3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

KFOR-i mbetet vigjilent për situatën në veri – qëndrimi i sekretarit të NATO-s, thirrja e SHBA-së dhe BE-së si dhe deklarata e kryeministrit Kurti

Më të lexuarat

Për shkak të zhvillimeve të fundit në vend, rrjedhimisht situatës në veri pas largimit të Listës serbe nga institucionet e Kosovës, sot kryeministri Albin Kurti do të mbajë një takim me krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Takimi i ftuar nga kryeministri do të mbahet të martën duke filluar nga ora 8:00.

E lidhur me situatën në veri një ditë më parë është deklaruar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një bisede që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me situatën aktuale në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg thotë se u ka kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara. NATO mbetet vigjilentë”.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje.

Një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe vënë në rrezik paparimin e rëndësishëm të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Edhe Bashkimi Evropian u bëri thirrje të hënën Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje, siç u tha, evropiane, për të zbutur tensionet në terren, pasi përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës braktisën institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një konferencë me gazetarë se ditëve të fundit është parë tensionim shumë i rrezikshëm i situatës, që mund të ketë pasoja serioze jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin.

Për situatën në veri, sërish dje është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai ka thënë se situata aktuale është një përpjekje e dobët e Beogradit për të zëvendësuar dialogun me destabilizimin.

“Jam dakord që nuk ka alternativë ndaj dialogut. Situata aktuale është një përpjekje e dobët e Beogradit për të zëvendësuar dialogun me destabilizimin. Ata do të dështojnë: Unë premtoj të punoj me NATO_KFOR për të garantuar siguri dhe sundim të ligjit, pa diskriminim në tërë Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takimin komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla falënderuan gjeneralmajorin Ristuccia për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht gjatë javëve të fundit, për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.

“Në këtë takim u bisedua për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit