-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Isufi e Bulliqi i përgjigjen kryeministrit: Të shqetësoheni se Mali i Zi po rritet në dëm të Kosovës

Më të lexuarat

Dy ekspertë të pavarur, që pohojnë për lëshime në shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe pohojnë për humbje territori të Kosovës, Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi, kanë reaguar ndaj cilësimeve që ua ka bërë këtyre kryeministri Isa Mustafa, duke ia kujtuar se ato që thonë është shkencë, ndërsa kryeministri po fyen.
Po e botojmë të plotë reagimin e tyre.
Jemi dëshmitar të një situate të rendë si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik të vendit. Premtimet marramendëse dhe shkencërisht të pa argumentuara në fushata parazgjedhore nuk autorizojnë askënd që të fyej në aspektin profesional e shkencor, askënd që sa do pak punon për të mirën territoriale të shtetit. Si do që të jetë, ne mendojmë se kjo bëhet me vetëdije të lartë, vetëm e vetëm që të largohet vëmendja nga gabimet ekstreme procedurale dhe obligimeve ndaj simboleve të shtetit në procesin e demarkacionit. Ne me vetëdije do të largohemi nga kjo iniciativë duke mos krijuar hapësirë dhe luks autoriteteve të ndryshme për neglizhimin e gabimeve të bëra.
Sa për informatë të strukturave politike të Kosovës, deklarojmë se edhe ne jemi banorë të Republikës së Kosovës (madje edhe të periudhës 1990-1999). Kemi marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe kemi kontribuar në zgjedhje të deputetëve. Nga kjo rrjedh se si qytetarë të përhershëm të Kosovës kemi të drejtë kushtetuese dhe liri akademike që me përgatitje profesionale dhe ndihmën e fakteve të kontribuonim në të mirë të atdheut, duke zvogëluar mundësin e gabimeve në marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare. Duke u bazuar në këtë iu kemi bërë një mori pyetjesh për të cilat as opinioni e as ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Ne jemi të paret dhe të vetmit që kemi tërhequr vëmendjen shkencore strukturave politike dhe opinionit se me Malin e Zi ekzistojnë tri (3) vija kufitare, dhe si të tilla janë tepër problematike. Kjo nuk i krijon mundësi Kosovës që të ngutet dhe të bëjë marrëveshje pa një analizë gjithëpërfshirëse dhe detale në mënyrë që nga ky proces të dalim pa asnjë problem apo me probleme sa më të vogla. Për këtë kemi marrë mësim nga demarkimi i vijës kufitare të Kosovës me Maqedoninë ku ka pasur probleme të shumta dhe është dashur të zbatohen edhe metoda jo të pranueshme për të realizuar një marrëveshje të tillë.
Ne kemi prezantuar një mori materialesh detale dhe zyrtare vendore e ndërkombëtare vetëm që ti ndihmojmë procesit dhe të mos humbet ajo pjesë e territorit që deri në vitin 2014 as pala malazeze me harta zyrtare nuk e donte (shih hartat digjitale të sakta të qeverisë së Malit të Zi të dorëzuara në projektet regjionale dhe ndërkombëtare, si dhe hartat e botuara në raportet zyrtare të qeverisë malazeze si MonStat).
Ne jemi të parët që me shkencën tonë kemi zbuluar se Mali i Zi po rrit territor. Në vend që të falënderohemi për këtë zbulim të fshehtë të Malit të Zi, jemi fyer si nuk po dinim se çka po ndodhë. Një udhëheqës i lartë shtetëror këtë e ka lidhë me Sutorinë duke harruar së dallimi mes sipërfaqes së shtuar të Malit të Zi dhe sipërfaqes së Sutorinës është si autobusi me motoçikletë. Pastaj që nuk kemi paraparë liqenin e Shkodrës sikur të jemi amatorë në analiza gjeografike kurë dihet së edhe një nxënës i shkollës fillore e din se sa ka sipërfaqe liqeni i Shkodrës dhe sa i takon Malit të Zi. Tani më që kemi zbuluar, nga ana tjetër vijën pohimet për këtë dukuri duke mos u shqetësuar fare se diçka tragjike me të vërtetë paska ndodhur në rastin e përfundimit të marrëveshjes kufitare me palën malazeze. Edhe pse nuk pajtohemi me vlerën e dhënë (ne e dimi mirë sa është sipërfaqja e Malit të Zi, e cila po rritet pas 70 viteve ekzistencë) prapë se prapë demantohet fakti se nuk ka ndryshim territori. Nuk po shpjegohet si po e rritë gjithë atë territor Mali i Zi kur nuk ka pas probleme ne demarkime me asnjërin shtet fqinje si me Kosovën. Ende nuk kemi ndonjë version zyrtar të arsyeshëm mes dy shteteve për zgjerimin territorial. Mos të harrojmë se kemi qenë të bombarduar në konferencën e 3 gushtit se Mali i Zi gjatë gjithë historisë së saj pas luftës së II botërore ka pasur saktë 13812 km2. Çka u bë tani? Si e arsyetojnë këmbëngulësin ata profesionist dhe çka do ti thonë opinionit. Si do ti shef opinioni ata pas përfundimit të gjithë procesit kur Mali i Zi del me bilanc pozitiv të sipërfaqes.
Pastaj me rastin e gjetjes se edhe flamuri dhe stema zyrtare e Kosovës nuk është në përputhje me vijën e re kufitare, prapë reagim i pa argumentuar se nuk kemi ditë të bëjmë krahasim dhe me një gënjeshtër te madhe se flamuri zyrtar dhe stema zyrtare është e njëjte me vijën kufitare. Ne po flasim dhe analizojmë stemën dhe flamurin zyrtar të publikuar në ueb-faqen e qeverisë së Kosovës, jo stema dhe flamuj të punuar me mall kinez me vlerë nga 2 cent dhe të shpërndarë gjithandej përmes tenderëve të dyshimtë. Pas publikimit të hartës së dërguar në GJND dhe vërtetësisë se nuk është në përputhje me vijën kufitare të komisionit shtetëror, prapë deklarim i pa argumentuar dhe jo profesional duke deklaruar se edhe me hartën e dërguar në GJND Bjelluha mbetet jashtë, duke mos dhen asnjë llogari dhe sqarim para opinionit se pse 2/3 e territorit të humbur mbetën me Malin e Zi. Askush nuk mund të kuptoj pse bëhen këso manipulime “profesionale” nga institucionet qeveritare duke ditë se nuk janë të vërteta dhe se lehtë mund të vërtetohen nga çdo kush në çdo kohë.
Ne edhe një herë shohim si obligim qytetar që të qesim në pah një problem të madh ne lidhje me flamurin zyrtar dhe stemën zyrtare të publikuar në Ueb faqen e Qeveris së Republikës së Kosovës. Çdo kush që do dhe merr vesh pak nga këto gjëra mund të konstatojë së ka devijime të theksuara të vijës kufitare sipas komisionit shtetëror me kufijtë e këtyre dy simboleve. Ne me vetëdije personale dhe profesionale konkludojmë dhe deklarojmë se stema zyrtare dhe flamuri zyrtar i Kosovës janë të punuara sipas kufirit numër dy (II) që e kemi publikuar me tre (3) gusht dhe se nga sipërfaqja e përgjithshme që e humb Kosova me Malin e Zi, 2/3 e territorit mbeten brenda territorit të Kosovës. Stema dhe flamuri janë punuar sipas hartës së zonave kadastrave të KSA të Kosovës të vitit 1974, sipas hartave të përdorura dhe punuara në të gjitha planet hapësinore të KSA të Kosovës dhe komuna në periudhën 1974-1988, të hartave të organizatave ndërkombëtare që kanë punuar projekte në Kosovë në periudhën 1974-1988, të hartave shkollorë të vitit 1980-1988 (harta shkollore e Kosovës e EMTM të KSAK vitit 1984 me shkallë 1:150000 etj etj). Stema dhe flamuri është punuar po ashtu në përputhje të plotë me të gjitha hartat zyrtare për Kosovën të shteteve perëndimore si SHBA (NIMA), Britanisë së Madhe etj, të periudhës deri më vitin 1999.
Një pyetje mund të jetë pa përgjigje: Kush do të jetë ai fatkeq në strukturat politike i cili pas ratifikimit të mundshëm të këtij versioni të demarkacionit të marrë vendim për ndërrimin e këtyre simboleve nga ueb faqja zyrtare dhe nga simbolet në përgjithësi? A do të jetë kjo strukturë politike apo do të pritet që patatja e nxehte ti lehet dikujt tjetër në të ardhmen? A do të hiqet përgjegjësia personale dhe ti dërgohet parlamentit apo do të bëhet heshtazi? etj. Diçka është e vërtetë, ky ndryshim duhet të bëhet, sepse në të ardhmen pasqyron pretendime territorial ndaj shtetit fqinjë. Ne ju bëjmë një thirrje publike që ta vërtetojmë bashkërisht këtë mospërputhje të stemës dhe flamurit me vijën e re kufitare para se të dilni me një deklaratë fyese përsëri, sepse është në të mirën e shtetit, të komisionit dhe strukturave politike që të binden.

Florim Isufi, Shpejtim Bulliqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit