-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Islamofobia

Më të lexuarat

Duket se ky term është tepër i gjerë, ashtu siç ndodh shpesh me terma të cilët zgjerohen nga rrahjet farkëtuese të çekanëve përdorues që godasin nga të gjitha anët. Si i tillë elementet që përfshihen në të nga grupe dhe këndvështrime të ndryshme e bëjnë shpesh atë një term të debatueshëm ndërmjet palëve përdoruese. Gjithsesi, i parë me syrin e një muslimani dhe nën një këndvështrim islam, islamofobinë do ta përkufizoja si një sjellje negative karshi Islamit dhe muslimanëve që buron nga ndjesia e urrejtjes, neverisë apo alergjisë ndaj Islamit ose muslimanëve për shkaqe nga më të ndryshmet. Sipas këtij përkufizimi islamofobia është një fenomen i vjetër sa vetë Islami, shfaqje e tij të hershme Allahu na i ka përjetësuar në Librin e Tij në ajete të tilla si:

“Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe.” (3:118) dhe “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj.” (2:217)

Duket se qarqe të caktuara në perëndim e në botë nuk mundet dot të jetojnë pa peshkuar dhe provokuar njëkohësisht armiq nga kultura të ndryshme nga ajo e tyre dhe stigmatizuar ato si burimi i së keqes. Kjo nuk është diçka e re në historinë e perëndimit, fobia ndaj mbulesës së femrës muslimane, referendum kundra minareve të xhamive dhe ksenofobia ndaj prezencës në rritje të vet muslimanëve në këtë pjesë të botës duket se në një farë mase të kujton rritjen e urrejtjes antisemite në Evropën e viteve 30’. Ashtu si atëherë qarqe fashiste dhe sot qarqe të djathta ekstremiste dhe konservatore duket se tentojnë që për arsye pragmatiste dhe politike ta shndërrojnë Islamin dhe muslimanët në kupën e zemërimit ku ata do të derdhin arsyet e krizave që kjo botë përjeton. Kjo tendencë duket se ka pasur rritje në veçanti pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, që për ta paska qenë pikërisht precedenti i munguar për të penalizuar një fe dhe kulturë të të tërë. Në fakt duket se historikisht njerëz dhe kultura që tentojnë të jenë monolite, egocentriste dhe nuk pranojnë kontributin e të tjerëve priren që forcën e jetës dhe zhvillimit ta gjejnë pikërisht tek armiqësia ndaj tjetrit dhe të projektojnë tek ai qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre. Në mjaft raste duket se një mekanizëm i tillë ka funksionuar mjaft mirë.

Përkundrejt kësaj islamofobie në nivele të larta që përjeton sot perëndimi duket se edhe muslimanët shpesh reagojnë keq, së pari duke stigmatizuar të gjithë perëndimin si islamofob dhe për rrjedhojë duke projektuar qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre tek këta rivalë shekullorë. Natyrisht që kjo bie ndesh me mësimet islame të cilat thonë se: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj një pjesë të njerëzve për të qenë të padrejtë. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë” (5:8)

Dhe “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (8:60) Ndërsa parimet islame për asnjë moment nuk bëjnë fajtor për fatkeqësitë të tjerët, qofshin këta edhe armiqtë më të ashpër: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë” (30:42).

Dhe së dyti, tek një pjesë tjetër e muslimanëve islamofobia duket se ka prodhuar ndjenjën e të qenit inferior dhe vetëpenalizmin e kulturës dhe fesë dhe për rrjedhojë është duke çuar drejt zhveshjesh identitare islame dhe drejt asimilimit në kulturat ofensive.

Duke e mbyllur do të thoja se islamofobia nuk është gjë tjetër vetëm se “një verë e vjetër në fuçi të re” e cila duket se ka dehur keq shumë prej atyre që nuk jetojnë dot pa e pirë atë ashtu siç edhe aroma e saj duket se ka trullosur ca më keq akoma ata të cilët e kanë të ndaluar ta pinë atë. Le ta lusim Zotin që të mos shtohen të dehurit andej dhe këndej!

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit