Rezoluta bën thirrje për dënimin e sulmeve që vënë në shënjestër Kuranin dhe i përshkruan ato si “akte të urrejtjes fetare”
Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka dënuar sulmet e fundit ndaj Kuranit, pavarësisht votave të vendeve perëndimore kundër rezolutës, transmeton Anadolu.
Projekt-rezoluta u paraqit nga Pakistani në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), organizatës ndërqeveritare 57-anëtareshe prej të cilëve 48 janë vende me shumicë muslimane.
Rezoluta bën thirrje për dënimin e sulmeve që vënë në shënjestër Kuranin dhe i përshkruan ato si “akte të urrejtjes fetare”. Ajo u vu në votim nga këshilli 47-anëtarësh.
Në seancën e 53-të të rregullt të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut rezoluta u mbështet nga 28 vende, ndërsa 12 vende votuan kundër dhe shtatë abstenuan.
Vendet që votuan në favor të rezolutës përfshinin Algjerinë, Argjentinën, Bangladeshin, Bolivinë, Kamerunin, Kinën, Bregun e Fildishtë, Kubën, Eritrenë, Gabonin, Gambinë, Indinë, Kazakistanin, Kirgistanin, Malavinë, Malajzinë, Maldivet, Marokun, Pakistanin, Katarin, Senegalin, Solaminë, Afrikën e Jugut, Sudanin, Ukrainën, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistanin dhe Vietnamin.
Kundër rezolutës votuan Belgjika, Kosta Rika, Republika Çeke, Finlanda, Franca, Gjermania, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Rumania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.
Türkiye nuk ka të drejtë vote, pasi ka statusin e vëzhguesit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po ashtu kundërshtuan dënimin e djegies së Kuranit edhe dje gjatë një debati urgjent në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbi numrin në rritje të sulmeve kundër librit të shenjtë musliman.