritin pravosllav ushtroheshin në krejt territoret e banuara nga shqiptarët dhe përfshinin masa të tilla si konfiskimin e pasurisë, shpërnguljen dhe dëbimin, prerjen e gjymtyrëve e deri në dënimin me vdekje. Dënimi për katolikët dhe bogomilët në rast se zbuloheshin se mbas konvertimit në ritin pravosllav kishin ushtruar ritin latin ose fenë bogumile, ishte që të damkoseshin me hekur të skuqur në fytyrë dhe të dëboheshin. I njëjti dënim u jepej edhe atyre që kishin dijeni për ta dhe nuk i kishin raportuar tek autoritetet. Natyrisht, asnjë ipeshkv katolik nuk guxonte të qëndronte në këtë shtet dhe të gjithë që nuk ishin detyruar të konvertohen kishin marrë arratinë dhe jetonin si refugjatë kryesisht në Dalmaci.

Në këto kushte, dukja e osmanëve në Ballkan dhe në hapësirat shqiptare u dha fund ping-pongut të konvertimeve kolektive të imponuara nga rezultatet e përballjeve politike. Në momentin e dukjes së osmanëve kjo përballje dukej e humbur përfundimisht për katolicizmin dhe ortodoksinë bizantine. Fitorja dukej se po u buzëqeshte serbëve me kishën e tyre të politizuar në shërbim të dominimit politik të shtetit ose principatave serbe. Aty ku vendosej dominimi politik serb, aty imponohej edhe konvertimi kolektiv dhe monopolizimi i besimit nga kisha pravosllave. Kishat e ritit bizantin dhe kishat katolike shndërroheshin në kisha pravosllave serbe dhe shqiptarët e besimit katolik detyroheshin përmes forcës të konvertoheshin në ritin pravosllav. Po ashtu edhe shqiptarët e besimit ortodoks të ritit bizantin ishin të detyruar të shkonin në kishat pravosllave. Dashje padashje, osmanët, duke e sfiduar dhe zhbërë shtetin dhe principatat serbe, e sfiduan dhe zhbënë edhe këtë veprimtari të ethshme konvertimi kolektiv të shqiptarëve në kishën pravosllave serbe.

/shenja/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit