Sipas transmetimeve, pamja e jashtme e Profetit të profetëve përshkruhet me këto fjalë: Ai kishte një trup të madh, i cili i jepte Atij një pamje madhështore. Gjymtyrët e trupit i kishte në raporte të ekuilibruara, pra krejt të natyrshme edhe në lidhjen që kishin me njëra-tjetrën. Fytyra i ndriçonte, seç kishte një vezullim të veçantë, sikur hëna e plotë. Ashtu siç nuk e kishte fytyrën të shëndoshë, as i rrumbullakët e topolak nuk ishte. Vetëm në fytyrë i dallohej një rrumbullakësi e lehtë. Ajo ishte fytyra më e buzëqeshur ndër të gjithë njerëzit. Trupi i Tij kishte një veçori që nuk bënte asnjëherë hije pas vetes. Edhe kur qëndronte përballë diellit, vezullimi i fytyrës së tij e mposhtte dritën e diellit. Kur kënaqej Krenaria e Njerëzimit, fytyra i shkëlqente sikur të ishte një copë prej hënës. Kësisoj kuptohej nëse ishte apo jo i gëzuar.
Nuk ishte tejet i gjatë, pak më i gjatë se një trup mesatar. Ndërsa ecte, dukej një njeri me trup të mesëm. Kur i afrohej pranë ndokush që ishte më i gjatë në trup, trupi i tij të krijonte përshtypjen se tjetri ishte më i gjatë sesa Ai. Shpatullat i kishte të larguara nga njëra-tjetra. Vendet e kyçeve dhe shpinën i kishte pak sa të fryra. Jeleku që vishte, kur i binte poshtë shpatullave, ngjante njësoj si një mbulojë e argjendtë e derdhur mbi një kallëp të gatshëm. Mes dy kockave të shpatullave, pak më sipër asaj të majtës gjendej vula e profetësisë, e cila ngjante paksa me gjysmëhënën, paksa me vezët e pëllumbit, në një ngjyrë me lëkurën, e që rrinte në formën e një grushti.
Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte një gjoks të gjerë, i cili ishte në të njëjtën vijë me barkun. Nuk kishte bark të madh. Edhe shpinën, nuk e kishte as të mbushur, as shumë të dobët. Në bark kishte tri pjesë si ndarje të lakuara. Nga sipër gjoksit deri në fund të barkut kishte një si vijë të hollë qimesh. Nuk kishte të tjera të tilla, as në pjesë të tjera të gjoksit, as të barkut. Kishte, por më pak, edhe mbi supe apo mbi pjesët pak më sipër zemrës.
Gishtat e Resulullahut (s.a.s) ishin të gjatë dhe të hollë si shufra argjendi, me maja paksa të trasha, pëllëmbë të fryrë, ndërsa kockat, si të duarve, ashtu edhe të këmbëve, i kishte krejtësisht të drejta. Me poshtësupe të mbushura, kocka krahësh të gjatë dhe kyçe të fryra mbi kockë.
Këmbët i kishte të mëdha. Thembrat vetëm fare pak të mishta. Nënkëmba ishte gropë, kurse pjesa e sipërme e butë dhe jashtëzakonisht e drejtë.
Koka e Profetit të Universit ishte jo e vogël, me flokët as të drejta e as me kaçurrela; diçka midis të dyjave, i dallgëzuar… Flokët i zbrisnin deri në mes të veshëve, e nganjëherë i kishte më të gjatë, aq sa i kalonin mes dy veshëve deri poshtë, duke u derdhur mbi shpatulla. Nganjëherë e ndante atë në mes, me balluket të lëshuara që i zbritnin deri fare pranë syve. Ndodhte që edhe t’i thurte flokët plot katër herë. Dy syresh i kalonte mbi veshin e djathtë, e dy të tjera mbi veshin e majtë. Veshët, që i dalloheshin pas flokëve të zinj, të kujtonin yjet e vegjël e vezullues. Kur e krihte me krehër, floku i bëhej vija-vija, njësoj si rrathët e formuar mbi rërën e shkretëtirës prej erës, apo valët e formuara mbi sipërfaqen e një uji kur hedhim diçka mbi të. Ngjyra e tyre ishte një e zezë e errët. Krenaria e Njerëzimit kishte një ballë të hapur e të gjerë, me një lëkurë të lëmuar dhe pa as më të voglën shenjë vrazhdësie. .
Me vetullat të holla, të cilat i ktheheshin drejt cepave të syve, herë-herë të dukej sikur ato i bashkoheshin me njëra-tjetrën, e sikur nuk ishin të ndara. Në mes vetullave kishte një damar, i cili i fryhej sa herë që i duhej t’i mrrolte vetullat kur mund të ndodhte që të nxehej nga ndonjë gjë e pahijshme. Balli, kur i dukej më i hapur prej ballukeve, apo kur dilte përballë njerëzve në mbrëmje, i shndriste dhe vezullonte porsi një pishtar i ndezur.
