0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kapitulli i katërt: Ashpërsia ndaj atyre që gënjejnë qëllimisht ndaj Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem

Më të lexuarat

8Hadithi numër 30

Transmetohet nga Abdullah ibën Mes’udi radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Sahih-Mutevatir, Ibën Maxheh nr. 30,) shiko “Es-Sahiha” (1383).

Hadithi numër 31

Transmetohet nga Aliu radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Mos gënjeni ndaj meje sepse gënjeshtra ndaj meje ju fut në zjarr.”

Buhariu (106), Muslimi (2).

Hadithi numër 32

Transmetohet nga Enes ibën Maliku se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kush gënjen ndaj meje (Enesi thotë: Mendoj se ka thënë “me qëllim”), le ta përgatitë vendin e tij nga zjarri.”

Sahih, Tirmidhiu (2661).

Hadithi numër 33

Transmetohet nga Xhabiri radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Sahih, shiko “Tuhfetul-eshraf” (2993).

Hadithi numër 34

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kush thotë diçka ndaj meje që nuk e kam thënë, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Sahih, shiko “Tuhfetul-eshraf” (15089).

Hadithi numër 35

Transmetohet nga Ebu Katade radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem mbi këtë minber: “Kini kujdes nga transmetimi i haditheve nga unë! Ai që flet për mua le të thotë të drejtën dhe të vërtetën, sepse ai që thotë diçka për mua që nuk e kam thënë, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Sahih, shiko “Es-Sahiha” (1753).

Hadithi numër 36

Transmetohet nga Abdullah ibën Zubejri t’i ketë thënë babait të tij, Zubejrit radijallahu anhuma: “Ç’është me ty, nuk të dëgjoj të transmetosh nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem siç dëgjoj ibën Mes’udin, filanin e filanin?!” (Zubejri) I tha: “Unë nuk jam ndarë nga i Dërguari qysh kur jam bërë musliman, mirëpo unë kam dëgjuar nga ai një fjalë: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Buhariu (107)

Hadithi numër 37

Transmetohet nga Ebu Seidi radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, le t’ia përgatitë vetes vendin nga zjarri.”

Sahih, shiko “Tuhfetul-eshraf” (4254).

Çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me këto hadithe

E para

Gënjeshtër mund t’i thuhet çdo gjëje që është e kundërta e realitetit, qoftë ajo me qëllim apo pa qëllim. Mirëpo gënjeshtra me qëllim dhe paramendim është më e rëndë dhe dënimi i saj është shumë më i madh, për këtë arsye edhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka precizuar: “Kush gënjen ndaj meje me qëllim…”. Ndërsa gënjeshtra pa qëllim, të cilin ne e njohim si gabim, është më e lehtë, edhe pse dëmet janë të mëdha si me qëllim si pa qëllim, por në të dytën faji mbi personin është më i lehtë dhe më i arsyeshëm. Mirëpo këtu duhet të ndalemi pak. Ky arsyetim vlen për njerëzit që e meritojnë të transmetojnë fjalët e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe t’ua mësojnë njerëzve fenë e jo për këdo që dëshiron të tregojë hadithe nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Për këtë arsye them se personi që nuk ka kujdes se çfarë flet për të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe transmeton nga ai çdo gjë që dëgjon nga të tjerët mund të përfshihet nga kërcënimi i këtij hadithi.

E dyta

Në këto hadithe kemi një mrekulli nga mrekullitë e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pasi ai paralajmëron se gënjeshtra ndaj tij do të përhapet pas vdekjes së tij. Dhe kështu ndodhi. Gjenerata e sahabëve ishte gjenerata më e ndritur dhe më e pastër e njerëzimit, zemrat e tyre ishin më të sinqertat dhe më të kulluarat nga çdo thërrmije dyfytyrësie dhe gënjeshtre, ata nuk e dinin se ç’ishte gënjeshtra, i besonin njëri-tjetrit menjëherë sepse nuk kishin dëgjuar më herët të gënjente ndokush, mirëpo me kalimin e kohës, kur Islami filloi të përhapej, kur drejtësia e Islamit filloi të gjente vendin që meritonte, atëherë armiqtë e Islamit, të shtyrë nga urrejtja ndaj Islamit nisën të përdornin të gjitha metodat e mundshme vetëm e vetëm për ta shkatërruar Islamin.

Së pari ata i përçanë muslimanët duke shpikur grupime në mesin e muslimanëve, si p.sh. havarixhët, mu’tezilitët, shiat, kaderitë, murxhiet e shumë grupime të tjera. Ky ishte shkatërrimi nga brenda, ndërsa për luftën kundër Islamit nga jashtë nuk kemi pse të zgjatemi, pasi ishte tradita e jobesimtarëve që nga fillimi i Islamit e deri në ditët e sotme; ata duan që Islami të jetë kurban i të gjithë atyre që nuk janë muslimanë.

Kur këto grupime u përçanë mes tyre, atëherë secili grup mundohej që mendimet dhe predikimin e vet ta mbështeste sa më shumë në ajete kur’anore dhe hadithe, sidomos në hadithe. E, kur nuk gjenin hadithe të sakta, ata detyroheshin edhe të shpiknin hadithe të ndryshme vetëm për të mbrojtur drejtimin e tyre. Këto janë fillet e para të gënjeshtrës ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Këto gjëra filluan më saktësisht me vrasjen e kalifit të tretë, Othmanit radijallahu anhu, siç tregon edhe fjala e Muhamed ibën Sirinit, Allahu e mëshiroftë: “(Më parë) Nuk pyetnin për zinxhirin e transmetuesve (isnadin), por kur ndodhi fitneja- vrasja e Othmanit radijallahu anhu- atëherë thanë: “Na tregoni emrat e transmetuesve”. Atëherë shikohet: nëse janë nga Ehli Sunneti, merret hadithi i tyre, por nëse janë nga pasuesit e bidateve, nuk merret.”

E treta

Shkaqet e shpikjes së haditheve

Në vijim do të përmendim shkurtimisht shkaqet kryesore që çuan në shpikjen e haditheve ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

1. Dallimet politike: Ata që kanë gënjyer dhe ende gënjejnë më shumë ndaj fesë e posaçërisht ndaj haditheve të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem janë rafiditët, ose shiat. Imam Shafiu thotë: “Nuk kam parë nga pasuesit e bidateve që e dëshmojnë më shumë gënjeshtrën sesa rafiditët.”

Përballë tyre qëndrojnë pasuesit e Muaviut radijallahu anhu, të cilët mundohen ta mbrojnë Muaviun dhe pasardhësit e tij. Ja një shembull hadithi i shpikur: “Besnikët janë tre, unë, Xhibrili dhe Muaviu.” Edhe pasuesit e abasidëve vepruan të njëjtën gjë. Sa u përket havarixhëve, mund të thuhet se janë grupimi i vetëm në Islam që nuk ka përdorur gënjeshtrën në hadith, për shkak se ata gënjeshtrën e shohin si kufër, mosbesim, dalje nga feja.

2. Kufri (mosbesimi): Nga shkaqet e shpikjes së haditheve është edhe urrejtja ndaj Islamit si fe dhe si shtet. Armiqtë e Islamit shpikën shumë hadithe me kuptime të ulëta dhe të palogjikshme, të pakapshme për mendjen, me qëllim që ta pasqyronin gabimisht Islamin dhe ta njollosnin atë

3. Fanatizmi ndaj racës, fisit, gjuhës, vendit dhe imamit: Si shembull për fanatizmin ndaj imamit mund të japim hadithin që kanë shpikur fanatikët për Ebu Hanifen, Allahu e mëshiroftë: “Do të jetë një njeri në ummetin tim, e quajnë Ebu Hanife en-Nu’man. Ai është ndriçimi i ummetit tim”, ndërsa kundër Shafiut shpikën këtë hadith: “Do të jetë një njeri në ummetin tim, e quajnë Muhamed ibën Idris. Ai është më i dëmshëm për ummetin tim se Iblisi.” Allahu na ruajttë nga fanatizmi ndaj personave të caktuar, pasi është e qartë deri ku ka arritur fanatizmi i tyre, duke fyer edhe imamët më të mëdhenj të Islamit.

4. Tregimet dhe vaizi (këshillimi): Shumë njerëz që morën përsipër këshillimin e masës nuk posedonin as diturinë as devotshmërinë, gjëja që u interesonte ishte të tregonin diçka për ta bërë masën të qante. Kështu ata shpiknin lloj-lloj tregimesh e ngjarjesh e pastaj ia adresonin të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

5. Mospajtimet në fikh dhe akide.

6. Injoranca në fe dhe dëshira e madhe për punë të mira: Disa njerëz e kuptuan se hadithi “Kush gënjen ndaj meje me qëllim, le ta përgatitë vendin e tij në zjarr” ka për qëllim ata që gënjejnë kundër të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe se këtu nuk hyjnë ata që gënjejnë për të mirën e të Dërguarin. Ata kështu i dhanë vetes lirinë që të shpikin hadithe që tregojnë për vlerat e veprave të caktuara, si leximi i Kur’anit dhe adhurime të tjera.

7. Afrimi te mbretërit dhe udhëheqësit duke u transmetuar atyre hadithe të shpikura që binin në ujdi me qejfet e tyre.

Këto ishin disa nga shkaqet e shpikjes së haditheve të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Shoh se u mbetem borxh lexuesve që të tregoj për mundin që dhanë dijetarët islamë në mbrojtjen e hadithit të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, por për shkak të pamundësisë për t’u zgjeruar më shumë, me emrin e Zotit, në ndonjë numër tjetër të revistës do të shkruaj rreth kësaj.

Lutja e jonë e fundit është se falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Pӫrgatiti: Mr. Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit