Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për angazhimin siç tha konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Chollet në një postim në Twitter shkruan se dialogu Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.
“Telefonatë e mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkruan Chollet.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.
Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai. /Telegrafi/