-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kampet e përqendrimit në Evropën e shekullit XXI-të

Më të lexuarat

Çfarë ndodh në qendrat e përdorura nga vendet e BE-së për të ngadalësuar migrimin e paligjshëm

Nga Nicole Corritore, Balcani Caucaso

Xhanfranko Skiavone, studiues i migracionit, ish-anëtar i bordit të ASGI – Shoqata për Studime Ligjore mbi Migracionin, është aktualisht drejtues i ICS – Italian Solidarity Consortium – një organizatë jofitimprurëse në ndihmë të refugjatëve me qendër në Trieste, Njëherazi ai është një nga 21 autorët e librit “Kampet e izolimit në Evropën e shekullit XXI-të”.

Cila është tema në qendër të këtij libri, që merr në analizë vendet jo vetëm të se ashtuquajturës “Rruga Ballkanike” që ndjekin emigrantët, por edhe vende si Libia, Polonia, vendet baltike dhe Italia?

Ai fokusohet tek një pyetje e sikletshme: ku përfundojnë njerëzit që refuzohen ilegalisht në kufijtë e Bashkimit Evropian, apo që nuk arrijnë fare në këta kufij, pasi mbeten të bllokuar tek vende të treta për shkak të politikave kufitare?

Politika e paskrupullt që ka ndjekur BE-ja vitet e fundit, mund të përmblidhet me pak fjalë:mbështetje nëpërmjet fondeve të shumta, trajnimit të personelit policor, furnizimit me automjete, ndonjëherë edhe ushtarake dhe pajisje gjurmuese për vendet e treta, shkon thuajse gjithmonë një sistem që nuk është tamam demokratik apo edhe në vende plotësisht diktatoriale.

Pra BE-ja financon vendet jashtë unionit, për të ndjekur politika që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe atë evropian?

Ai u siguron qeverive të vendeve të treta mjete financiare dhe logjistike për të bërë “punën e pistë”, që autoritetet evropiane nuk mund ta bëjnë dot në territorin e tyre. Ose më saktë atë që nuk mund të bëjnë më, pas vendimit të njohur të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut “Hirsi Jamaa dhe të tjerët kundër Italisë” të vitit 2012, dhe që ka të bëjë me rastin e dëbimeve të Marinës Italiane drejt Libisë në vitin 2009.

 Në libër ju flisni për kampet e “izolimit” por edhe për ndalimin e paligjshëm të emigrantëve. Për shembull, në mediat italiane bëri bujë rasti i kampit të Lipas në Bosnje Hercegovinë, ku një zjarr i rënë la në mëshirë të fatit dhe në mesin e dëborës dhjetëra refugjatë…

Po, ka kampe izolimi, por që në disa raste janë si një qendra të vërteta të paraburgimit, si brenda BE-së ashtu edhe jashtë saj. Nga një analiza e thelluar, u zbulua se modeli i “kampit të izolimit”, i cili praktikohet kryesisht në vendet e treta, ka nisur të kopjohet edhe nga disa vende evropiane.

Sidomos në vendet që janë si kufijtë e jashtëm të BE-së, ku ka pak traditë të menaxhimit të azilantëve dhe ku politika kombëtare është jashtëzakonisht agresive. Prandaj ne raportuam për shembull, rastet e Greqisë dhe vendeve baltike. Por fokusi mbetet tek vendet e treta, si Bosnje Hercegovina, ku po ndiqen tërësisht politika të tilla.

Çfarë karakteristikash kanë ato që ju në libër i përcaktoni si kampe izolimi?

Janë vende përgjithësisht të mëdha në përmasa, të izoluara, të mbyllura nga jashtë, ku njerëzit që jetojnë atje nuk mund të prodhojnë asnjë formë iniciative dhe përfshirjeje të rëndësishme shoqërore, edhe për shkak të largësisë nga çdo zonë e banuar.

Për shembull, kampi i Lipas është 30 km nga qyteti më i afërt, në një zonë të shkretë pa lidhje infrastrukturore, dhe kjo përfaqëson një nga tiparet më të dukshme të një kampi izolimi. Pra fjala është për një vend në dukje të hapur, në kuptimin që “mysafirët” mund të largohen, por ku mund të shkojnë?

Prandaj ndonjëherë izolimi shoqërohet me masa që e kufizojnë lirinë personale. Qëllimi është që emigrantët të jetojnë atje të mbijetojnë, por të pengohen me çdo formë që ta vazhdojnë udhëtimin e tyre. Është një fenomen shumë i përhapur, që ka lidhje me dy kontinente, Azinë dhe Afrikën, dhe me dhjetëra vendeve të treta në kufijtë e BE-së.

Dhe për sa i përket strukturës dhe kushteve të mjerueshme në të cilat jetojnë miliona njerëz, këto janë padyshim kampe përqendrimi në natyrën e tyre. Në libër, ne jemi treguar shumë të kujdesshëm që kjo tipologji e re kampesh, që duket se po dominon në shekullin XXI-të, të mos ngatërrohet me lloje të tjera kampesh shumë më dramatike që diktuan historinë tragjike të shekullit XX-të.

Prandaj në tekst, nuk është bërë asnjë ndryshim konceptual, por as nuk është nënvlerësuar rëndësia e madhe e kësaj tipologjie të re kampesh, e cila duket se po e karakterizon dekadën e dytë të shekullit XXI-të, ku të drejtat themelore të njerëzve, që u fituan në pjesën e dytë të shekullit XX-të, duket se sot janë në regres.

Pra, le të flasim pak për shkeljet e të drejtave themelore…

Ndonjëherë këto kampe, shërbejnë si vende për të parandaluar ose penguar procedurën e aplikimit për azil. Herë të tjera, qasja tek mbrojtja ligjore është e pamundur. Për shembull si në rastin e Libisë, ku nuk mund të kërkohet azil.

Këto kampe janë në praktikë vende ku jeta e njerëzve është pezull, ku ata nuk kanë të drejtë të marrin mbrojtjen ligjore të vendeve në të cilat gjenden, dhe nuk kanë mundësi të ndjekin një rrugë reale të integrimit social. Me pak fjalë:njerëzit që nuk mund të kthehen pas, atyre as nuk u lejohet të vazhdojnë përpara, dhe në fakt nuk mund të qëndrojnë as në kamp, pasi jetojnë në kushte që do të çmendnin çdo qenie njerëzore.

Në libër ju flisni edhe për dëbime të paligjshme. Ku po ndodhin ato? A kanë filluar sërish të ashtuquajturat “ri-pranime jozyrtare” në kufijtë mes Italisë dhe Sllovenisë?

Përgjatë rrugës ballkanike, dëbimet pa një procedurë të rregullt ligjore vazhdojnë dhe janë në rritje, sidomos në disa zona, si në kufijtë bullgarë apo në kufirin midis Bosnjës dhe Kroacisë. Mjerisht në rritje është edhe dhuna brutale. Asnjë ri-pranim aktiv i azilkërkuesve nuk ka ndodhur në kufirin italo-slloven pas dy urdhrave të Gjykatës së Romës, në janar 2021 dhe maj 2023 , të cilat e dënonin Italinë për shkeljet e shumta të ligjit ndërkombëtar, evropian dhe atij kombëtar.

Rivendosja e kontrolleve të kufijve të brendshëm dhe pezullimi i lëvizjes së lirë të parashikuar nga rregullorja e Shengenit, shkakton ende shqetësim. Në aspektin ligjor nuk duhet të ketë ndikim tek e drejta e njerëzve për të aplikuar për azil. Por në realitet është përdorur për jo pak dëbime, duke i shkelur ligjet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit