-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Jemeni, përhapja e Islamit në Jemen

Më të lexuarat

 

Të dhëna statistikore1:
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Yemen. 
• Emri zyrtar: Jemeni. 
• Sistemi i qeverisjes: Republikë. 
• Sipërfaqja: 555,000 km². 
• Numri i banorëve: 23.822.783 (2009). 
• Dendësia: 44.7 (banorë në 1 km²). 
• Feja: myslimanë 99% (sunitë shafii 53%, shiitë zejdi 47%), jehudë, të krishterë dhe hindusë 1%2. 
• Kryeqyteti: Sana (San’a), që konsierohet qyteti më i madh i vendit. 
• Qytete të tjera: Aden, Hadramevt, El Bejda, El Hudej-jide, Ibb, Me’reb, Teiz, Imran dhe Dhemar. 
• Grupet etnike: Jemenas 93%, afrikanë (kryesisht arabë dhe somalezë) 3%, aziatë 1%, të tjerë 3%. 
• Gjuhët kryesore: Arabishtja (gjuhë zyrtare) dhe Anglishtja si gjuhë e dytë.
• Njësia monetare: Riyal Yemenian (1.00 YER = 0.0032 EURO). 
• Data e pavarësisë: Jemeni Verior – 1.11. 1918 (nga Perandoria Osmane). Jemeni Jugor – 30 nëntor 1967 (nga Britania). 
• Festë kombëtare: 22 maj 1990 (dita e bashkimit të Jemenit Verior dhe Jugor).

Republika e Jemenit, si një nga shtetet mesatarisht të mëdha të kontinentit aziatik, bie në pjesën jugperëndimore të Azisë, konkretisht në pjesën më jugore të Gadishullit Arabik. Rreth kuptimit të fjalës Jemen, ka disa mendime të historiografëve. Sipas disave vjen si atribut i njërit nga gjyshërit e arabëve të lashtë, Ejmen ibn Jarib ibn Kahtan; sipas të tjerëve, vjen nga emri Jemin, që në arabishte domehtënë ‘ana e djathtë’, ngase Jemeni bie në anën e djathtë të Qabesë; të tjerë mendojnë se vjen nga emri Eljumnu, që nënkupton begati, lumturi, për shkak të tokës së begatë që ky vend kishte në të kaluarën, si dhe për shkak të lumturisë së banorëve të vendit; sipas pikëpamjes së fundit, emri Jemen domethënë “Toka e Jugut”, ashtu siç është Veriu sinonim i Shteteve të Shamit (Siria, Jordania, Libani dhe Palestina)(2). Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin afërsisht deri në 1746 km2. Republika e Jemenit kufizohet me dy shtete dhe me dy dete, nga veriu kufizohet me Arabinë Saudite, e nga lindja me Sulltanatin e Omanit, nga jugu me Detin Arab dhe nga perëndimi me Detin e Kuq(3).Pika më e ulët në Republikën e Jemenit i takon territorit të nivelit të detit, gjegjësisht në brigjet e Detit Arab, ndërsa ajo më e larta ndodhet në majat e malit që quhet “Pejgamberi Shuajb a.s.”, e që arrin lartësinë 3760 metra mbi nivelin e detit(4).Bazuar në të dhënat e vitit 2008, Republika e Jemenit ka 54 aeroporte. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, prej tyre më kryesoret janë: Aden, Hudey-yide dhe Mukalla(5).Jemeni ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore, si: Universiteti San’a, Universiteti Aden, Universiteti Hadramevt, etj. (6). 
SANA si kryeqyteti i Republikës së Jemenit, llogaritet qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm i vendit. Kryeqyteti San’a ndodhet në qendër të vendit, në një zonë të lartë malore, të maleve të Serevatit, por pa dalje në det. Ky qytet, gjatë verës ka klimë mesatare, me temperaturat që lëvizin rreth 20-32 gradë Celsius, kurse gjatë dimrit klima është e ftohtë, me temperatura të ulëta, që gjatë natës dhe herët në mëngjes arrijnë rreth -1 deri 18 gradë Celsius. Terreni në kryeqytetin San’a shpërndahet në mes të maleve të larta dhe luginave bujqësore pjellore. Deri në vitin 1990 San’a ka qenë kryeqyteti i Republikës Arabe të Jemenit (vetëm i Jemenit Verior), deri në vitin kur u shpall formimi i Republikës së Jemenit (konkretisht bashkimi midis dy pjesëve të Jemenit më 22 maj 1990), kur San’a u bë kryeqytet i bashkimit të ri. Sipas statistikave të vitit 2007 rreth numrit të banorëve të këtij qyteti, San’a ka rreth 2.006.619 banorë. Mirëpo, numri i popullsisë së këtij qyteti rritet për çdo vit për 5.55%. Pra, banorët e këtij qyteti përfshijnë afërsisht 8.9% të popullsisë së Republikës së Jemenit(7). 

Historia e Jemenit 

Jemeni i sotëm në të kaluarën e lashtë ka qenë pjesë e Mbretërisë së vjetër Seb’e, e cila ishte një mbretëri e zhvilluar dhe ishte urë lidhëse në mes Afrikës dhe Indisë. Kur’ani i Madhërishëm e përmend Mbretërinë Seb’e, si dhe atë që kishte ndodhur në mes asaj Mbretërie dhe Pejgamberit Sulejman a.s., të cilit Allahu xh.sh. i kishte dhënë pushtet. në shekullin V para erës sonë, jemeni kishte rënë nën sundimin e Mbretërisë Seb’e. Pastaj, përgjatë periudhës nga viti 100 para erës sonë e deri në vitin 525 të erës sonë, Jemeni ishte pjesë e Mbretërisë Himjer. Më pastaj, në vitin 1538 Jemeni Verior ra nën sundimin e Perandorisë osmane, kurse në vitin 1636 osmanlinjtë e braktisën Jemenin verior dhe sundimi i vendit kaloi në duart e imamëve – prijësve jemenas, që vinin nga f iset vendëse Zejdije, të cilët deri në vitin 1735 shtrinë kontrollin e sundimit edhe në jemenin Jugor. Në vitin 1839 qyteti Aden i Jemenit u bë një vend i ndarë, që ishte në kuadër të Britanisë. Përkushtimi i britanezëve u shtua rreth zhvillimit të qytetit Aden, që të bëhej një port i rëndësishëm për furnizimin e anijeve me lëndë djegëse, veçanërisht pas hapjes së kanalit të Suezit në vitin 1869. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit XIX osmanlinjtë rimorën sundimin në Jemenin Verior. Mirëpo në vitin 1918 Jemeni Verior u pavarësua nga Perandoria Osmane, dhe për mbret të vendit u zgjodh Imami – prijësi Jahja nga familja Hamidu D-din. Më 30 nëntor 1967 Jemeni Jugor arriti pavarësinë nga Britania dhe, pas tërheqjes së forcave britaneze nga qyteti Aden, u formua Republika Popullore e Jemenit, që u bë shteti i vetëm marksist në Botën Arabe, për të marrë emrin më vonë Republika Popullore demokratike e jemenit, në vitin 1970. Në vitin 1979 u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit në mes jemenasve veriorë e jugorë, me një angazhim për bashkimin e të dy palëve në të ardhmen. Në vitin 1989 u publikua drafti i Kushtetutës për një Shtet të vetëm të Jemenit, bazuar në sistemin shumëpartiak.
Ndërkaq, më 22 maj 1990, në mënyrë zyrtare u bashkuan të dy shtetet me emrin Republika e Jemenit. Ky bashkim erdhi 300 vjet pas ndarjes së tyre. Parlamenti i dy vendeve zgjodhi Ali Abdulla Salih’in për kryetar të Republikës, kurse për nënkryetar të vendit u zgjodh sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste që ishte në pushtet në Jemenin Jugor(8). 

Islami në Jemen 

Historia e përhapjes së Fesë Islame në Jemeni ndërlidhet me ecurinë e thirrjes islame që nga vitet e para të shtetit islam, kur muhamedi a.s. në vitin 7 h. kishte dërguar mesazhet – për thirrjen për të përqafuar Fenë Islame – tek kryepleqtë e fiseve arabe në Gadishullin Arabik dhe tek mbretërit e shteteve përreth. Ndër ato mesazhe ishte edhe mesazhi që Muhamedi a.s. ia dërgonte mëkëmbësit të atëhershëm të Jemenit, i cili deri atëherë ishte në kuadër të Perandorisë Persiane. Mëkëmbës i Jemenit në atë kohë ishte Badhani, i cili, meqë ishte një personalitet i mençur dhe largpamës, me të marrë mesazhin e muhamedit a.s., e studioi mirë dhe, pasi përmes mesazhit vërtetoi edhe realitetin e pejgamberllëkut të Muhamedit a.s., pranuan Fenë Islame – ai vetë, të afërmit dhe njerëzit përreth tij. Pasi pranoi Islamin, Muhamedi a.s. në kuadër të Shtetit Islam Badhanin e caktoi mëkëmbës të Jemenit dhe zonave të tij, me vendqëndrim në San’a. Në këtë post Badhani qëndroi derisa vdiq pas haxhit lamtumirës, gjegjësisht në vitin e 10 h, e më pastaj Muhamedi a.s. në vend të Badhanit, emëroi të birin e tij – Shehr ibn Badhanin(9).
Islami i Badhanit hapi rrugën e përhapjes së Fesë Islame në të gjitha rajonet e Jemenit të sotëm.(10). Shteti Islam në Medinë, krahas Thirrjes Islame bërë banorëve të Jemenit, e kishte zotuar veten të merrte përsipër angazhime të shumta që nga viti 7 h.. Në kuadër të këtyre angazhimeve, kishte përdorur dy metoda, njërën pas tjetrës, të cilat ndihmuan për kalimin e banorëve të Jemenit nga injoranca drejt dritës së Islamit. Metodat ishin: Metoda e thirrjes përmes mesazheve dhe përmes dërgimit të pedagogëve myslimanë dhe Metoda e thirrjes përmes delegacioneve dhe ekspeditave. Që të dy këto metoda ishin përfaqësuese legjitime të qëndrimit të Pejgamberit a.s.. Përmes përdorimit të këtyre metodave, mësohet se rezultatet e tyre kishin qenë të ndryshme nga një fis tek tjetri, si dhe nuk ishin të një kategorie, po të llojllojshme. Disa prej banorëve të Jemenit iu përgjigjën Thirrjes Islame që në përpjekjen e parë, disa të tjerë e pranuan Islamin pas më shumë se një përpjekjeje, e disa të tjerë nuk e përqafuan Islamin pa e ngarkuar veten që të shkonin në Medinë e të vërtetonin vetë realitetin e Thirrjes Islame, e disa të tjerë Islamin e pranuan vetëm atëherë kur biseduan dhe dialoguan vetë me Pejgamberin a.s., kurse disa të tjerë nuk dëshiruan ta ndërronin fenë, por pranuan ta paguanin xhizjen dhe kështu të arrihej pajtueshmëria nga të dyja palët.
Nga kjo që u tha, vërehet se banorët e Jemenit nuk e pranuan Fenë Islame në një kohë, por procesi kaloi nëpër kohë të ndryshme, që nga viti 7 h e deri në fund të periudhës profetike, gjegjësisht deri në vitin e 11 h. 

Klima 

Në Republikën e Jemenit shi bie në dy stinë, në stinën e parë bie gjatë pranverës (mars e prill) dhe në stinën e dytë gjatë verës (korrik e gusht). Në stinën e verës sasia e reshjeve atmosferike është më e madhe sesa në pranverë. Për sa u përket temperaturave, fushat lindore dhe perëndimore të vendit karakterizohen për temperatura të larta, të cilat gjatë verës arrijnë deri në 42 gradë Celsius, ndërsa gjatë dimrit zbresin deri në 25 gradë Celsius. 

Gjendja ekonomike 

Republika e Jemenit ka miratuar një politikë ekonomike të bazuar në ekonominë e tregut të lirë. Mekanizmi i tregut në sektorin privat ofron kushte të mira në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Jemeni është një shtet mesatarisht i zhvilluar. Ekonomia e Jemenit varet kryesisht nga bujqësia. Një e pesta e ekonomisë së përgjithshme e vendit e ka burimin nga nga bujqësia, e cila zë më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore. Kulturat bujqësore në vend janë: susam, patate, hurma, shalqi, grurë, rrush, elb, misër, pambuk, mel dhe perime. jemeni është relativisht i pasur edhe me burime minerale. Hekuri si mineral i rëndësishëm, nxirret dhe prodhohet në malin Nekam, në veri të kryeqytetit San’a. Nafta në vend u zbulua në mesin e viteve tetëdhjetë në verilindje, konkretisht në pellgun e qytetit Me’reb. Gjithashtu naftë dhe gaz natyror ka edhe në lindje të zonës Shebve. Industria dhe minierat në vend përbëjnë pothuajse një të pestën e prodhimit. Rafineria e naftës në Aden (e cila në të kaluarën ishte në pronësi të britanikëve) sjell shumicën e të ardhurave të përgjithshme industriale të vendit. Degët e tjera përfshijnë sigurimin e prodhimeve ushqimore, prodhimin e pllakave të betonit, industrinë e letrës, prodhimet e gomës, prodhimet e plastikës, përpunimi i kripës, prodhimi i shisheve të pijeve dhe prodhimet e qumështit.

_____________________________
1. Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f. 103. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i botws islame, f. 36. Logos-a, 2009, Shkup. Muhamed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 170. Mektebetul Adab, 2007 , Kajro. http:// ar.wikipedia.org 
2. www.cyemen.com
3. www.moqatel. com. 
4. www.moqatel.com 
5. www.moqatel.com. 
6. forum. sh3bwah.
7. www.marefa.org. 
8. Muhammed Atris, f. 171, 172. 
9. Muhamed Rida; Muham-med a.s., f. 251, Darul Kitab El Arebi, 2005, Liban.
10. Dr. Ahmed Shelebi; Mevsuatu T-taruhi –l Islami, Pjesa e 7-të, f. 381, Mektebetu N-nehdati –l Masrij-jeti, bot i 5-të, 1992, Egjipt.

Mr. Samir B. Ahmeti 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit