2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë:
“Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon.” (Rrumë, 2).
Kur sheh se si një musliman shkruan rreth Islamit, mundohet sikur avokati që t’ia largojë akuzat e pavlera, apo analizon shkaqet e sulmit agresiv ndaj fesë së tij; sulm ky i udhëhequr nga armiqtë e tij, të cilët e urrejnë atë, kjo është një gjë normale dhe nuk zgjon kërshëri e as nuk na bënë të çuditemi. Mirëpo, kur mbrojtja ndaj Islamit vjen nga ana e një të krishteri, i cili i prekur nga padrejtësia, të cilës i ekspozohet Islami, e ndihmon të vërtetën dhe drejtësinë, me të vërtetë kjo gjë zgjon kureshtjen dhe na bënë të çuditemi. Po ashtu, kjo vërteton atë se: sado që ndihmëtarët e të pavërtetës të shtohen dhe pasuesit e tij të forcohen, prapë se prapë e vërteta në fund të fundit patjetër duhet të fitojë dhe të mbizotërojë.

Këto kuptime i nxiti një studim koptas i botuar kohëve të fundit, i cili i takon studiuesit të krishterë egjiptas Dr. Nebil Luka Babavi nën titullin: “Përhapja e Islamit përmes tehut të shpatës, mes realitetit dhe shpifjes”.
Autori në këtë punim iu përgjigjet atyre, të cilët akuzojnë Islamin gjoja se është përhapur përmes tehut të shpatës dhe se ka detyruar njerëzit me forcë në hyrjen dhe pranimin e tij. Studimi diskuton këtë akuzë të rrejshme me një objektivitet shkencor dhe historik gjatë të cilit sqaron se Islami duke qenë fe qiellore nuk është i vetmi, i cili është veçuar me ekzistimin e një grupi përbrenda pasuesve të tij, të cilët nuk respektojnë dispozitat, shenjtëritë dhe parimet e tij, të cilat refuzojnë dhunën në fe si dhe ndalojnë agresionin ndaj shpirtit njerëzor. Sjelljet, veprat dhe fetvat e këtij grupi qofshin ata: prijësat, gjykatësit dhe muslimanët jorespektues nuk kanë të bëjnë asgjë me mësimet e Islamit.
Studimi cek se ka ndodhur edhe në krishtërizëm kontradiktë mes mësimeve dhe parimeve të tij, të cilat thërrasin në dashuri, tolerancë, paqe mes njerëzve, mos agresion ndaj tjetrit dhe në mes të asaj ç’kanë vepruar disa pasues të tij në dëm të tjerëve përmes vrasjes, derdhjes së gjakut, persekutimit, dënimit, gjëra të cilat i refuzon krishterimi dhe nuk e pranojnë parimet e tij. Në vazhdim tregon për persekutimin, dënimin, torturimin dhe masakrat, të cilat u ushtruan mbi krishterët ortodoksë në Egjipt nga ana e shtetit romak dhe krishterëve katolikë. Kjo saktësisht ka ndodhur në kohën e imperatorit Daklidianos, i cili hipi në pushtet në vitin 284. Në kohën e tij, dënimi i krishterëve ortodoksë në Egjipt ushtrohej përmes hedhjes së tyre në zjarr për së gjalli, gërryerjes së lëkurave me anë të veglave të posaçme, futjes së tyre në vaj të vluar, fundosjes së tyre në det për së gjalli, kryqëzimit të tyre me koka poshtë dhe liheshin të gjallë në kryq derisa të vdisnin nga uria, e pastaj kufomat e tyre liheshin që t’i hanë sorrat. I lidhnin për degët e pemëve, pastaj bëhej afrimi i degëve të pemëve përmes veglave të posaçme e pastaj lëshoheshin degët për tu kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme, kështu që shqyheshin gjymtyrët trupore të të krishterëve një pas një.
Babavi thotë se numri i të krishterëve të vrarë përmes dënimit në kohën e imperatorit Daklidianos arrin më shumë se një milion të krishterë duke shtuar edhe teprimet në taksa, që i obligonte për çdo gjë derisa edhe për varrimin e të vdekurve. Për këtë arsye, Kisha koptase ortodokse në Egjipt ka marrë vendim që kjo datë të emërohet si shekulli i dëshmorëve në Egjipt, si dhe vendosën kalendarin koptas si kujtim të ekstremizmit të krishterë.
Autori po ashtu tregon për luftërat gjakësore në Evropë në mes të katolikëve dhe protestantëve. Si dhe për dënimet, mbytjet, dëbimet, burgosjet nëpër burgje me të cilat u ballafaquan protestantët menjëherë pas shfaqjes së drejtimit protestant të udhëhequr nga murgu Martin Luteri, i cili nuk e duronte dot tregtimin e priftërinjve me “ndjesën e mëkatëve”.
Studimi synon që prapa këtij konflikti të krishterë të paraqes disa çështje:
Së pari: Krahasimin mes këtij torturimi fetar, i cili u ushtrua mbi krishterët ortodoksë nga ana e shtetit romak dhe krishterëve katolikë dhe në mes të tolerancës fetare, të cilën e realizoi shteti Islam në Egjipt si dhe lirinë e besimit fetar, të cilin e miratoi Islami për jomuslimanët. Ata i la të lirë në ushtrimin e ceremonive fetare brenda kishës dhe në zbatimin e dispozitave të fesë së tyre në çështjet personale, përkitazi me fjalën e Allahut të Lartësuar në suren Bekare: “Nuk ka dhunë në fe”.
Pastaj, realizimi i drejtësisë dhe barazisë në të drejtat dhe obligimet mes muslimanëve dhe jomuslimanëve në shtetin Islam duke vepruar me kodin Islam: “Atyre u takon ajo çka na takon neve dhe ndaj tyre është ajo çka është ndaj neve”. Kjo vërteton se Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës dhe forcë, sepse ai iu ofroi mundësinë jomuslimanëve mes pranimit të Islamit dhe mbetjes në fenë e tyre me pagimin e xhizjes (taksë e cila bën mbrojtjen dhe sigurimin e tyre si dhe gëzojnë shërbimet nga ana e shtetit Islam). Kështu që, ai i cili zgjedh qëndrimin në fenë e tij ai është i lirë. Në mundësinë e shtetit Islam ishte që t’i detyrojë me forcë të krishterët të hyjnë në Islam, apo t’i vret nëse nuk hyjnë në Islam me dëshirë. Mirëpo, shteti islam nuk e bëri një gjë të tillë, ngase i ka zbatuar mësimet dhe parimet e Islamit. Atëherë pra, ku janë pretendimet e përhapjes së Islamit përmes shpatës?
Së dyti: Vërtetim i asaj se xhizja, e cila iu obligohej jomuslimanëve nga ana e shtetit islam ishte në përputhje me kontratën e sigurisë, e cila ishte bërë me ta, ajo në realitet ishte taksë e mbrojtjes së tyre përbrenda shtetit islam si dhe mbrojtje dhe sigurim nga çdo agresion i jashtëm. Kjo për shkak se ata ishin të liruar nga pjesëmarrja në ushtrinë islame në mënyrë që të mos hyjnë në ndonjë luftë për të mbrojtur fenë, në të cilën nuk besonin. Megjithëkëtë, nëse jomuslimani shpreh dëshirë për pjesëmarrje në ushtrinë islame, ai në këtë rast është i liruar nga pagimi i xhizjes.
Studimi thotë se xhizja po ashtu vinte edhe si kompensim i përfitimit të shërbimeve të përgjithshme, të cilat ua kryente shteti muslimanëve dhe jomuslimanëve. Këto shërbime financoheshin nga pasuritë e zekatit, të cilat i paguajnë muslimanët si njëra nga shtyllat e Islamit. Kjo xhizje, nëse krahasohet me taksat ekstravagante, të cilat shteti romak ua obligonte të krishterëve në Egjipt dhe nga kjo nuk e lironte askënd, nuk figuron përveç se një shumë të vogël e modeste në kohën kur më shumë se 70% e popëve ortodoksë në shtetin islam ishin të liruar nga xhizja, gjithashtu ishin të liruar edhe: pallati, gratë, pleqtë, të paaftët, të sëmurët dhe murgjit.
Së treti: Vërtetim i asaj se kundërvajtjet e disa prijësve muslimanë, personave, apo grupeve muslimane në marrëdhëniet e tyre me jomuslimanët nuk janë gjë tjetër vetëm se sjellje individuale që nuk kanë të bëjnë asgjë me pasqyrën reale të mësimeve islame dhe as që kanë lidhje me parimet dhe dispozitat e tij. Andaj, për të qenë të drejtë me realitetin, duhet që këto kundërvajtje të mos i atribuohen Fesë Islame, porse i atribuohen atij që ka bërë kundërvajtje. Kjo pikërisht përshtatet me refuzimin e krishterimit lidhur me kundërvajtjet, të cilat ndodhën nga ana e shtetit romak dhe krishterët katolikë kundër të krishterëve ortodoksë. Autori më pastaj pyet: Përse atëherë disa orientalistë mbyllin sytë para shkeljes së ligjit, e cila ndodhi në anë të të krishterëve, madje as që flasin për këtë? Kurse shkeljen e ligjit, e cila ndodhi në anë të Islamit e zmadhojnë dhe vazhdimisht flasin për të! Pse një masë llogaritet me dy njësi matëse dhe një peshë me dy peshore?!
Autori tregon se gjatë studimit të tij është mbështetur në Kur’an, Sunet dhe në atë që ka ardhur nga selefu salih (të parët e mirë); nga Hulefau Rrashidin, Allahu qoftë i kënaqur me ta, sepse në këto burime dhe në biografitë e atyre muslimanëve të parë personifikohet skeleti i vërtetë i formës së përhapjes së Islamit dhe i mënyrës së marrëdhënieve të tij me jomuslimanët.
Më tutje vazhdon dhe thotë: Sa i përket asaj çfarë veprojnë orientalistët në sulm ndaj Islamit dhe civilizimit islam duke sjell disa shembuj të caktuar në kushte të caktuara për qëndrimin e disa prijësve muslimanë, apo për mendimet e disa muxhtehidëve dhe fukahave, apo për qëndrimin e mendimtarëve muslimanë në disa raste, në të cilat mbizotëronte ngushtësia e horizontit, injoranca dhe fanatizmi. Prandaj, këto janë përpjekje njerëzore, të cilat i shoqëron e sakta dhe gabimi, në kohën kur ajo ç’farë erdhi në Kur’anin Fisnik dhe në Sunetin Pejgamberik nuk e përmban gabimin.
Pastaj shton: Nëse ekzistojnë disa vepra të disa prijësve muslimanë apo të disa grupeve, të cilat kundërshtojnë rregullat e Kur’anit dhe Sunetit, ato i atribuohen kryesve të tyre e nuk ka mundësi që ato t’i mvishen Islamit. Studimi u kërkon muslimanëve që ta kthejnë shikimin në formën dhe metodën e tyre kur u flasin jomuslimanëve. U kërkon që të ecin nëpër rrugën e shëndoshë e të vërtetë, të cilën ua projektoi Feja e tyre Islame dhe nëpër të cilën kaloi Pejgamberi alejhi salatu ve selam dhe Hulefau Rrashidin pas tij. Kjo veçmas pas sulmit agresiv, të cilit po i ekspozohet Islami pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001.
Studimi potencon nevojën e madhe të Perëndimit, Amerikës dhe botës se jashtme tu flitet me metodën e bindjes larg nga fanatizmi, në mënyrë për t’i ndryshuar kuptimet, për të cilat orientalistët kanë propaganduar në Perëndim, që nga kjo kanë përfituar politikanët, edukatorët dhe shkrimtarët, të cilët kanë qëndrim armiqësor ndaj Islamit dhe dallohen me shpirtin e fanatizmit. Ngase bindja me realitetin e gjërave në të vërtetën e Islamit është mjeti më i mirë për t’i ndryshuar këto kuptime rreth Islamit në Perëndim përgjatë historisë dhe përgjatë rrjedhimit historik të Mesazhit Islam.
Studimi vazhdon t’i hedh poshtë ato që thonë disa se Islami është përhapur përmes tehut të shpatës, se ai vrau njerëzit e feve të tjera dhe i detyroi që të futën në Fenë Islame me dhunë dhe përkundër dëshirës së tyre. Ai tregon se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ve selam filloi që t’i thërras në Mekë shokët e tij, në të cilët kishte besë. Si rezultat i kësaj, Islamin e pranoi Ebu Bekër es-Siddiku, Hadixhja, Uthman bin Affani, Zubejr bin Avvami, Sa’d bin Ebu Vekasi, Abdurrahman bin Avfi, e pas tyre edhe të tjerët. Gjatë sezonit të Haxhit në Mekë, i Dërguari ua paraqiste Islamin fiseve. Një grup nga fisi Evs dhe Hazrexh iu bind thirrjes së tij, e kur u kthyen në Jethrib (Medinë) i ftuan popullin e tyre në Islam. Kjo u bë duke mos nxjerr Pejgamberi alejhis selam asnjë shpatë dhe duke mos vrarë asnjë, përkundrazi e kundërta është e vërtetë. Muslimanët iu nënshtruan persekutimit nga ana e idhujtarëve kurejshit. Arma e idhujtarëve ishte nënçmimi, rrahja e tepërt, torturimi i muslimanëve me format më të shëmtuara të dënimit, kurse muslimanët as që menduan në nxjerrjen e shpatave nga këllëfi i tyre.
Studimi thotë se Pejgamberi alejhis selam i kaloi 13 vjet në Mekë duke i thirrur ata për të hyrë në Islam përmes argumentit dhe këshillës së mirë. E pasi që çështja e Islamit u rregullua brenda Medinës, atëherë i Dërguari alejhi salatu ve selam filloi përhapjen e Islamit jashtë saj përmes argumentit dhe bindjes ndër jobesimtarët, të cilët nuk besonin në Allahun e Lartësuar, në të kundërtën i luftonte. Kurse sa i përket pjesëtarëve të feve tjera qiellore, si çifutët dhe të krishterët, atyre u mundësonte zgjedhjen mes hyrjes në Islam me dëshirë dhe pagimit të xhizjes, e nëse nuk i përgjigjeshin, atëherë i luftonte. Kjo zgjedhje nënkupton se Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës siç thonë disa orientalistë.

Betejat e Pejgamberit dhe shkaqet e tyre

Beteja e Bedrit nuk u zhvillua për shkak të përhapjes se Islamit me shpatë, por pas saj qëndronte dëshira e muslimanëve për të kthyer një pjesë të të drejtave të tyre të grabitura; pasuritë dhe shtëpitë e tyre, të cilat i lanë në Mekë para hixhretit (shpërnguljes nga vendi i tyre për shkak se i dëbuan) me padëshirën e tyre. Ata dolën për të marrë një karvan tregtar të fisit Kurejsh, e kur kurejshët morën vesh për këtë, dolën me armët e tyre për t’i luftuar muslimanët.
Pastaj beteja e Uhudit ishte vetëmbrojtje dhe mbrojtje e Thirrjes Islame, ngase jobesimtarët e fisit Kurejsh nën komandën e Ebu Sufjanit ia mësyn kodrës Uhud në afërsi të Medinës për ta shuar Thirrjen Islame në djepin e saj para se të përhapet në gadishullin arab.
Pastaj, beteja e Hendekut po ashtu ishte vetëmbrojtje pasi që çifutët kishin tubuar grupet nga fiset me në krye me fisin Kurejsh për t’i sulmuar muslimanët në Medinë dhe për ta mbytur të Dërguarin e Allahut. Është vërtetuar se çifutët ishin nxitësit kryesor të betejës së Hendekut. Ata i nxitën kurejshët, e pastaj fisin Gatafan dhe Beni Murre, e pas tyre ia mësyn fiseve Sulejm, Eshxha, Fuzare, Sad dhe Esed, të cilat i nxitën për t’i luftuar muslimanët. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut pati plotësisht të drejtë, atëherë kur i përzuri çifutët nga Medina, sepse ata prishën marrëveshjen e lidhur, iu bashkuan armiqve të Islamit në betejën e Uhudit. Gjatë qëndrimit të tyre në Medinë ata ishin si therë në shpinën e muslimanëve, ngase u jepnin fshehtësitë e muslimanëve kurejshëve, krijonin probleme përbrenda Medinës si dhe përpiqeshin për ta acaruar lidhjen mes Ensarëve dhe Muhaxhirëve.
Pas marrëveshjes së Hudejbijës, gjejmë Islamin të përhapet me vetëdëshirë ndër komandantët kurejsh. Islamin e pranoi Halid bin Velidi dhe Amër bin Asi. Ata me vetëdëshirë u nisën prej Mekës në Medinë për ta takuar të Dërguarin e Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ku e pranuan Islamin para tij dhe iu besatuan.

Qëndrimi i muslimanëve ndaj çifutëve

Në kohën kur disa pretendojnë se Islami i vret pjesëtarët e feve tjera dhe i detyron për të hyrë në Islam, shohim se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me të arritur në Medinë lidhi koalicion me çifutët vendas. Dokumenti tregon se çifutëve në Medinë u takon mbrojtja dhe siguria e Allahut të Lartësuar, janë të siguruar në jetën, fenë dhe pasurinë e tyre, dhe janë të lirë t’i ushtrojnë simbolet e tyre fetare, Mirëpo, edhe përkundër kësaj ata i tradhtuan muslimanët dhe i thyen marrëveshjet.
Disa orientalistë të prirë nga Mergjijath thonë: Qëllimi kryesor i invazionit musliman ndaj çifutëve ishte përfitimi i plaçkave, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë. Ngase shkaku kryesor i largimit të çifutëve nga Medina ishte se ata thyen marrëveshjen, nuk bashkëpunuan me muslimanët në mbrojtjen e Medinës dhe lidhën koalicion me armiqtë e muslimanëve. Largimi i çifutëve ishte i domosdoshëm për të siguruar frontin e brendshëm, për të mbrojtur shtetin islam të porsalindur,e kjo është një e drejtë legjitime. Propozimi i sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ishte mbytja e të gjithë çifutëve. Mirëpo, i Dërguari i Allahut pranoi ndërmjetësimin e Abdullah bin Ubej bin Selulit në çifutët e fisit Beni Kajnuka’ dhe urdhëroi që të dëbohen nga Medina të gjallë e nuk e mbyti asnjë, edhe pse muslimanët kishin fituar ndaj tyre. Po ashtu i dëboi çifutët e fisit Beni Nadir duke mos vrarë askënd. Kjo ndodhi pas përpjekjes së tyre të pasuksesshme për të vrarë kryetarin e shtetit të personifikuar në personalitetin e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pastaj, gjykimi i sahabiut të nderuar Sa’d bin Muadh në vrasjen e burrave çifutë të fisit Beni Kurejdha ishte si pasojë se ata tradhtuan marrëveshjen e lidhur dhe kishin tubuar më parë fiset në betejën e Hendekut kundër muslimanëve.
Pasi morën vesh muslimanët për planin e çifutëve të Hajberit për të sulmuar Medinën filluan të parët me sulm. Mirëpo, nuk i mbytën ata e as nuk i detyruan të hyjnë në Islam pasi që pranuan të paguajnë xhizjen.
I Dërguari alejhi selam u dërgoi mesazhe të gjithë mbretërve dhe princave në vitin e shtatë të hixhretit ku i thërriste që ta pranojnë Islamin. Ai nuk kishte përdorur asnjë forcë për të detyruar dikë që ta pranojë Islamin përveç në një rast kur dërgoi një ekspeditë për ta ndëshkuar prijësin e Muetës, i cili kishte vrarë emisarin e të Dërguarit alejhi selam Harith bin Amir el-Ezdij, i cili ishte në rrugë për te një prijës i Basrës për ta thirrur në Islam. Qëllimi i ekspeditës nuk ishte përhapja e Islamit me shpatë, por qëllimi i saj ishte ndëshkimi i prijësit të Muetës Sherhabil bin Amër el-Gasani për veprën e tij jonjerëzore në Xhumadel-Ula, shtatë hixhrij, viti 629 m.
Sikur i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të kishte për qëllim përhapjen e Islamit me shpatë apo marrjen e plaçkave, siç pretendojnë disa orientalistë, do ta kishte lënë Tebukun e do t’ia kishte mësyrë forcave të Kajserit romak të mbyllura nëpër fortifikata në vendet e Shamit. Do t’i kishte rrethuar nga jashtë, do t’ua ndërpriste ushqimin dhe furnizimin, e me siguri se ata do t’i përgjigjeshin kërkesave të tij nëse rrethimi i tyre do të zgjaste. Mirëpo, ai nuk bëri këtë as me popullin e Tebukut e as me Thekifin para tyre në betejën e Hunejnit, sepse qëllimi i tij kryesor ishte vetëmbrojtja dhe mbrojtja e Thirrjes Islame. Pasi që kjo është kështu, kjo nuk nënkupton që të mos sulmojë i pari atëherë kur e di se do të sulmohet, sepse “mënyra më e mirë e mbrojtjes është sulmi”.
Tani pyetja, e cila i parashtrohet disa orientalistëve, është: Ku është përhapja e Islamit përmes shpatës në vitin e delegacioneve? Delegacionet nga fiset e ndryshme në krye me prijësit dhe zotërinjtë e tyre vijnë vullnetarisht në Medinë duke përballuar barrën e udhëtimit edhe përkundër vështirësive të rrugëve në këtë kohë. Menjëherë pas arritjes në Medinë ata ia mësynin për ta takuar të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe me vetëdëshirë e shprehnin Islamin në emër të fiseve të tyre.
Studimi vërteton se luftërat e felëshimit (riddes), të cilat i udhëhoqi kalifi i parë Ebu Bekër es-Siddiku nuk ishin për ta përhapur Islamin, por ato ishin për ta ruajtur njësimin e shtetit islam pasi kishin hyrë të gjitha fiset arabe nën sferën e shtetit islam me plotëdëshirë. Disa prej tyre paguanin xhizjen, kurse të tjerët paguanin zekatin.
Studimi tregon se ai, i cili e mbyti kalifin e dytë Umer bin Hattabin duke u falur në xhami ishte një burrë i krishterë prej atyre që gëzonin sigurinë e shtetit islam. Umeri edhe përkundër kësaj porositi që pas tij të sillen mirë me ata, të cilët gëzojnë sigurinë e shtetit islam (çifutët dhe të krishterët), t’i çojnë në vend marrëveshjet e tyre, të luftojnë për ta dhe mos t’i ngarkojnë përtej mundësisë së tyre.
01 Rebiu Thani 1425 – 20 maj 2004

marrë nga fjalaebukur.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit