Pozita gjeografike
Republika e Irakut, njëri nga shtetet e mëdha arabe dhe aziatike, bie në jugperëndim të kontinentit të Azisë, në Gjirin Arab, gjegjësisht në atë Persik, në mes të Iranit dhe Kuvajtit. Iraku llogaritet si njëri nga shtetet e mëdha për prodhimin e naftës. Territori gjeografik i Republikës së Irakut është si një trekëndësh, i përbërë prej shkretëtirës, luginës së pëlleshme që bie në mes të dy lumenjve –Tigër dhe Eufrat – dhe prej maleve. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të Irakut arrin deri në 3650 km. Republika e Irakut, nga veriu – kufizohet me Turqinë me një gjatësi prej 352 km; nga jugu – me dy shtete, me Arabinë Saudite në një gjatësi deri në 814 km dhe me Kuvajtin në gjatësi prej 240 km; nga lindja – me Iranin në një gjatësi deri në 1458 km; nga perëndimi – me tri shtete, me Jordaninë në gjatësi 181 km, me Sirinë në gjatësi deri 605 km dhe me Arabinë Saudite. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, prej të cilave kryesoret janë porti i Basra-s, i Huru Zubejr-it dhe i Um-mu Kasr-it(3). Republika e Irakut ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore, si: University of Baghdad, Al-Mustansiriya University, Al-Nahrain University,(4).
Të dhëna statistikore(1):
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Iraq.
• Emri zyrtar: Iraku.
• Sistemi i qeverisjes: Republikë.
• Sipërfaqja: 437, 072 km².
• Numri i banorëve: 31. 234. 000 (2009).
• Dendësia: 71. 5 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 98% (shiinj 56%, suninj 42%), të krishterë 2%.
• Kryeqyteti: Bagdadi; llogaritet qyteti më i madh në vend.
• Qytete të tjera: Mosuli, Basra, Kuffa, Fel-luxha, Nexhefi, Sulejmanije, Kerbela, Samerra, Tikriti, Enbari, Babil dhe Vasit.
• Grupet etnike: arabë 80%, kurdë 15%, turkmenë, asirianë dhe etni të tjera 5%.
• Gjuhët kryesore: arabishtja (gjuhë zyrtare) dhe kurdishtja.
• Njësia monetare: Dinar irakian (1. 00 IQD = 0. 00059 EUR).
• Data e pavarësisë: 3 tetor 1932.
• Festë kombëtare: 17 Qershori 1958.
Bagdadi:
Si kryeqytet, llogaritet qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm në vend, si dhe qyteti i dytë më i madh në Botën Arabe, pas Kajros. Numri i banorëve të këtij qyteti arrin deri afërsisht 6.5 milionë. ky qytet konsiderohet edhe qendër ekonomike, administrative dhe arsimore e shtetit. E ka ndërtuar halifi i dytë abasit – Ebu Xha’fer El Mensur, nga viti 762 m e deri më 764 m, në dekadën e gjashtë të shekullit VIII m / II h., të cilin e bëri kryeqytet të Shtetit Abasit, dhe qyteti Bagdad pikërisht nën sundimin abasit arriti një prestigj të konsiderueshëm. Qytetin e Bagdadit e kishin pushtuar mongolët, safevijjunët, osmanlinjtë dhe britanikët. Ky qytet, gjatë periudhave të pushtimit, ka vuajtur shumë. Pushtimi i fundit i Bagdadit dhe i tërë Irakut ishte ai amerikan, i vitit 2003. Në vitin 656 M, njëri prej prijësve mongolë, Hulagu, kishte ndaluar në Bagdad dhe e kishte rrethuar. Gjatë atij rrethimi u zhvilluan luftëra, të cilat u pasuan edhe me trazira të brendshme, që çuan në pushtimin e vendit nga mongolët dhe vrasjen e halifit Musta’sim, të bijve dhe të njerëzve shoqërues të tij. Me marrjen e Bagdadit, ushtria mongole nuk pati mëshirë as ndaj pleqve, fëmijëve dhe grave. Në aspektin ekonomik, Bagdadi llogaritet qendër e disa fabrikave të vendit dhe qendër kryesore e industrisë dhe e tregtisë. Bagdadi në fushën e ekonomisë gjithashtu luan rolin e lidhjeve tregtare në mes Turqisë, Sirisë, Indisë dhe Azisë Juglindore, si dhe është qendra e biznesit tregtar kryesor në vend. Ndërkaq, në fushën e turizmit Bagdadi konsiderohet një qendër e rëndësishme e atraksionit turistik, me më shumë se një milion turistë gjatë një viti – para bllokadës ekonomike dhe trazirave të rrethimit dhe pushtimit të vendit –, në kohën kur funksiononte aeroporti ndërkombëtar i vendit. Po ashtu, Bagdadi llogaritet edhe prej zonave bujqësore të vendit, ku shumica e banorëve të saj varen nga kultivimi i tokës(5).
Historia e Irakut
Që nga kohët e lashta Iraku njihej me emrin “Vendet në mes dy lumenjve” (Mesopotamia), që përfshijnë një pjesë të madhe nga fushat aluviale të lumenjve Tigër dhe Eufrat. Në vitin 3400 para erës sonë, në Irakun e sotëm, u paraqit një prej qytetërimeve më të vjetra të botës, qytetërimi sumerian. Mandej, në veri të vendit dhe rreth lumit Tigër ishte themeluar Perandoria asiriane. më vonë, u themelua edhe Perandoria Babilonase, me një vend pranë lumit Eufrat si qendër e saj. Në vitin 538 p. e. s. Perandoria Persiane pushtoi Vendet mes dy lumenjve. Në vitin 331 p. e. s. –këto vende i pushtoi Aleksandri i Maqedonisë – Leka i Madh. Mandej, vendet në fjalë, në vitin 114 u përballën me pushtimin romak. Më pastaj, në vitin 266 këto vende iu nënshtruan sundimit të Perandorisë sasaniane Persiane. Në betejën El Kadisije – në jug të Irakut – të vitit 637, myslimanët triumfuan ndaj Perandorisë Persiane. në atë kohë kryeqendra e shtetit islam ishte medina, në krahinën e Hixhazit të Gadishullit Arabik. Ndërsa në vitin 661 kryeqendra e Shtetit Islam u transferua në damask të sirisë, në kohën e sundimit të emevinjve. Më vonë, në vitin 750 kryeqendra islame kaloi në Bagdadë qenë abasinjtë ata që gjatë kohës së sundimit të tyre e zgjodhën atë si kryeqendër të shtetit islam, shtetit atëherë më të madh dhe të zhvilluar. Sundimi i abasinjve vazhdoi deri në vitin 1258, kur mongolët tatarë pushtuan Bagdadin dhe e dogjën. Më pastaj, Tejmur Lenku – njëri prej prijësve mongolë – në vitin 1401 do të shkatërronte qytetin e Bagdadit. Në vitin 1533 sulltani osman – Sulejman Kanuni – bashkoi Irakun, në mënyrë që të llogaritej pjesë e Perandorisë osmane turke, deri në shekullin XX. Ndërkaq, në vtin 1916 – gjatë Luftës së Parë Botërore – Irakun e pushtoi Britania e Madhe, kurse në vitin 1921 u themelua Familja Mbretërore Hashimite, dhe atëherë Britania Irakun e njohu si Mbretëri, dhe emëroi mbret Fejsalin I. Iraku fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1932.(6)
Historia e përhapjes së islamit në Irak
Në mesin e shekullit të shtatë miladi, apo në fillim të shekullit të parë hixhri, ushtria islame doli nga Gadishulli Arabik dhe u orientua në drejtim të Perandorisë Sasaniane Persiane. Pas depërtimit të ushtrisë myslimane në shumë prej zonave të kësaj Perandorie, arritën ta rrënonin atë. Kjo Perandori më herët dominonte në Irak, në Iran dhe në pjesë të Afganistanit e në Turkistan të Azisë Qendrore. Feja islame në Irak hyri në vitin 12 H, gjegjësisht në kohën e halifit të parë, Ebu Bekër Es-Siddikut r.a.. Pasi i qëroi hesapet me murtedët dhe arriti të stabilizonte situatën në Gadishullin Arabik, Ebu Bekri r.a. vendosi të vazhdonte përhapjen e Fesë islame jashtë Gadishullit, përkatësisht në zonat e dy perandorive, Persiane dhe Romako-Bizantine, si dy superfuqi në botën e atëhershme. Përveç përhapjes së Fesë islame, Ebu Bekri r.a., duke orientuar ushtrinë myslimane në orientim të zonave të sipërpërmendura, kishte për qëllim edhe lirimin e popujve nga vuajtjet, të shkaktuara prej sunduesve të tyre. Për këtë qëllim, Ebu Bekri r.a. i kishte shkruar letër Halid ibn Velidit r.a. i cili gjendej me detyrë në Jemame, dhe e kishte urdhëruar të fillonte projektin e çlirimit të Irakut nga persianët. Pra, që nga ajo kohë, Feja islame filloi të përhapej në Irakun e sotëm dhe në zonat përtej tij.(7) Kështu, Feja islame në Irak hynte si shpëtimtare e popullit nga mbizotërimi iranian dhe persekutimi që i bëhej nga njerëzit e fesë zjarrbutiste në vend. Fuqia e Islamit dhe sekreti i përhapjes së shpejtë të tij midis popujve të vendeve të çliruara, u dha mundësi atyre që të shpëtonin nga gjendja e varësisë dhe nënshtrimit ndaj fuqive të huaja zullumqare, si dhe atyre u ofroi mundësinë që të merrnin pjesë në qeverisje me veprimtari të efektshme në shtetin islam. Me të vërtetë çlirimi islam, duke e lënë ë hapur derën për të hyrë në Fenë islame dhe mundësinë e pjesëmarrjes në qeverisje, karshi të gjithë banorëve të vendeve të çliruara, shumicën e tyre i bëri që të hynin në Islam dhe të merrnin pjesë në menaxhimin e shtetit të ri, Shtetit Islam, madje edhe të krenohej për Islamin e tyre. Kjo bëri që, të gjithë popujve vendas, të cilët pranuan Islamin, t’u mundësohej sundimi i vendeve të tyre, si krahina brenda Shtetit Islam.(8)
Klima
Në klimën e Irakut, kryesisht mbizotërojnë tipare të klimës së shkretëtirës. Por klima shkon duke ndryshuar nga një trevë në tjetrën, në veri klima është e butë, në lindje dhe në juglindje gjysmëtropikale, dhe në perëndim e jugperëndim klima është shkretinore kontinentale. Stina e verës në Irak karakterizohet nga një nxehtësi e madhe, kurse gjatë dimrit temperaturat ulen, kurse në dimër shtrihet në muajt dhjetor, janar dhe shkurt, kur temperaturat janë të ulëta në gjithë Irakun, si dhe mund të bien nën zero Celsius në disa net të dimrit, në shumë prej zonave të Irakut Qendror dhe verior.(9)
Gjendja ekonomike
Ekonomia e Irakut është tërësisht e mbështetur dhe varet nga sektori i naftës, maje 95% e totalit të të hyrave në Irak janë nga sektori i naftës. Përveç naftës dhe gazit natyror, në truallin e Irakut janë gjetur sasi të mëdha të fosfatit dhe sasi të tjera të mëdha të sulfurit në zonat e Mishrakut të krahinës Ninevi. Gjithashtu, ka edhe pasuri të tjera të pashfrytëzuara, si uranium dhe zhivë (merkur) të kuqe.(10)
_____________________
(1) Vladimir Zoto Enciklopedi gjeografike e botës, f. 90, 91. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës islame f. . 49. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 110. Mektebetul Adab, 2007 Kajro.
(2) Muhamed Atris; f. 110. www. moqatel. com
(3) www. moqatel. com
(4) http://en. wikipedia. org
(5) vb. arabseyes. com
(6) – Muhamed Atris; f. 111.
(7) Bajrush Ahmeti; Historia Islame 2, f. 34. Medreseja e Mesme “ALAUDDIN”, Prishtinë, 1997.
(8) www. mesopot. com
(9) www. attaqs. com
(10) http://ar. wikipedia. org
Mr. Samir B. Ahmeti