5.2 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Jetojmë sikur jemi gati duke u bërë perëndi, por nuk arrijmë kurrë

Më të lexuarat

Oliver Burkeman

Nuk ka nevojë të kalosh shumë kohë në një qytet ku të gjithë i bien borisë – Nju Jork apo Nju Delhi për shembull – për të kuptuar se, praktikisht, kot që i bien. Shoferët janë të gjithë të bllokuar në të njëjtin trafik, me të njëjtën dëshirë për të vazhduar dhe të njëjtën pamundësi për ta bërë. E sigurt është që askush prej atyre që i bien borisë, nuk mendon se do i shërbejë për të rifilluar lëvizja, e njëjta gjë që mund të arrijë është një moment i shkurtër letërsimi katarsist, për zemërimin e tij.

Ky është shembulli më klasik i epidemisë së padurimit të kohëve të sotme. Duam që gjërat të shkojnë në një mënyrë të caktuar, por ato nisin e lëvizin në drejtim të kundërt, dhe kështu shprehim zemërimin tonë duke bërë zhurmë, duke bezdisur të gjithë ata që kemi rrotull, për t’u ndjerë më të vetmuar.

Ky vit shënon përvjetorin e njëzetë të botimit të “Gjithnjë e më shpejt. Përshpejtimi teknologjik që po ndryshon jetën tonë”, i historianit të shkencës James Gleick, i cili ka qenë i pari që më bëri të zbuloj një gjë që në dekadat e fundit është bërë gjithnjë e më e vërtetë: sa më shumë përshpejton jeta, aq më të paduruar bëhemi.

Logjikisht, nuk duhej të ishte kështu. Në botën e larëseve të enëve dhe avionëve të shpejtë, falë gjithë atyre orëve që kursejmë, duhej të kishim më shumë kohë për të bërë gjërat që na interesojnë vërtetë. Por në realitet nuk e kemi hiç këtë ndjesi. Përkundrazi, nervozohemi edhe për vonesën më të vogël. Por, ndërsa koha që do të donim për të kënaqur dëshirat tona i afrohet zeros, çdo gjë shndërrohet në një përplasje. Po të dinim që një udhëtim do të zgjaste në pafundësi – si për shembull në kohët e udhëtarëve të mesjetës apo pasagjerët e anijeve me avull të tetëqindës – nuk do të vrisnim mendjen kaq shumë. Eshtë pikërisht për shkak se makinat sot ecin kaq shpejt, që ne bëhemi shumë të paduruar kur kjo nuk ndodh.

Të lexosh Gleickun sot është shqetësuese, sepse ai e ka shkruar atë libër përpara se smartphone-t dhe interneti i shpejtë të ishin të kudogjendur, dhe që atëherë tendencat për të cilat shkruan kanë pësuar një përshpejtim të hatashëm. Online është e kollajtë të ndjehemi të lirë nga pengesat e realitetit, kemi ndjesinë se mund të jemi kudo, të dijmë gjithçka dhe të vizitojmë cilindo vend të planetit në një moment. Dhe sa herë që vetëdijësohemi se në fakt nuk është kështu, ndihemi të zhgënjyer. Nuk është vetëm problem padurimi. Zemërimi që shpesh shpërthen në rrjetet sociale, kundër atyre që kanë mendime ndryshe nga tonat, tregon të njëjtën indinjatë: si mund të sfidojë pushtetin tim për të fiksuar rregullat?

Jetojmë sikur jemi gati duke u bërë perëndi, por nuk ia dalim kurrë. Ndaj nuk duhet të habitemi që më pas zemërohemi, kur dikush na kujton se kjo nuk do të ndodhë.

E gjithë kjo na ndihmon që të kuptojmë magjepsjen e asaj që gabimisht quhet “sloë movement” (lëvizje e avashtë), e mishëruar prej atyre programeve televizive që tregojnë të gjithë udhëtimin e autobusit 830, i cili përshkon luginat e Yorkshire, apo të trenit që përshkon shtatë orë nga Bergeni në Oslo. Pse i quajmë “të avashtë”? Autobusi udhëton me shpejtësi normale, trenat norvegjezë janë të shpejtë. Ne rebelohemi ndaj diçkaje që është më e thellë se sa ngadalësia: rebelohemi ndaj idesë për t’i lënë gjërat që të marrin kohën e mjaftueshme.

Edhe unë harroj dhe nervozohem kur duhet të pres që djali im 2 vjeç të ekzaminojë me kujdes menteshat e gardhit të fqinjit. Fakti nuk është se “më ngadalë është më mirë”, por që realiteti ka kohët e veta – herë të ngadalta, e herë të shpejta – dhe të zemërohesh për këtë, është një mënyrë budallaqe dhe vetëlënduese e të jetuarit të jetës.

The Guardian – Bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit