Nga: Dr Selman Aude
Kallëpe
E kisha fjetur mendjen se ylli i tij tashmë është shuar, jo për ndonjë fakt konkret, aq sa për vetë faktin se distanca mes nesh ishte e largët dhe komunikimi me të i pamundur. Por, që në takimin e parë me të, ndryshova mendim. Atij nuk i shqitej buzëqeshja nga fytyra, i dëlirë, motivues, plot gjallëri. Mbante me vete tre telefona celularë, dikujt i përgjigjej verbalist dhe dikujt tjetër me mesazhe, i zhytur në punë duke shkruar një artikull. Herë pas here më kërkonte ndjesë se duhej ta përfundojë sa më shpejt, ndërkohë që etika i kërkonte të angazhohej me mua. Kur më në fund u çlirua nga përgjegjësitë dhe u angazhua vetëm me mua, ndjeva që arritjet e tij ishin goxha të konsiderueshme.
Sapo kishte përfunduar ligjëratën nga një konferencë, ishte rrugës për të marrë pjesë në një seminar shkencor, në darkë do të kthehej në shtëpi për një mbrëmje të shkurtër me familjen, mandej do të nisej në një udhëtim të gjatë, ku do të mbante disa kumtesa dhe së fundmi, do të regjistronte një program televiziv me njëqind seri.
Lidhur me librat e botuar, ishin një seri librash, tirazhi i të cilëve e kalonte shifrën një milionë kopje. Kjo, për librat që shiten, sakaq ata që botohen dhe shpërndahen falas është hesap tjetër.
Faqja e tij elektronik gëlonte nga rubrikat e shumta, studime, programe, komunikim me publikun, këshillime etj…
Asokohe kuptova që jeta është plot me njerëz që kanë rendiment, njerëz gjenialë dhe kreativë, njerëz me influencë në në shumë sfera të jetës. Kuptova se rrethi i kësaj shtresa është elastik dhe mund të zgjerohet pafund, për këdo që orvatet dhe dëshiron të bëhet pjesë e tij. Kushdo që vjen në ekzistencë, ka një vend dhe status të caktuar, të cilin e arrin me mund, djersë, durim dhe shfrytëzim të dhuntive personale, sigurisht, pas suksesit që i jep Zoti.
Jeta për të suksesshmit është si parajsa, me dyer të shumta, hapësirë pafund dhe në pritje të delegatëve të rinj, të motivuar drejt lartësive, sa herë që zhyten në detin e arritjeve dhe suksesit.
Sakaq, për dështakët, jeta është si një zjarr që i përvëlon, i torturon dhe në pritje të tjerëve.
Shoh që njeriu e ka të nevojshme ndjesinë e arritjes, influencës dhe suksesit, për të vazhduar linjën e tij. Është Dhuruesi fuqiplotë Ai që e motivon robin me forma nga më të ndryshmet, për të vazhduar në linjën e kontributit. E si mund të ndalemi dhe të heqim dorë, ndërkohë që i shohim frytet në duart tona dhe pas nesh? Si të heqim dorë kur shohim zellin e njerëzve, dëgjojmë vlerësimet dhe lëvdatat e tyre, prekim me dorë ndikimin dhe ndërveprimin e tyre?
Kur zhytem në punët e mia dhe i injoroj të tjerët, mendoj se ata digjen nga brenda, se u janë aktivizuar faktorët e xhelozisë dhe konkurrencës.
Për të tjerët them se u fishkën, vdiqën, u vranë dhe u mbyll çështja e tyre. I tillë është ligji i jetës. Çdo gjëje që Zoti i ka dhënë vlera nga njëra anë, e ka nënvlerësuar nga ana tjetër!
Ndërkohë që veten time e përjashtoj nga ky ligj, hamendësoj se i gjithë njerëzimi fishket dhe vdes për të më hapur rrugën mua!
Përse e kërkoj vdekjen e njerëzve akoma pa u ardhur afati? A nuk ka thënë Zoti se:”Çdo popull ka exhelin e vet (afatin)”. (Araf, 34) “Zoti nuk ia shtyn askujt afatin kur i vjen”. (Munafikun, 11) Atëherë përse nxitoj për ti groposur njerëzit të gjallë, para se japin frymën e tyre të fundit?! Po, Profeti a.s na këshillon që ta shpejtojmë varrosjen e të vdekurit, por në këtë rast ke të bësh me njerëz që janë akoma gjallë, e që ti kërkon tu përshpejtosh vdekjen, kërkon të marrin rrugën e moskthimit. Ndoshta janë më të njohur dhe më të famshëm sesa ti, ndoshta janë më të devotshëm dhe më jetëgjatë sesa ti. Jeta është në dorën e Zotit!
Kam kuptuar gabimin dhe gafën e madhe që bëjmë kur duam të ndryshojmë statusin e të tjerëve, duke u orvatur ta përgjithësojmë përshtypjen tonë personale, sikur të ishim gjykatësit e të gjithë njerëzve. Përshtypja jonë ndikohet nga konkurrenca, konformizmi, konvergjenca, dashuria dhe urrejtja. Dhe secili prej nesh… Zot na i mbulo të metat.
Miku yt mund ti mungojë një llogoreje, ndërkohë që i hapet një tjetër. Mund ti shtohen dhe preokupimet dhe angazhimet, e ai zgjedh më të mirën. Detyrat janë gjithmonë më të shumta sesa koha. Ai mund të jetë duke u marrë me “ushtarët” e tij, i gatshëm që ti dërgojë në mejdanin me ndikimin më të madh, atë që e përjetëson gjurmën, larg zhurmave.
Ka njerëz të cilët prezencën e tyre e kanë të kushtëzuar me prezencën në jetë. Sa është gjallë është interkontinental, por me të vdekur harrohet. Ka të tjerë të cilët e përjetësojnë veten falë dijeve që lënë pas, ideve, reformave, studimeve etj… Këta përshkojën shekujt.
Kam kuptuar se duhet ti falënderojmë, vlerësojmë dhe pëlqejmë të gjithë ata që nuk i ndahen punës, sido të jenë rrethanat, kalojnë male, lugina, fusha e lumenj, përshkojnë shkretëtira pa fund, bashkojnë ditën me natën, sëmuren dhe shërohen, gëzohen dhe hidhërohen, përballen me sfida nga më të ndryshmet, vështirësi dhe sprova, herë e shpejtojnë hapin dhe herë e ngadalësojnë. E megjithatë, ata vazhdojnë rrugëtimin dhe nuk heqin dorë.
Në zemrat e tyre gjen mëshirën e një njeriu të dhembshur..
Në kontributin e tyre pikas bujari dhe zemërgjerësi..
Në fytyrat e tyre gjen bardhësi të përjetshme..
Ata janë luftëtarët e vërtetë..
Ata janë në frontin e duhur..
Kam kuptuar sa shabllonë jemi kur flasin për veten dhe arritjet tona në mënyrë të ekzagjeruar dhe me detaje të mërzitshme, si dhe sa i besojmë njerëzit kur flasin për ne. Saqë na duket sikur jemi të dërguar, shpëtimtarë dhe pishtarë udhëzimi, se i gjithë universi pa ne do të zhytet në dëshpërim, se njerëzit nuk do të bëjnë dot pa ne! Grekët e lashtë thoshin se pula kakaris aq shumë saqë duket sikur do të pjellë një meteor!
Komplimentet që të bëjnë të tjerët janë diçka e mirë, por kjo nuk do të thotë se je i veçantë, ylli i botës në kreativitet dhe të menduar. Prandaj nuk ke përse i merr seriozisht.
Ndjesia se po bën diçka të rëndësishme, nuk ka përse të të bëjë të heqësh dorë nga puna aktuale, ndikimi i kufizuar dhe nga përballja me vështirësitë dhe pengesat.
Që ta kuptosh sa para vlen, sill ndërmend listën me emrat e kolosëve të fushave të ndryshme, njerëzve të dijes dhe shkencës, intelektit, pasurisë, mediave etj… Pastaj gjej një vend për emrin tënd në mesin e tyre!
Sill ndërmend listën e atyre emrat dhe fama e të cilëve mbushën botën, por që emrat e tyre tashmë ceken vetëm në rreshta librash dhe fjalë që thuhen me raste të caktuara. Por ka dhe prej tyre të cilët pasi u varrosën, i harroi koha.
Kur shfleton historinë dhe sheh objekte të tilla si piramidat e Egjiptit, kalatë romake, muzeumet e fenikasve, filozofinë e grekëve, amfiteatër, varrezë madhështore… do të duket vetja shumë i vogël, edhe para një kolone të ndërtuar prej tyre.
Nëse tregohesh modest, do të jesh i madh, e nëse hiqesh si i madh, je shumë i vogël.
Arritjet e tua zmadhohen kur i afron tek sytë, ndoshta të pengojnë të shohësh gjithçka tjetër. Por nëse i vë në vendin dhe largësinë e duhur, që të marrin vlerësimin e duhur dhe do të bëhen motiv për më shumë punë dhe vendosmëri.
Perktheu: Elmaz Fida
…