E zeza e syve ishte plotësisht e zezë, ndërsa e bardha e bardhë dëborë; një e bardhë si të ish e përzier me të kuqen. Sytë i kishte të mëdhenj. Qerpikët të gjatë dhe të lakuar. Sytë e tij shikonin edhe ç’kishte pas, po ashtu siç shikonin çfarë gjendej përpara.
Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi Të) kishte dëgjim të plotë. Nganjëherë shikonte edhe ato çfarë të tjerët nuk i shihnin dot, e dëgjonte ato çfarë ata nuk kishin mundësi që t’i dëgjonin.
Hunda e Profetit të mbarë njerëzimit (alejhis’salatu ues’selam) ishte e gjatë, me mesin paksa të ngritur, majën të hollë, elegante dhe të drejtë. Kush e shihte për herë të parë, mendonte se e kishte hundën më të lartë dhe më të lakuar sesa një hundë e zakonshme. Faqet nuk i kishte të fryra, por as të zbrazëta. I kishte të drejta. Me pak tul, por me një lëkurë të lëmuar.
Goja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ishte e madhe, e gjerë aq saç duhet të jetë për t’u cilësuar elegante. Ajo bënte që dhëmbët e përparmë të ishin të dukshëm, të bardhë si kristal dhe të mprehtë. Dhëmbët e Tij të dukeshin sikur të ishin disa kokrra breshëri të rreshtuara me rregull njëra pas tjetrës. Kur fliste, dhe ti ishe duke e dëgjuar, dukej sikur nga goja nuk i derdheshin fjalë, por një nur i ëmbël. E po ashtu njomështia e gojës së Tij ishte një tjetër çështje mrekullie apo dhurate e mirësisë hyjnore. Ajo erëmonte përherë një aromë të këndshme. Njëherë patën hedhur pak prej njomështisë së gojës së Tij mbi grykën e një pusi dhe uji i tij pati filluar të mbante një erë të mirë. Pikërisht me këtë pështymë ia pati fërkuar trupin e mbushur me puçrra Utbe ibni Ferkadit, i cili megjithëse nuk qe lyer me kurrfarë erëmire, mbartte një aromë tejet të këndshme. Edhe pusi që gjendej në shtëpinë e Enes ibni Malikut (radijallahu anhu) qe kthyer në depozitën e ujit më të ëmbël në mbarë Medinën.
Ai e kishte fytyrën me një mjekër të dendur, të shpeshtë dhe të madhe Pjesën mes buzës së poshtme dhe mjekrës e kishte të hapur. Rreth e qark saj dalloheshin dy-tri fije të zbardhura, me një të bardhë si prej kristali. Edhe në flokë apo mjekrën në tërësi, veç tri-katër fije mund t’i dalloheshin si të thinjura. Nuk i pati lyer asnjëherë, as flokët, as mjekrën. Por edhe flokët nuk iu thinjën asnjëherë tërësisht. Allahu nuk ia zbardhi flokët, nuk deshi që ta tregonte të moshuar. Ato pak qime të thinjura të mjekrës rrinin aty pak më sipër fundit të mjekrës.
Lëkurën e kishte më se të lëmuar. Më e lëmuar edhe se mëndafshi. Me një erëmim më të ëmbël edhe se vetë aroma e miskut e amberit. Trupi i Krenarisë së Gjithësisë djersiste mjaft shpesh. Ummu Sulejmi ia mblidhte ndonjëherë djersën nëpër shishe të vockla, që më pas, duke i hedhur nëpër shishkat e aromave të mira, t’i bënte ato që mbanin erë akoma më të këndshme dhe me to bënte parfume. Daç të hidheshin ato parfume, daç të mos hidheshin, dora e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të lëshonte përherë një erë shumë të mirë; edhe dora e atij që shtrëngonte dorë me të gjatë ditës, mbante aromë gjer në mbrëmje.
Profeti ynë (s.a.s.) ecte shumë shpejt; sikur toka të përkulej për t’iu përshtatur këmbëve të Tij, që Ai të ecte sa më lehtësisht. Kushdo që rendte pas Tij e kishte të pamundur që ta arrinte. Nuk kishte hije pas Tij, as ditës për diell, e as natës për hënë. I qe pranuar menjëherë lutja që i pati bërë Allahut (xh.sh.): “O Zot, bëmë mua dritë!”
Krenaria e Njerëzisë kishte një zë kumbues, me një ton aq të ëmbël. Sahabët tregonin shpesh: “Na foli në Mina, dhe na bëri që të na hapeshin veshët. Madje ne arrinim t’ia dëgjonim zërin edhe që nga shtëpia.” Ndonjëherë ndodhte që nga çardakët e shtëpive të Medinës të vinte zëri i ëmbël i Profetit fisnik teksa fliste në Faltoren Profetike. Ai ishte folësi më i qartë i gjuhës në mbarë arabët.
Shkëputur nga libri “Jeta e Sahabëve 1”
- Jusuf Kandehleui
Botim i KMSH