12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ambasadori amerikan Arvizu flet për Kandidatin presidencial: Nanon s’e duan se nuk e kontrollojnë dot si president

Më të lexuarat

Për ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, Ismail Kadare është i painteresuar për Presidencën, Jozefina Topalli, kandidaturë partiake dhe Fatos Nano, kandidati më pak i kontrollueshëm. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, Arvizu ka komentuar listën e gjatë të kandidaturave, darkën me Edi Ramën dhe faktin se një President me 71 vota do të ishte shans i humbur për Shqipërinë.

Restorantin e kishit zgjedhur ju apo Edi Rama?

Në fakt ne përzgjodhëm një restorant të mirë, sepse mendoj se është një nga restorantet më të mirë.

A kishte ngjala?

Kemi folur për ngjalat, por nuk kishte ngjala…

Rama ishte i mërzitur apo i gëzuar?

Meqenëse kishim bashkëshortet gjithashtu, duhej që të silleshim shumë mirë, por të jem i sinqertë me ju, pra pasi nuk kaloi shumë kohë që ambasadori mbërriti në Shqipëri, ndodhi incidenti i 21 Janarit dhe fill pas kësaj pastaj ishin zgjedhjet vendore, ishin zgjedhjet e Tiranës, kështu që ka qenë një kohë e vështirë për vendin, për PS-në dhe Ramën dhe kemi zhvilluar shumë biseda dhe disa prej tyre në fakt kanë qenë pak të vështira, por mendoj që është e natyrshme sepse jemi njohur në një farë mënyre në rrethana të vështira. Por mund t’ju them sinqerisht që tani kemi një marrëdhënie të shkëlqyer…dhe veçanërisht gjatë muajve të fundit unë ndihem shumë i hapur dhe komod me të dhe besoj se edhe ai ndihet kështu…

U prit mirë lajmi që vajti Rama tek Meta, u kënaqët apo është rutinë, pra u gëzuat që ata shkuan bashkë?

Ata kanë një të shkuar interesante së bashku dhe duhet të flasin me njëri-tjetrin, kështu që sigurisht është një gjë e mirë.

Kur e dëgjuat që ishte 7-orëshe kjo darkë në Durrës në shtëpinë e Ilir Metës, u habitët ndopak, u çuditët ndopak si ka mundësi që ata ishin kaq keq me njëri-tjetrin?

Nuk u habita, sepse në rrethana ka shumë ecejake.

Pra mund edhe të besojmë se ky takim është organizuar nga SHBA?

Joooo.

Keni deklaruar pak ditë më parë që Presidenti, jo vetëm duhet të dalë pas konsultimeve, por duhet të zgjidhet që në raundin e parë. Sikur këta njerëzit që kemi vërdallë, pra njerëzit që vendosin liderët, të mos e zgjedhin me 84 vota dhe ky proces të shtyhet deri sa mund të zgjidhet shumë më vonë. Ku shkon reputacioni i SHBA-ve?

Në gazetën “Mapo” çdo ditë botohen karikatura të tilla dhe nuk e di nëse e keni parë këtë.

A mund ta ma komentoni këtë?

Jam përpjekur që të shmang përdorimin e termit president konsensual, pasi termi konsensual nënkupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm dhe mendoj se nëse nuk arrihet një konsensus, nuk besoj se ky duhet të jetë shkaku i një krize politike. Ka një proces kushtetues, pra, kur themi këtë, themi që janë tri raundet e para dhe nevojiten 84 vota. Do të doja shumë që jo vetëm 84, pse jo edhe 140…Pra do të ishte e shkëlqyer nëse do të mund të realizohej kjo.

Po nëse nuk realizohet, prapë është OK?

Nëse ata përpiqen në më të mirën e tyre, unë besoj se ata mund t’ia dalin mbanë…

nëse duan, ata mund ta arrijnë konsensusin.

Po nëse për një moment Berisha do të zgjedhë një nga njerëzit e tij kryesorë të partisë së tij me 71 vota. A mendoni se kjo mund t’ia rrezikojë seriozisht pushtetin

në 2013? Pra nëse merr Presidentin, a humbet zgjedhjet?

Unë mund ta kuptoj se pse ai dëshiron dikë që ai e beson, ndoshta jo vetëm që e beson por edhe që mund të ndikojë, por mendoj se ai duhet të mendojë për çështjen më të madhe. Me gjithë respektin për personat që janë pjesë e kabinetit qeverisës, ky nuk është post në kabinetin e Kryeministrit, por është një post që është Presidenti i Republikës dhe konsideratat që hidhen duhet të shkojnë përmes këtij procesi, që mendoj se duhet të jetë vërtet konsultativ

Do ta uroni presidentin me 71 vota ju si SHBA?

Nëse vjen puna tek zgjedhja e dikujt në raundin e katërt ose të pestë, pra me 71 vota dhe kjo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA këtë? Nëse ajo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën po, por unë do ta shihja dhe SHBA do ta shihte si një shans i humbur, si një mundësi e humbur sepse do të kishte pasur një mundësi që të kishim një president që kapërcen partitë politike dhe për cilëndo arsye ata nuk kanë qenë në gjendje ose nuk kanë qenë të gatshëm për të konkluduar në një arritje, kështu që e shoh këtë si një mundësi pse të mos vendoset dikush me 84 vota, mund të bëhet.

Në ç’kuptim një shans i humbur? 

Një shans i humbur për të lënë mënjanë të gjitha interesat partiake, partizane, pra PD-ja me interesat partiake, PS-ja po ashtu, në mënyrë që të arrihet në një marrëveshje se cili është kandidati më i mirë për të qenë presidenti i Republikës dhe pastaj në 2013-ën le të fitojë partia më e mirë.

Meqenëse ju jeni mbi palët, nuk jeni palë pra, ju vetë keni në plan të çoni dy-tre propozime, dy tre emra?

Dy pika këtu kemi. Berisha ka thënë që kandidati duhet të vijë nga PD-ja, ndërsa Rama ka thënë që ne do të pranojmë cilindo, mjafton që të mos vijë nga PD. Pra ka një hendek shumë të madh, por është e mundur që të mund të afrohet dhe kemi parë gjithë këta persona, p.sh, ju përmendët Rama, Meta që janë takuar, Nano po ashtu, që në fakt ka qenë shumë më i ngarkuar dhe kjo është gjë e mirë që ata po takohen me njëri-tjetrin, por problemi shqetësues që unë kam është nëse ata të gjithë do të takoheshin për të pasur një kandidat konsensual, pra për 84 vota mendoj se kjo do të ishte e shkëlqyer dhe SHBA do të ishin shumë të kënaqura, por kam këtë ndjesinë që ajo që po ndodh është që grupe të ndryshme po përpiqen që të arrijnë dhe të mendojnë se si mund ta arrijnë këtë 71.

A ju duket njësoj 21 janari edhe pas kësaj darkës në Gjirin e Lalëzit?

Në cilëndo rrethanë, ajo që ka ndodhur në 21 janar është një situatë e tmerrshme. E kam përmendur një herë se nga të gjitha ato thënie që unë kam dëgjuar, ajo që më ka pëlqyer ka qenë ajo që ka thënë Fatos Nano. Ai tha se nëse do ishte në PD, do fajësonte PS-në që organizoi një demonstratë të dhunshme. Sepse sulmuan Kryeministrin, gjë që në demokraci nuk duhet të ndodhë. Dhe kjo është absolutisht korrekte. Por në demokraci forcat e sigurisë nuk duhet të qëllojnë me armë mbi protestuesit që janë të paarmatosur dhe t’i vrasin ata. Dhe ajo që zoti Nano përshkroi është ajo çka quhet si dështim apo thyerje e sistemit. Nuk dua që të futem në kritikë për Presidentin apo Prokuroren e Përgjithshme, sepse mendoj se ata u përpoqën në mënyrën e tyre për t’i bërë gjërat në një mënyrë. Dhe ne kemi punuar ngushtësisht me Prokuroren, por është e drejtë që të thuhet se secili prej tyre ose ka bërë një gabim, ose nuk bënë diçka që mund ta kishin bërë në mënyrë që situata të ishte më e mirë.

Rubrika traditë në këtë emision quhet “Kërkohet një president”. Të shikojmë ku do të përqendroheni më shumë. Shpresoj të mos mërziteni sepse kam një listë jo të vogël emrash… Ismail Kadare, me të cilin ju u takuat vetëm pak ditë më parë dhe ju i keni kërkuar të bëhet president, ai ju ka thënë jo. Është e vërtetë?

Jo. Nuk i kam kërkuar. Ai zakonisht në fakt është personi që tërheq dhe merr duartrokitje më të fuqishme dhe është tejet e kuptueshme, sepse ai është një person shumë i admirueshëm dhe i dashur për shqiptarët.

A mund të jetë president Kadare sipas jush?

Para se ta bëjë këtë gjë duhet ta dojë, nëse do ta bëjë. Dhe mesa duket ai ka thënë që nuk është i interesuar.

Dhe jua tha këtë, s’më intereson….

Kur ne takohemi flasim për gjëra të ndryshme, por flasim dhe për politikën.

Po imagjinojmë sikur Kadare ju merr në telefon dhe ju nuk përgjigjeni dot se jeni në një mbledhje dhe në sekretarinë tuaj telefonike lihet një mesazh nga Kadare. Ju e hapni më vonë celularin dhe dëgjoni atë që ju ka thënë Kadare dhe duhet të jepni përgjigje. Ai ju ka lënë këtë mesazh dhe më jepni një përgjigje: “Zoti ambasador, Ismail Kadare jam, do t’ju lutesha që ashtu siç e lamë në takimin e fundit, të ma mbyllnit ju këtë punën e moskandidimit tim se po më çmend ai Edi Rama çdo ditë me sms mua dhe Elenën. Jo për ndonjë gjë, por ata po e përdorin emrin tim për të provokuar Berishën. Zoti ambasador, ju e dini, unë kam hallin e çmimit ‘Nobel’ dhe do rri unë të merrem me sherret e këtyre këtu në Tiranë”, si do t’i përgjigjeshit?

Unë do t’i thosha në fakt se unë ndjej njësoj si ju. Dhe mendoj se ai është shumë i interesuar në politikë. Ai i ndjek gjërat ngushtësisht, por për shkak të asaj që ai është, ai e ka të qartë që njëra palë ose tjetra do përpiqet ta përdorë. Ndaj nuk do të jetë pjesë e kësaj.

Nëse Kadare do pranonte, ambasadori do thoshte që shumë mirë?

Unë do thosha: zotëri, nëse kjo është ajo që ju doni të bëni dhe ju mendoni që jeni i gatshëm për ta bërë këtë, atëherë ju uroj shumë fat.

Ilirian CelibashiE njihni besoj, zoti Ambasador?

E di si emër, por nuk di shumë rreth tij. Kam kuptuar që ka qenë kreu i KQZ-së dhe kam dëgjuar që ai ka bërë një punë shumë të mirë. Kështu, nëse mund të ketë bërë një punë të mirë duke punuar në KQZ, kjo flet diçka për personin, sepse herën e fundit nuk ka funksionuar shumë mirë. Por nuk e kam takuar asnjëherë dhe as biseduar me të.

Unë do të përgjigjesha, zotëri do të kisha dëshirë që të bisedonim për këtë, por duke parë përvojën tuaj në KQZ, në fakt do isha më i interesuar për ndihmën tuaj për të ndrequr problemet në KQZ.

Nora Malaj… Është zëvendësministre e Arsimit. Është hera e parë që del si kandidaturë që ka dalë nga LSI-ja. Ajo që është tërheqëse për të është sepse së pari ka një prejardhje nga fusha e arsimit. Dhe fakti që është grua është diçka pozitive. Dhe duke parë edhe rolin e LSI-së mund të krijojë mundësi interesante. Më pëlqen sepse e kemi takuar në disa raste dhe kemi biseduar. Por nuk e kisha menduar atë si presidente.

Unë do t’i thosha paç fat, sepse mund të sjellësh disa cilësi interesante. Është një punë shumë e vështirë dhe është vite dritë larg me të qenit zëvendësministër Arsimi.

Neritan Ceka... Zoti Ambasador ju e njihni, ka qenë kundërshtar i gjithë dynjasë, arkeolog me profesion. A mund të bëhet President?

Ai ka një prejardhje shumë interesante. Kam zhvilluar këtu në Shqipëri shumë pak biseda me të. Por para nja dy javësh kemi qenë së bashku në Nju Jork dhe unë e pyeta si ka mundësi që të gjithë po flasin që ti të jesh kandidat presidencial? Dhe ai m’u përgjigj: s’e kam idenë. Nuk më tha as po, as jo, vetëm më tha se nuk e kam idenë. Dhe unë i thashë që sigurisht ju kam parë në programin e Çanit.

Nga njëra anë mund të flitet për pamjen fizike dhe mund të thuhet se kjo është një cilësi sipërfaqësore. Kështu që kjo ndoshta është një plus, besoj. Mendoj që është një kandidat intrigues.

Paskal Milo….

Ai duket në fakt që sillet në një mënyrë të sjellshme dhe plot dinjitet

Pak si presidenciale apo jo?

…Edhe madje kur është i pakënaqur, duket sikur kontrollon emocionet, megjithëse është shumë zëfortë për mënyrën se si ndihet. Mendoj që është një cilësi e mirë…

Fatos Nano zonja dhe zotërinj, shkurt Tos Nano, ata që e njohin më nga afër i thonë thjeshtë Tosi. Z. Ambassador është e çuditshme por ju për këtë Tos Nanon po t’ju masim minutat, keni folur për Nanon më shumë nga gjithë të tjerët. Si ka mundësi? E keni një pikë të dobët Nanon apo ?

Unë mendoj që është një figurë politike shumë mbresëlënëse e mahnitëse. Kur shikon origjinën, prejardhjen e tij, se si ai ka qenë njëherë në krye të pushtetit dhe pastaj doli. Ka jetuar në Vjenë për disa vite dhe tani është rikthyer. Një gjë që admiroj ose që është interesante rreth tij është se disa njerëz ma kanë përshkruar atë, (ai ka dhe pluset dhe minuset e tij sikurse të gjithë ne), por njerëzit më kanë thënë që kur Fatos Nano ka qenë Kryeministër, ai ka qeverisur me një bërthamë liberale, me zemër liberale.

Kjo është e vërtetë…

Dhe kur shoh rreth e rrotull, nuk shoh njerëz që kanë një bërthamë liberale sikurse Nano. Dhe mendoj ky është problemi këtu me politikën. Mendoj që është një cilësi shumë e mirë. Cilësia për të parë në mënyrë pozitive, për të parë në mënyrë liberale, kjo është një cilësi shumë e mirë për t’u pasur.

Por si ka mundësi që as Rama, as Berisha dhe as Meta nuk e duan?

Nga të gjithë kandidatët, ndoshta me përjashtim të z. Kadare, ai është personi që ka bazën e tij të pushtetit. Dhe ndoshta ai është personi më pak i kontrollueshëm nga cilido. Sepse ai ka rrejtin e tij të njerëzve. Dhe për këtë arsye, ndoshta mendoj se ka pak hezitim nga ana e drejtuesve.  Por më pëlqen fakti që ai po përpiqet të jetë një kandidat konsensual. Ai nuk po përpiqet që të mbledhë 71 vota, jam i sigurt që edhe mund t’i  marrë, por ai po përpiqet të marrë 84.

Ambasador, është momenti që ju merr Nano në telefon gjithashtu dhe ju thotë: Nano jam, z. Arvizu, me gjithë respektin më lejoni t’ju them që nëse këta të tre, Rama, Meta dhe Berisha nuk gjejnë konsensusin për emrin tim, me gjithë dashamirësinë tuaj, unë ju jap fjalën se do t’i shkatërroj politikisht përfundimisht…

Nëse ai do të më telefononte dhe do të thoshte këto, unë do t’i thosha: Nano, kjo në fakt nuk është diçka që ngjason me ju, sepse e di që ju jeni shumë i interesuar për t’u bërë President dhe ndoshta do t’ju duhet që të arrini disa marrëveshje për këtë, por të përpiqeni që të shkatërroni rivalët politikë, nuk më ngjason, nuk më tingëllon si ju. Duhet të ketë një rrugë tjetër…

Ridvan Bode, ministri aktual i Financave?

Janë dy gjëra që janë shumë interesante me të. Para së gjithash është se, të gjithë personat me të cilët flas, më kanë thënë që është shumë i mirë për sa i përket çështjes së financave, ai i kupton shumë mirë çështjet financiare. Diçka tjetër lidhur me Boden është se, ndonëse është qartësisht një person që i përket PD-së, ai nuk druhet, pra nuk ka frikë të ngrejë zërin e tij dhe të mos bjerë dakord. Do të shpresoja në fakt që të kishte më shumë që ta bënin këtë. Dhe më kujtohet se kanë pasur një mosmarrëveshje për një taksë për automjetet. Qartësisht, ai i përket PD-së, ai bie dakord në 99 për qind të gjërave me Berishën, por tek puna e Presidentit, pashmangshmërisht do të ketë një kohë kur të ketë një mosmarrëveshje dhe ky person duhet të dijë të thotë jo, kështu që është gjë e mirë.

Ridvan Bode e ka staturën për President?

Mendoj që ai është një kandidat shumë serioz.

Jozefina Topalli, Zhozi i themi me përkëdheli?

Disa njerëz në fakt e quajnë halla Jozi…Ndoshta ajo është kandidatja për të cilën flitet më shumë. Ajo ka cilësi shumë të admirueshme dhe një nga gjërat që më pëlqen mua më shumë rreth saj, është që sheh gjithë këta persona që janë sot në politikë për shembull, një person ka qenë krahu i djathtë i Berishës dhe tani është shndërruar në armikun e tij më të vendosur ose dikush tjetër që ka qenë kritik ndaj Edi Ramës, tani është kthyer si rreshter i Ramës, pra në një farë mënyre, njerëzit lëvizin nga njëra anë në tjetrën. Por në rastin e saj me sa di unë, ajo nuk ka qenë kurrë diçka tjetër nga ajo që është. Pra identifikimi i saj ka qenë gjithmonë me partinë nga vjen, ajo rrjedh nga një familje të persekutuarish, ka qenë shumë e sinqertë dhe shumë pranë bindjeve të saj dhe kjo i ka shërbyer shumë, sepse në fakt ajo ka arritur që të bëhet kryetare e Kuvendit. Por çështja qëndron sigurisht në faktin që cilësitë që e kanë sjellë atë në vendin që është, besnikëria që është shumë pasionante dhe shumë e qartë me identifikimin e asaj që ajo është dhe ajo ka shumë karizëm dhe kushdo që e takon, e ndjen këtë gjë. Por çështja është se, përderisa ajo ka arritur këtu ku është, lidhet me faktin se është politikane partiake dhe mund të mos jetë domosdoshmërisht cilësia ideale që do të doja për një president. Qartësisht është një individ shumë i talentuar dhe shumë i përmbushur dhe ajo është lidere në këtë vend si kryetare e Kuvendit, por mendoj që do të ishte e drejtë që dikush ta pyeste: me gjithë këto përvojat tuaja, a mund të ndërmerrni një post që kërkon cilësi të tjera, sesa ato cilësi që në fakt kanë qenë pikat tua të forta gjatë këtyre viteve?

Pra nuk duhet të jetë Jozefina, apo jo?

Jo. Nuk e thashë këtë… ndoshta do të më marrë në telefon…

Telefonata e Topallit (imagjinare) Z. Ambasador, unë nuk jam kaq e egër, edhe Edi Rama madje bën kot sikur është kundër meje, sepse unë dhe ai e kemi një lidhje me gjyshen e tij katolike, kurse atë punën e SHISH-it, unë jam e gatshme që ta zgjidhim bashkë konfidencialisht.

Unë dhe SHBA në fakt nuk e kemi këtë shqetësim. Por problemi qëndron me njerëzit në opozitë që nuk janë mbështetës të flaktë simpatizantë të PD-së, kështu që në mënyrë që të jetë presidenti efektiv, ajo ka nevojë që t’i bindë të paktën ata persona kritike që janë pjesa e opozitës, që ajo ka gatishmërinë se do ta përmbushë postin e Presidentit në një mënyrë dinjitoze dhe në mënyrën e duhur. Dhe një rol i rëndësishëm për Presidentin është se Presidenti ka gjithashtu një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë sa herë që ai udhëton jashtë vendit dhe veçanërisht në disa prej tensioneve në rajon, mendoj që nuk do të kërkohet në fakt shumë nëse presidenti do të kishte edhe një pikë diplomatike dhe mendoj se Topi e tregonte këtë cilësi shumë mirë. Kështu që nëse ajo apo dikush tjetër, të qenit diplomatik është shumë e rëndësishme….

Po të qenit katolike?

Kenedi ka qenë katolik. Pse jo… nuk besoj se kjo do të përbënte ndonjë pengesë.

Fatos Beja, një tjetër deputet i mazhorancës, a mundet të bëhet president?

Emri i tij përmendet shumë. Kam zhvilluar me të disa biseda të shkurtra, jo në mënyrë të fshehtë, por fjala që të gjithë përdorin për të është, zotëri i vërtetë, dhe kjo është një cilësi shumë e nderueshme… por në përgjithësi nga ato që unë kam dëgjuar nëse gjërat do të shkojnë të bëhen të vështira, a ka ai cilësitë e duhura për të qëndruar kundër një force të tërë të thotë jo?..

Luan Hajdaraga?

Emri i tij faktikisht është shfaqur disa herë në listë. Nuk e njoh fare, s’di gjë, ka shërbyer si ministër Mbrojtje në qeverinë Nano. Nuk di asgjë rreth tij. Më vjen keq.

Unë do t’i përgjigjesha që Sekretarja e Shtetit është shumë e ngarkuar tani. Por nëse ju do arrini të komunikoni me të, do ju japë një këshillë shumë të mirë…

Pandeli Majko?

E njoh dhe në fakt habitem, sepse nuk përmendet më shpesh emri i tij. Ai ka qenë kryeministër në moshë shumë të re, por ka qenë periudhë e shkurtër. Nga ajo që kam parë dhe kam dëgjuar, ai duket sikur ka aftësinë, mundësinë dhe gatishmërinë për të komunikuar me personat që janë në pozitë më shumë sesa të tjerët. Ai në fakt është marrë në konsideratë shumë seriozisht në OKB, kohët e fundit dhe nga ajo që unë kam mësuar, që kam kuptuar, që ai ta merrte këtë post ka pasur një mbështetje dy partiake. Nga ajo që unë di, ai ishte një kandidat serioz. Por duhet kuptuar që bëhet shumë politikë në OKB dhe duhet të jetë një arsye që pse nuk është zgjedhur. Unë do të thosha që Pandi, vazhdo të bësh atë që po bën.

Artan Fuga?

Ai është profesor gjithashtu.. Nuk e njoh atë, por kam dëgjuar shumë persona që është një intelektual brilant dhe njeri shumë stimulus. Problemi qëndron dhe duke parë përvojën e SHBA-së njerëzit brilant, njerëzit e shkëlqyer, akademikët, disa prej tyre bëjnë kalimin drejt një posti zyrtar dhe bëjnë një punë të shkëlqyer, ndërsa të tjerët janë persona krejtësisht të tmerrshëm, nuk përshtaten. Kështu që nuk di mjaftueshëm rreth tij që ta drejtoj si duhet këtë diskutim. Por mesa duket, të gjithë bien dakord që ai është një intelektual i shkëlqyer. Kjo është një vlerë e shkëlqyer, por të qenit president kërkon dhe disa cilësi të tjera shtesë dhe ai ndoshta i ka ato.

Unë do t’i përgjigjesha zoti Fuga, ju lutem më jepni tre shembuj të filozofëve ose akademikëve që kanë bërë kalimin në këto poste publike. Dhe më tregoni, pse ju duhet të jeni një nga këta persona që do të jeni i suksesshëm?

Artur Zheji. Ju e njihni zoti Ambasador, apo jo?

Në fakt unë ndihem keq, sepse jemi takuar disa herë për diskutime të shkurtra, por nuk jemi ulur ende për një kafe së bashku. Jo, nuk jemi ulur. Sigurisht është faji im. Dhe kam biseduar me Gurin dhe do të organizojmë një drekë ose darkë dhe do të ftojmë dhe Henrin, Arturin, ndoshta dhe Artan Hoxhën dhe Andi Bejten. Ata që unë i quaj njerëzit e moderuar të qendrës së djathtë dhe do të dëgjoj edhe pikëpamjet e tyre. Më pëlqejnë shkrimet e tij dhe ndoshta të gjithë bien dakord që ai ka një intelekt politik shumë të mirë.

Nëse do vendosej në këto negociata që presidenti të zgjidhej nga shoqëria civile, a do ishte Artur Zheji një president i mirë apo jo?

Problemi, siç e shoh unë dhe nuk e kuptoj saktësisht përse, është se shumë persona nga opozita me të cilët flas nuk kanë një ndjesi të ngrohtë karshi tij. Nuk e di nëse kjo rrjedh ngaqë ai ka qenë një nga këshilltarët e Lulëzim Bashës gjatë fushatës. Por ka qenë interesante për mua. Kështu që këshilla ime për të është që, nëse vërtet do e kishte seriozisht, do t’i thosha që duhet të punojë pak më shumë me opozitën.

Ka takuar Ramën tani, ka pirë kafe, e ftoi Rama…

Kjo është një nisje e mirë.

Dhe Artur Zheji e merr në telefon dhe i thotë ambasadorit: “Unë e lashë ATSH për t’u bërë konsensual. Ç’duhet të bëj me shumë ambasador, besoj se shkrimet e mia pro amerikane mjaftojnë apo jo?”

Këshilla ime do të ishte që ai, ndoshta duhet të kishte një listë prej 100 personash, ndoshta persona që janë anëtar të Kuvendit, pra deputetë ose persona që i përkasin PS-së dhe duhet të pini shumë kafe me ta dhe të zhvilloni shumë biseda dhe këtu të nevojitet ta zhvillosh punën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit