10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kancelari gjerman këmbëngul se mbështetja ushtarake për Ukrainën është e nevojshme për paqen

Më të lexuarat

“Lufta e agresionit rus po vazhdon. Ata po rekrutojnë trupa të reja dhe po i dërgojnë në front”, tha Scholz, duke shtuar se nuk mund të flitet për negociata në këto kushte

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka shprehur skepticizëm për bisedimet e propozuara të paqes me Rusinë dhe është zotuar për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Ukrainën, raporton Anadolu.

“Lufta e agresionit rus po vazhdon. Ata po rekrutojnë trupa të reja dhe po i dërgojnë në front”, tha Scholz në një konferencë për media në Berlin, duke shtuar se nuk mund të flitet për negociata në këto kushte.

Komentet e kancelarit gjerman erdhën gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit me kryeministrin e Butanit, Lotay Tshering, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me propozimin e fundit të diplomatit veteran gjerman, Wolfgang Ischinger, për nisjen e një iniciative të paqes për t’i dhënë fund luftës.

“Ukraina është gati për paqe, por sigurisht që nuk mund të jetë një paqe e diktuar. Nuk mund të negociosh kur dikush të drejton armën në kokë. Por kjo është ajo që presidenti rus ende synon ta bëjë”, tha Scholz.

Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, për një luftë mizore kundër Ukrainës që rezultoi në vdekjen e mijëra civilëve dhe ushtarëve.

“Në Rusi, po ashtu, shumë nëna dhe baballarë vajtojnë për fëmijët e tyre që vdiqën për këtë luftë katastrofike, për planet imperialiste të presidentit rus”, tha ai.

Kancelari gjerman theksoi se Gjermania do të vazhdojë të ofrojë mbështetje ushtarake për Ukrainën së bashku me aleatët e tjerë.

Ischinger bën thirrje për procesin e paqes

Sot më herët, Ichinger, ish-kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, paralajmëroi se nuk mund t’i jepet fund luftës duke ofruar mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve diplomatike për një zgjidhje paqësore.

“Ne duhet të fillojmë një proces për të gjetur një zgjidhje paqësore për Ukrainën. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë tani”, shkroi ai në një artikull për gazetën ‘Tagesspiegel’.

Ai po ashtu propozoi ngritjen e një “grupi kontakti politiko-strategjik” midis vendeve që mund të kontribuojnë në një zgjidhje paqësore.

Ischinger tha se ky grup duhet të shqyrtojë elementet e një plani të mundshëm të paqes, të zhvillojë strategji negociuese dhe të përgatisë projekt-tekste në koordinim me autoritetet ukrainase.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit