Thellimi i krizës politike edhe më tepër po e largon Maqedoninë nga rrugëtimi drejt BE-se dhe NATO-s. Një nga shumë komponentët tjerë që po ndikon në këtë aspekt  është theksimi i retorikës nacionaliste në tubimet e ndryshme qofshin ato partiake apo të shoqërisë civile, siç ishte ajo e GDOM-it, të hënën dhe ditë më parë, shkruan Portalb.mk.

Bashkimi Europian si union i vlerave ku theksohen të drejtat e njeriu, pa marr parasysh etninë apo fenë është përjashtuese ndaj vendeve autoritare dhe etnocentrike, siç është Maqedonia.

Se Maqedonia është në rrugë të gabuar, nëse ka synim kryesor integrimin auroatlantik, vërtetojnë edhe njohësit e çështjeve europiane.

“Kanë ndikime negative në procesin eurointegrues. Dua të theksoj se OJQ #Protestoj nuk ka retorikë nacionaliste, dhe këtu mund të shohim një vlerë në angazhimin për procesin eurointegrues. Nga ajo që pamë së fundmi, në kontra protestë u lëshuan këngë nacionaliste, deklarata- retorika që nuk shkojnë në drejtim të eurointegrimeve, që nuk shkojnë me kahjen e politikës së jashtme të shtetit. Është e dukshme se pushteti nuk po krijon baraspeshë të marrëdhënieve ndëretnike, përkundrazi po tensionohen dhe nuk mund të themi se është veçse një retorike parazgjedhore por, si problem thelbësor problemin kundër bashkësive tjera”, tha për Portalb.mk Malinka Ristevska, nga Instituti për Politika Europiane.

Sipas saj, kjo situatë do të na kushtojë shumë. “Kemi investuar shumë që të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike dhe barabarësia në shtet dhe tani kjo po vjen në pikëpyetje. Mund ta humbin edhe rekomandimin. Ajo që është tash është me rëndësi, fushata anti qeveritare duhet të jetë gjithëpërfshirëse- të përfshihen të gjitha bashkësitë, që të jetë legjitime para qytetare”, tha për Portalb.mk Ristevska.

Analisti Ibrahim Mehmeti e quan hipokrizi sjelljen e partive politike në Maqedoni, që deklarativisht shprehen pro vlerave europiane, ndërsa punojnë në bazë të paragjykimeve etnike. Kjo sipas tij do të çoj në izolim ndërkombëtar.

“Unë mendoj se hipokrizia e subjekteve politike të Maqedonisë – që ne një anë të zotohen për vlera europiane, ndërsa në anën tjetër politikën e mbështesin mbi paragjykime etnike dhe injorimin e të drejtave të njeriut, gjithnjë e më tepër bëhet e tejdukshme. Faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër e kupton se klasa politike flet atë që Bashkimi Evropian dëshiron të dëgjojë, por në të njëjtën kohë në terren sillen në kundërshtim me këtë politikë të proklamuar”, theksoi përPortalb.mk Mehmeti.

Sipas tij, kjo do të rezultojë me izolimin e Maqedonisë në skenën ndërkombëtare, mirëpo zgjidhja e problemit megjithatë duhet të inicohet nga brenda. Mirëpo ai shprehet optimist, kur sheh aktivizmin qytetar.

“Kjo që po shohim se qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë të subjekteve politike, flet se gjërat lëvizin në kahje pozitive dhe mbetet të shpresojmë se si rezultat i këtij aktivizmi edhe Maqedonia do të marrë një kurs pozitiv”, deklaroi Mehmeti. /Portalb.mk