20.9 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Ismail Kadareja ishte kundër Universitetit të Tetovës

Më të lexuarat

VDIQ BABAI DHE HEROI I UNIVERSITETIT TË TETOVËS

(Ai Universitet duhet ta marrë pa vonuar emrin e themeluesit e të rektorit të tij legjendar.).

Fadil Sulejmani themeloi dhe për shumë vite edhe e udhëhoq Universitetin e Tetovës.

Në nismën dhe në këmbënguljen e tij për të ngritur Universitet në Teovë nuk pati shumë shokë.

E pat shpallë të jashtëligjshëm dhe e pat dhunuar e përgjakur sistematikisht qeveria maqedonase, në të cilën kishte edhe shqiptarë.

E shikoi me përbuzje e ashtuquajtura elita politike dhe kulturore shqiptare e Maqedonisë. Kundër hapjes së këtij universiteti ishin edhe figura si Ismail Kadare dhe Arben Xhaferi. I dyti e donte dhe fillimisht i dukej i mjaftueshëm Universiteti eksistues maqedonas i Shkupit, ku do të hapej ndonjë degë në gjuhën shqipe. Kundër Universiteit të Tetovës ishte edhe elita politike dhe në një masë të turpshme edhe ajo kulturore e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Është e çuditshme, ndoshta jo: titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës e mori Ismail Kadareja, ai që ishte kategorikisht kundër themelimit e funksionimit të tij! Ismail Kadareja që i shihte aq me përbuzje dhe që i konsideronte gati-gati joshqiptarë ata që donin liri e universitet shqiptar në Maqedoni!

Kundër Universitetit të Tetovës patën qenë edhe disa nga politikanët shqiptarë në Maqedoni. Ishin kundër ata që më vonë u bënë faktorë politikë në Shkup. Kur Universiteti i përgjakur u bë realitet, po këta ngarendën që atje të ndrrojnë rektorin, stafin udhëheqës dhe profesorët në mënyrë që vetes t’i sigurojnë diploma fakulteti me studime njëmujore si ato diplomat te Plepat në kohën e presidencës së Berishës në Tiranë…

Fadil Sulejmani e pati shumë vështirë. Pat deklaruar pak më vonë me dhimbje se më shumë telashe i kishin nxjerrë e më shumë kurthe i kishin ngritur atij dhe Universitetit disa nga intelektualët e politikanët shqiptarë se sa vetë pushteti sllav i Shkupit…

Për universitetin e Tetovës dhe mëkëmbjen e tij është derdhur gjak. Ky universitet ka dëshmorin e tij, Abdylselam Eminin, të riun e vrarë nga policia maqedonase në demonstratën kundër mbylljes e ndalimit.

Ndërsa babai dhe Heroi i këtij Universiteti ishte dhe mbetet Fadil Sulejmani.

Në 18 vjetorin e hapjes ai pat deklaruar:

” Ky universitet ka një histori sa të lavdishme e të bujshme aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij universiteti shqip u derdh shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe.”

Fadil Sulejmani ka qenë profesori im i Sintaksës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më vonë u bëmë miq dhe bashkëpunëtorë. E kam pasë për krenari afrinë me të. Revista ime “Republika”, pas themelimit të Universitetit të Tetovës, në mbështetje të votave të lexuesve profesor Sulejmanin e pat shpallë Personalitet të Vitit.

Profesori Fadil Sulejmani vdiq dhe në Tetovën e tij u varros ditën e hënë të 11 shkurtit. Ai do të ngelë i pavdekshëm me kryeveprën e tij me rëndësi historike kombëtare të quajtur Universiteti i Tetovës.

Ai Universitet duhet ta marrë pa vonuar emrin e themeluesit të tij të lavdishëm e të rektorit shumëvjeçar.

– Salih Kabashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit