9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

KOKAINA DIXHITALE: 10 ARSYE PËR T’I MBAJTUR FËMIJET TUAJ LARG EKRANEVE

Më të lexuarat

Unë besoj fort në një princip të fortë pa-ekran për fëmijët.

Pa TV. Pa iPhone. Pa iPad. Pa laptop.

Asnjë lloj ekrani, sidomos para moshës 2 vjeçare.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që prindërit “të vendosin një kufi të arsyeshëm për mediat argëtuese” dhe të mos i lejojnë aspak kohë para ekranit fëmijëve nën 2 vjeç. Megjithatë, pavarësisht këtyre rekomandimeve, sipas një studimi të vitit 2010 nga Fondacioni Familjar Henry J. Kaiser, fëmijët mes moshës 8 dhe 18 vjeç shpenzojnë rreth 7 orë e gjysmë në ditë duke përdorur media argëtuese.

Një sondazh kombëtar nga Fondacioni Familjar Kaiser zbuloi se me teknologjinë që lejon qasjen pothuajse 24-orëshe në media ndërsa fëmijët dhe adoleshentët kalojnë jetën e tyre të përditshme, sasia e kohës që të rinjtë kalojnë me mediat argëtuese është rritur në mënyrë dramatike, veçanërisht në mesin e të rinjve të pakicave. Sot, 8-18 vjeçarët i kushtojnë mesatarisht 7 orë e 38 minuta (7:38) përdorimit të mediave argëtuese gjatë një dite të zakonshme (më shumë se 53 orë në javë). Dhe për shkak se ata shpenzojnë aq shumë nga ajo kohë duke bërë “media multi-tasking” (duke përdorur më shumë se një medium në të njëjtën kohë), ata në fakt arrijnë të grumbullojnë gjithsej 10 orë e 45 minuta (10:45) përmbajtje mediatike në ato 7.

Kjo është kohë shumë e madhe e shpenzuar para një ekrani. Për këtë arsye, unë e di se në kohën e sotme, principi im pa-ekran mund të duket shumë i çuditshëm. Por unë jam në rregull me këtë (pjesërisht sepse – elhamdulilah, – si fëmijë, unë vetë jam rritur pa TV).

Ju mund të jeni duke u pyetur:

Mirë, por çfarë saktësisht është kaq e keqe për ekranet?

Prandaj, le ta hulumtojmë pikërisht atë.

  1. Zvogëlimi i kohës së vëmendjes

Ekranet ofrojnë imazhe ndezëse me ritëm të shpejtë, gjë e cila lidhet me kohë më të shkurtër të vëmendjes. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj imazheve të tilla ndezëse gërryen në mënyrë të vazhdueshme kohën e vëmendjes së fëmijëve.

Kësisoj, ne jemi dëshmitarë të rritjes së shifrave të fëmijëve të diagnoztifikuar me ADHD .

  1. Më pak lexim

Ekranet përfundojnë duke u bërë burimi kryesor i argëtimit, aq sa format më të qeta si leximi, vizatimi, shkrimi, enigmat, etj., bëhen të mërzitshme në krahasim me to.

Televizioni paraqet një ekstravaganzë emocionuese dritash dhe tingujsh. Librat janë thjesht të palëvizshëm. Pse të shqetësohet duke lexuar libër, kur ai kërkon që fëmija të përdorë imagjinatën e tij dhe të shpenzojë energjinë e tij mendore në mënyrë që të krijojë imazhe të historisë që lexohet në mendjen e tij, kur në vend të kësaj, fëmija thjesht mund të ulet duarkryq dhe të shikojë sesi imazhet që janë krijuar për të parakalojnë nëpër një ekran?

Kështu, leximi bëhet i mundimshëm dhe i vështirë në krahasim me të.

Shikimi i TV-së është punë shumë e lehtë, kurse të jesh aktiv i duket si detyrim.

  1. Kohë e humbur

Ekranet humbin shumë kohë.

Ka shumë mënyra më të mira, më të frytshme, më produktive dhe të dobishme për fëmijën që të kalojë vitet e çmuara të fëmijërisë së tij, në vend që thjesht të rrëzohet para një ekrani – edhe nëse është vetëm një ose dy orë në ditë.

Ajo kohë mund të shpenzohet shumë më mirë për të eksploruar, për të ndërtuar gjëra duke bashkuar pjesë, për të bërë aventura, për të folur ose për të luajtur me prindërit apo vëllezërit e motrat, për të lexuar ose shikuar fotot në një libër (nëse fëmija është shumë i vogël për të lexuar) dhe për të qenë jashtë.

  1. Më pak lojë në natyrë

Ekranet kanë zëvendësuar kryesisht kohën që duhet kaluar jashtë. Kjo është problematikë e madhe.

Në formë të ngadalshme, gjatë dekadave të fundit, ne jemi bërë vend i njerëzve më dembelë, dhe më pasivë, që kalojnë shumicën e kohës ulur. Ne kalojmë më shumë kohë brenda se sa jashtë, dhe me çdo brez të ri, ne kalojmë shumë më pak kohë jashtë se sa paraardhësit.

Përpara kësaj epoke moderne të mbushur me ekrane, në të cilën gjendemi tani, njerëzit kalonin një sasi të konsiderueshme të kohës jashtë dhe në natyrë, gjë që është vërtetuar se përmirëson gjendjen shpirtërore dhe shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor (nivele më të larta të vitaminës D, nivele më të ulëta të depresionit, etj).

Megjithatë, tani kalojmë një pjesë të madhe të kohës në ambiente të mbyllura, ulur në divane, duke parë ekranet. Kjo zhvendosje nga jashtë në ambiente të mbyllura ka ndikuar në shëndetin tonë kolektiv. Tani jemi më të sëmurë, më pak të shëndetshëm, me sistem imunitar më të dobët dhe trupa më të cenueshëm se njerëzit para nesh. Për fëmijët veçanërisht, qëndrimi jashtë është absolutisht kritik për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

Nëse Allahu jep leje, shpresoj t’i kushtoj disa artikuj të ardhshëm kësaj çështjeje specifike.

  1. Obeziteti

Vazhdimisht ka njoftime se jemi dëshmitarë të një epidemie kombëtare të obezitetit në Shtetet e Bashkuara dhe se obeziteti i fëmijërisë në mënyrë specifike është diçka që është në kulmin e të gjitha kohërave.

Sigurisht, llojet e ushqimeve që hamë kanë të bëjnë shumë me këtë fenomen, por gjithashtu ka të bëjë sasia e kohës që kalojmë ulur. Sa më aktiv të jetë një person, aq më mirë. Ekranet na detyrojnë të ulemi dhe të qëndrojmë ulur, gjë që më pas ngadalë formon zakon dhe preferencë për të qëndruar ulur për periudha të gjata kohore në vend që të lëvizim aktivisht.

  1. Varësia

Fëmijët (dhe të rriturit gjithashtu) në fakt mund të bëhen të varur nga pajisjet elektronike, të tilla si iPad-i, telefoni i mençur, televizori, etj.

Ata bëhen të varur nga këto pajisje dhe i përdorin ato si formën e tyre ekskluzive të argëtimit. Pa to, disa fëmijë çaraveshen tmerrësisht dhe mënyra e vetme për t’i qetësuar dhe për t’i bërë të zbuten është të dorëzohesh dhe t’ua japësh pajisjen. Tragjikisht kjo ndodh edhe me fëmijët 2 vjeç.

  1. Dobësimi i komunikimit

Në epokën tonë dixhitale, shumë njerëz po e zëvendësojnë komunikimin ballë për ballë me mesazhet me tekst dhe mediat sociale. Në vend që të kenë lidhje të jetës reale fizikisht, kontakt me sy dhe prekje fizike (për të cilat njerëzit kanë nevojë për zhvillim), fëmijët po mësohen të komunikojnë në një nivel më sipërfaqësor, thjesht përmes teksteve dhe mesazheve të shkruara.

Kjo pengon rritjen emocionale dhe aftësitë ndërpersonale.

  1. Përmbajtja e ndyrë

Kjo nuk do mend.

Sa më shumë të ekspozohet fëmija ndaj ekraneve, aq më shumë i konsumon programet kulturore të shoqërisë moderne perëndimore, e cila, natyrisht, është e hiperseksualizuar dhe e mbushur me përmbajtje seksuale, dhunë dhe gjuhë të neveritshme.

Si muslimanë, qoftë të rritur apo fëmijë, kjo është krejtësisht e kundërta e asaj që duam të shohim, dhe është dukshëm më keq për fëmijët.

  1. Më pak bindje ndaj prindërve

Ka dy arsye për këtë dëm:

E para është se në programet për fëmijë, duke përfshirë filmat vizatimorë, prindërit portretizohen si tërbuar të cilët nuk dinë asgjë dhe të cilët vazhdimisht munden nga zgjuarsia dhe mashtrimet e fëmijëve të tyre. Në shumë filma vizatimorë dhe programe për fëmijë, fëmijët sillen në mënyrë të ashpër dhe mosrespektuese ndaj prindërve të tyre idiotë.

Elementi i dytë për këtë është se kur fëmija është duke parë televizor dhe ju përpiqeni ta thërrisni atë pranë jush (për të ngrënë darkë, për t’ju ndihmuar me diçka, për t’i bërë detyrat e shtëpisë, e kështu me radhë), fëmija është shumë më i ngadalshëm për t’iu përgjigjur thirrjes tuaj. Ata janë shumë të zhytur në çfarëdo që është duke i shkëlqyer para syve nëpër ekran, që t’ju vënë veshin juve që e thirrni “për diçka të parëndësishme” emrin e tyre disa herë. Ju, si prind, jeni të detyruar të konkurroni me televizorin për vëmendjen e fëmijës suaj.

  1. Konsumerizmi

Televizionet – dhe tani edhe YouTube – varen jashtëzakonisht nga reklamat.

Kohë pas kohe, pas periudhave që zgjasin pak minuta, programi ndërpritet për t’i hapur rrugë një blloku reklamash, të cilat fëmijët tuaj do t’i shikojnë me vëmendje ashtu siç e shikojnë programin aktual. Kompanitë mbështeten në këtë audiencë të rrëmbyeshme për të ngjallur brenda tyre një dëshirë artificiale për konsumimin e produkteve të tyre, duke krijuar në mënyrë të pashmangshme të ardhura për bizneset e tyre.

Shmangia e ekraneve ju lejon t’i mbani fëmijët tuaj larg këtij parakalimi të pafund të produkteve dhe i shpëton ata nga futja e thellë në mentalitetin e konsumuesit, i cili na rrethon nga të gjitha anët.

__
Autore: Um Khalid
Burimi: The Muslim Skeptic
Përktheu: @dxheza
22 qershor 2023
Telegram: https://t.me/dxheza_chronicles

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit