1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Islam” pa muslimanë! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Shejhut të Ez’herit Muhamed Abduhu (1849-1905) i atribuohet të ketë thënë, thuhet pasi u kthye nga Franca nga një konferencë:

“Shkova në Perëndim dhe gjeta Islam, por nuk gjeta muslimanë, dhe u ktheva në lindja e gjeta muslimanë, por nuk gjeta Islam.”

Kjo shprehje është përhapur kaq shumë mes muslimanëve të sotëm, saqë është kthyer në një slogan si të ishte hadith apo ajet Kurani, aq sa shumë e përsërisin atë pa e ditur as se kush është autori i saj.

Por a është e vërtetë se këtë fjalë e ka thënë shejhu i Ez’herit i asaj kohe Muhamed Abduhu (rahmet pastë)?

Studiues dhe dijetarë të ndryshëm pohojnë se nuk e kanë gjetur këtë fjalë të regjistruar në asnjë libër apo gazetë, ku janë përmendur fjalët e Shejh Muhamed Abduhut, kështu që edhe pse kjo thënie është shumë e njohur prej tij, ajo nuk provohet që të jetë thënë nga ai.

Por edhe thënia në vetvete është kontradiktore, sepse nuk mund të imagjinohet Islam pa muslimanë dhe as muslimanë pa Islam. Megjithatë ata që e përmendin shpesh këtë thënie e vendosin atë në kontekstin e lëvdatës së zhvillimit, përparimit, shkencës, dijes, respektimit të drejtësisë dhe të gjitha gjërave të mira që Islami i nxit dhe i kërkon, të cilat Perëndimi i ka arritur, dhe kritikës së prapambetjes, padrejtësitë dhe të gjitha të ligat dhe mangësitë që ka në vendet muslimane në këto drejtime dhe që Islami i refuzon.

Mirëpo pavarësisht këtij interpretimi, thënia ngelet në dukshmërinë e saj një e pavërtetë kaq e madhe, sa vështirë të besohet që atë ta ketë thënë një dijetar islam, aq më tepër një dijetar i kalibrit të Shejhut të Ez’herit.

Islami siç e dinë të gjithë nis me pohimin e shehadetit, me shtyllat e besimit dhe ato të Islamit, që janë themeli i Islamit dhe elementet bazike të të qenit muslimanë. Pa diskutim që drejtësia, etika e sjelljes, dashuria për dijen, shkencën, zhvillimi i qytetërimit, kujdesi për mirëqenien e njerëzve etj, janë pjesë të rëndësishme të Islamit, por problemet që vendet muslimane kanë në këtë drejtim me shumicë dhe kriza morale, fetare, politike dhe qytetërimore që ato ka shekuj që po kalojnë, nuk i bënë këto vende, vende tërësisht pa Islam, sado mangësi që të ketë në to.

Në të njëjtën kohë, sado të mira të ketë arritur Perëndimi në drejtimet që u përmendën, këto vendet nuk mund të jenë islame, sepse u mungojnë themelet bazike nga të cilat nis Islami, që është dorëzimi, adhurimi dhe përulja ndaj Zotit, pa përmendur këtu me dhjetëra norma islame të tjera. Ndërkohë Perëndimi ka shekuj që nuk i përkulet dhe adhuron më Zotin, por egon njerëzore, dhe çdo arritje e tij, që ka mahnitur pjesën tjetër të botës, i dedikohet pikërisht këtij idhulli të tij.

Por që nga shekulli XIX kur kjo thënie mendohet se mund të jetë thënë, e deri më sot, Perëndimi ka shkuar shumë më larg, jo vetëm në shkencë, teknologji dhe përmirësim të administrimit të jetës dhe nevojave të njerëzve, por edhe në degradimin moral dhe largimin nga besimi në Zot dhe vlerat e tij themelore.

Shumë muslimanë emigrojnë dhe braktisin vendet e tyre kryesisht për arsye ekonomike, për të gjetur një trajtimi më të mirë në këtë drejtim në Perëndim, ndonjëherë edhe për më tepër liri politike dhe besimi, që ndodh që në vendet e tyre të mos e gjejnë, për shkak të regjime politike zullumqare, por sfida më e madhe me të cilën ata përballen me kalimin e kohës në këto vende është pikërisht mungesa e të jetuarit të Islamit në mjedisin e vetë, mes muslimanëve. Sfida për ta është lufta për të mos u asimiluar dhe tretur në këto shoqëri, të cilat edhe pse janë treguar mikpritëse, kosto me të cilën duhet paguar kjo mikpritje, mirëqenie etj, është shumë e rëndë, është tjetërsimi dhe zhbërja e Islamit, sidomos tek pasardhësit.

Sigurisht që jo të gjitha vendet në Perëndim janë njëlloj në këtë drejtim, por sido që të jetë, është afërmendsh që pakica muslimane atje nuk mundet kurrsesi t’i imponohet shumicës, por është e kundërta. Kështu që guri rëndon në vendin e tij, thotë një fjalë e urtë popullore. Ndaj muslimanët duhet të kthehen në vendet e tyre, dhe atje të luftojnë dhe përpiqen ta ndërtojnë jetën, me gjithë vështirësitë dhe sfidat që i duhet të përballen. Këto vende nuk mund t’iu lihen pafundësisht kastave politike dhe ekonomike apo edhe fetare të korruptuara, mediokre dhe zullumqare dhe pinjollëve të tyre, janë vende që janë amanet nga Zoti, e nëse ndryshimin nuk e sjellin vendasit dhe bijtë e tyre, atëherë kush do ta sjellë këtë ndryshim?!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit