4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Triumfi i muslimanëve mbi tatarët dhe roli i shejhul Islam, Ibnu Tejmije

Më të lexuarat

Në ditën e dytë të Ramazanit, muslimanët thyen perandorinë më të fortë që njerëzimi ka parë ndonjëherë, e cila ishte perandoria tatare, dhe deri më sot, për shtatë shekuj, ata nuk e kanë marrë më veten.
Në vitin 702 të shpërnguljes së Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe në ditën e dytë të muajit të bekuar të Ramazanit, Zoti u dha fitore robërve dhe ushtrisë së Tij mbi armiqtë e Islamit Mongolët.
Shkaku i kësaj lufte qe vazhdimi i sulmit mongol mbi tokat e muslimanëve, pasi ata përmbysën kryeqytetin e Halifatit Abasit “Bagdadin” në vitin 656 Hixhrij.
Nuk pati fatkeqësi më të madhe për umetin islam se sa ardhja e tatarëve. Tatarët i kishin dërguar disa letra Emirit të Bagdadit ku e informonin për mbërritjen e tyre, porse nga frika e madhe që ushtarët dhe njerëzit kishin për ta, nga çfarë kishin dëgjuar mbi pushtimet e tyre e mbi hakmarrjen e tyre të dhunshme, Emiri i Bagdadit ua dorëzoi qytetin pa luftë, tatarët në atë kohë qenë nën udhëheqjen e “Kazanit”, nipit të “Holakos”.
Kazani deshi që ta udhëhiqte vetë fushatën brutale tatare mbi tokat islame, por kërcënimi i kufijve të shtetit mongol që u vinte nga ana lindore e shtyu atë që ta zëvendësonte komandanti “Kutlushah”.
Kutlushah bashkëpunoi ngushtë me të Krishterët, plus që një numër i madh i forcave të ushtrisë së tij ishin armenë të krishterë. Kështu nisi pushtimi i ri tatarian, duke korrur në rrugën e tij çdo gjë që i dilte përpara; të njomë dhe të thatë, sidomos atë që hasi në tokën e Shamit. Ata shpejt arritën në Hims dhe Baalebek dhe bënë kërdinë në këto vende, duke vrarë burrat, ndërsa gratë dhe fëmijët i morën robër, dogjën shtëpitë dhe orenditë. Qëllimi i tyre ishte pushtimi i të gjithë tokave të Shamit, kështu që njerëzit u tmerruan dhe ikën me pasuritë dhe orenditë e tyre në Egjipt dhe Kerak.
Në atë kohë halifi El-Mustekfi Bil-lah dhe Sulltani En-Nasir Muhamed bin Kalavun banonin në Egjipt, ata ishin shumë të shqetësuar dhe të frikësuar nga hyrja e tatarëve në Damask.
Populli i Sirisë ra në dëshpërim, në mesin e tyre u përhapën thashetheme dekurajuese dhe u frikësuan tmerrësisht. Njerëzit e dekurajuar filluan ta dobësojnë vendosmërinë e luftëtarëve duke thënë: “Muslimanët nuk kanë fuqi të përballen me tatarët, dhe se tatarët në mënyrë të pashmangshme do të hyjnë në Sham!”.
Ndërkohë një zë shumë i çuditshëm u shfaq që ra ndesh me atë që njerëzit qenë mësuar, i cili nxiste dhe thërriste në konfrontim dhe guxim përballë këtij armiku brutal, dhe këtu doli në pah roli i dijetarit të madh dhe të nderuar Ibnu Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, i cili i thërriti njerëzit në Luftë në rrugën e Allahut (xhihad).
Ai forcoi vendosmërinë e tyre, kontaktoi princat dhe i ftoi ata të dilnin dhe të mbronin çështjen e Islamit në Sham. Ai e udhëhoqi këtë fazë të rrezikshme dhe vendimtare në çdo kuptim të fjalës; ai ndezi në zemrat e muslimanëve fitilin e krenarisë dhe dinjitetit dhe rrënjosi tek ata frymën e besimit të pastër.
Kështu princat u takuan në fushë betejë, u bashkuan dhe inkurajuan vetet e tyre, për t’u përballur me armikun. Një zë i lartë thërriste që askush të mos largohet dhe kështu njerëzit disi u qetësuan.

Roli i dijetarit islam ibnu Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ishte faktori kryesor në fitoren e muslimanëve në betejën e Shekhabit. Ai dha një shembull të mrekullueshëm për dijetarët muxhahidë me fjalë dhe vepra. Ibn Tejmijeh iu bashkua radhëve të muxhahidëve dhe qëndroi me ta, duke i inkurajuar dhe duke përhapur frymën e vendosmërisë dhe mbrojtjes së fesë në mesin e banorëve të Shamit. Ai i përgëzonte njerëzit dhe i bënte të qëndrueshëm derisa ishin në vijën e parë të betejës, e u thoshte:
“Do të jeni fitimtarë! Pasha Allahun do të jeni fitimtarë!”
Ata i thoshin: “Thuaj, në dashtë Allahu.” Ai u tha: “Në dashtë Allahu bindje dhe realizim, dhe jo vartësi e dyshim!” I vendosur në atë që shikonte, duke interpretuar disa ajete, ndër to Fjala e Allahut:
{ذَ ٰ⁠لِكَۖ وَمَنۡ عَاقَبَ بِمِثۡلِ مَا عُوقِبَ بِهِۦ ثُمَّ بُغِیَ عَلَیۡهِ لَیَنصُرَنَّهُ ٱللَّهُۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورࣱ}
“Ja, kështu (do të jetë). Dhe
kush e kërkon shpagimin me të
njëjtën masë, me të cilën është
dëmtuar dhe pastaj përsëri i bëhet padrejtësi, Allahu patjetër do ta ndihmojë atë. Allahu është Mbulues i gjynaheve dhe Falës i Madh.” [El- Haxh: 60]

Ibnu Tejmijeh nuk u mjaftua vetëm me kaq, por ai gjithashtu shkoi vetë në këmbë tek Sulltani En- Nasir Muhamed Ibn Kalavun duke e thirrur atë për të luftuar, dhe për t’ia forcuar zemrën. Sulltanin En- Nasir e kishte kapluar një dobësi e madhe nga frika e përballjes me tatarët, kështu që Ibnu Tejmijeh i dha zemër dhe qëndroi duke i kujtuar atij virtytin e xhihadit dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes së tokave islame.
Ibnu Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, u largua nga Damasku në mëngjesin e së enjtes, në fund të Shabanit, duke hasur vështirësi të madhe për shkak të numrit të lartë të atyre që e shoqëronin, plus një mase të lartë njerëzish që iu bashkuan atyre, nga dëshira për të marrë pjesë vetë në luftë.
Ushtritë e Shamit dolën në zonën e fshatit Elkisueh duke u përgatitur për luftë. Tatarët arritën. Njerëzit e Shamit u frikësuan se mos ushtria e Shamit kishte ikur nga frika e disfatës. Njerëzit u goditën nga një ankth i madh! Kjo ndodhi të enjten, më njëzet e nëntë të muajit Shaban. Në fund të kësaj dite, erdhi një nga Emirët e Damaskut dhe e njoftoi popullin se sulltani kishte mbërritur në kohë, dhe se ishte arritur bashkimi i ushtrisë muslimane të ardhur nga Egjipti me atë të Shamit. Tatarët ndoqën rrugën për nga veriu në jug, dhe nuk hynë në Damask, por u ndalën në një zonë ku mblodhën ushtarët dhe filluan mobilizimin. Ata nuk u prokupuan për pushtimin e Damaskut, duke thënë se nëse ne do të fitojmë, atëherë Shami është i yni, dhe nëse do të mundemi, nuk kemi nevojë për të.
Dhe kështu hyri muaji i bekuar i Ramazanit, ditën e xhuma. Njerëzit u lutën në namazin e teravive që ushtria muslimane të fitonte, ata qëndruan kështu duke pritur lajmin. Ushtria islame e Shamit ishte vendosur pranë fshatit Elkisueh, në këtë kohë erdhën komandantët e ushtrisë, dhe i kërkuan ShejhuI Islam, Ibnu Tejmijes që të shkonte te Sulltani dhe ta nxiste atë të futej në Damask. Ai iu përgjigj kërkesës së tyre, dhe e nxiti atë të shkojë në Damask pasi ishte gati të kthehej në Egjipt, ai u kthye bashkë me të, ndërsa Sulltani i kërkoi Ibnu Tejmijes që të qëndronte në fushë betejën e luftimeve, Ibn Tejmije i tha: “Tradita (Suneti) është që burri të qëndrojë nën flamurin e popullit të tij. Ne jemi pjesë e ushtrisë së Shamit dhe nuk do të qëndrojmë veçse me të.”

Ibn Tejmije dha fetva që ushtarët ta prishnin agjërimin gjatë periudhës së luftimeve, gjithashtu edhe ai vetë e prishi agjërimin, ai shkonte tek ushtarët e komandantët dhe hante nga diçka që kishte në dorë, për t’u mësuar atyre se prishja e agjërimit për të qenë sa më të fortë në luftë është më e mirë, me qëllim që njerëzit të hanin, duke interpretuar hadithin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
“Nesër do të takoni armikun dhe prishja e agjërimit është më e fortë për fizikun tuaj.”
Aa e prishën agjërimin dhe u ndjenë të fortë. Muslimanët e organizuan ushtrinë e tyre në fushën e Shekhabit. Sulltani En-Nasir ishte vetë në zemër të ushtrisë, bashkë me të ishte edhe Emiri Elmustekfi Bil-lah, gjykatësit, princat, fëmijët e tyre, e të tjerë.
Sulltani En-Nasir qëndroi i palëkundur në fushën e betejës bashkë me gjeneralët e tij, dhe urdhëroi që kalit të tij ti lidhnin këmbët që të mos ikte, dhe i porositi ushtarët për dy veprat e mira: “fitore ose martirizim”.
Të dyja ushtritë u konfrontuan, tatarët luftuan shumë fortë saqë dukej sikur e kishin në disfavor situatën, fitorja sikur fillojë të anojë në anën e tyre. Ata vranë shumë prej muslimanëve të devotshëm dhe disa nga princat e tyre, por ushtria islame qëndroi e palëkundur gjatë gjithë natës. Lufta u ndez fort dhe ekuilibri u anua në favor të muslimanëve, drejtimi i betejës ndryshoi plotësisht. Të nesërmen kur zbardhi dita, tatarët donin të iknin pasi muslimanët qëllimisht u kishin bërë një shteg, për t’ia lehtësuar atyre ikjen. Ushtarët muslimanë i ndoqën ata nga pas duke vranë një numër të madh prej tyre. Në nxitim e sipër ata ranë në tokë me baltë dhe shumë prej tyre vdiqën në të, e disa prej tyre u zunë robër.

○ Thotë Hafizi i nderuar Ibnu Kethiri, Allahu e mëshiroftë-:
“Kur erdhi nata, tatarët iu drejtuan brigjeve, maleve dhe kodrave, muslimanët i rrethuan duke i ruajtur që të mos iknin; duke i gjuajtur me harqe deri në agim; duke vrarë një numër të lartë prej tyre që e vetëm Zoti i Madhëruar e di; pastaj i detyruan të zbresin nga malet duke i vrarë një nga një. Tatarët ia mbathën vrapit derisa arritën në lumin e Eufratit, ndërsa niveli i tij ishte rritur aq shumë saqë çdo gjë e merrte përpara, kështu që ata nuk mundën të kalonin. Ata që u përpoqën ta kalojnë lumin u mbytën. Në pamundësi për të kaluar lumin ata ecën anash tij duke iu drejtuar Bagdadit, por shumica e tyre qëndruan në brigjet e lumit Eufrat, ndërsa një numër të madh prej tyre muslimanët e Irakut i zunë robër. Kurse nga ana e muslimanëve Shejhul Islam, Ibnu Tejmije dhe shokët e tij arritën në Damask të hënën. Kurse të martën, më datën, pesë Ramazan, Sulltani hyri në Damask bashkë me Emirin e Damaskut, ndërsa qyteti qe zbukuruar me rastin e fitores. Ata qëndruan në Damask deri në ditën e tretë të Sheualit, pas së cilës u kthyen në Egjipt. Gëzimi i Sulltanit En-Nasir ishte i papërshkrueshëm rreth kësaj fitoreje”.

○ Hafizi i nderuar, Ibnu Kethiri, Allahu e mëshiroftë, e përshkruan kështu kthimin e ushtarëve muslimanë të Shamit, të kryesuar nga Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë:
“Të hënën, më katër të muajit Ramazan, njerëzit nisën të ktheheshin nga fshati Elkisueh për në Damask, duke i përgëzuar dhe duke i lajmëruar njerëzit për fitoren. Dhe po në këtë ditë në Damask hyri edhe Shejhul Islam, Tekijjudin ibnu Tejmije me shokët e tij të xhihadit. Njerëzit u gëzuan pa masë kur panë Shejhul Islamin, u lutën për të dhe e përgëzuan atë për atë që Allahu ia kishte mundësuar fitoren në duart e tij.
Vendosmëria dhe guximi i Shejhul Islam, Ibnu Tejmijes ishte një nga arsyet më të rëndësishme për fitoren në atë betejë; për shkak të menaxhimit të mirë, këshillave, mundimeve në tokën e xhihadit dhe qëndrimeve të tij heroike në fushën e betejës.”

Thotë Ibnu Abdul Hadi -Allahu e mëshiroftë: “Ruajtësi i Emirit, i cili ishte i një fetar i mirë, tha: “Shejhu (duke patur si qëllim Ibnu Tejmijen), më tha atë ditë kur u përballën dy ushtritë:” O filan! Më dërgo në pozicion e vdekjes.” Ruajtësi tha:” E çova Shejhun në vijën e parë përballë me armikun, ndërsa ata zbrisnin si një përrua i furishëm, duke shkundur armët e tyre nga pluhuri i ngjitur mbi to. Pastaj i thashë:” O zotëria im! Ky është pozicioni i vdekjes, ja dhe armiku tek po afrohet bashkë me tymin e dendur, tani vepro si të duash!”.
Pastaj roja e Emirit tha:” Ai (Shejhul Islam) në këto momente ngriti fytyrën drejtë qiellit, e nguliti shikimin në të, dhe pashë që lëvizi buzët për një kohë të gjatë, pastaj e mblodhi veten, dhe u sul të luftojë. Sa për mua, mendoj se ai u lut kundër tyre dhe se lutja e tij iu përgjigj në atë moment. Pastaj lufta nisi midis nesh dhe tatarëve, dhe unë nuk e pashë më atë derisa Zoti na dha fitoren”.

● Kjo qe fushata e tretë nga fushatat e tatarëve kundër tokave islame, dhe e fundit nga fushatat e mëdha të tyre, me të cilat donin të zhduknin bërthamën e Islamit, pasi ata shpejt u konvertuan në Islam, dhe shumica e tyre hynë me sinqeritet në fenë e Allahut. Ata u bënë mbështetje e fortë për ushtritë islame, duke luftuar me ta kundër armiqve të tyre dhe duke përhapur Islamin në të gjitha anët e botës.

○ Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, i mbylli ngjarjet e Betejës së Shekhabit me fjalë të bukura dhe të qeta pasi i tregoi ngjarjet e saj në një mënyrë unike duke thënë:
“Mendimet e mira u forcuan, dëshpërimi u zhduk dhe zemrat e njerëzve u qetësuan”.



/t.me/HarizAllkoci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit