3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Investimi më i mirë: Edukimi

Më të lexuarat

Baza e besimit, qytetërimit dhe kulturës Islame është dituria. Kur’ani Fisnik ka nisur të zbresë me urdhrin “Lexo!” (Alak, 96/1) dhe Profeti Muhamed (a.s) përmendet si mirësi prej Allahut, sepse u mësoi njerëzve diturinë më të lartë, që është njohja e Allahut, dhe urtësitë e mrekullueshme të ekzistencës së njeriut (Al Imran, 3/164).

Në të njëjtën kohë, Profeti Muhamed (a.s) shprehet se detyra e tij është mësuesia, duke thënë “Jam dërguar si mësues” dhe ndër sahabët që kanë marrë mësim prej tij Muavije b. Hakem es-Sulemi dëshmon kështu: “Nuk kam parë kurrë mësues më të mirë sesa Profeti (a.s)”. Kjo tregon që Muhamedi (a.s) e ka kryer detyrën, duke lënë mbresa tek nxënësit e tij.

Në fakt “të mësojë” është detyrë jetike për njeriun, duke qenë se edhe kafshët mësojnë për një kohë të shkurtër se si të mbijetojnë në natyrën e egër, ndërkohë që njeriu nis të mësojë nga djepi, dhe fjala e urtë këshillon që ta vijojë të nxënët deri në varr. Kështu nisi edhe udhëtimi i Ademit (a.s) në ekzistencë, ku Allahu si vlerë të lartë dhe dalluese prej engjëjve përmendi se ai kishte mësuar të gjithë “emrat”.

Kjo e nxënë njëkohësisht nuk mjafton të jetë thjeshtë një grumbull informacioni, por duhet të synojë që të rrisë cilësinë e jetës së njeriut dhe ta ngrejë atë shpirtërisht dhe moralisht. Për këtë arsye Profeti (a.s) ka thënë se Allahu i lehtëson rrugën për në parajsë, atij që del në rrugëtim për dituri.

Kështu, një popull i edukuar dhe i mirëformuar nuk mundet dhe s’do të jetë njësoj me atë që s’ka përkushtim ndaj diturisë, edhe sikur këta të fundit të jenë myslimanë. Situata aktuale është treguese e mjaftueshme për vërtetësinë e kësaj fjale. Jo më kot na pyet Kurani: “A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Zumer, 39/9)

Prandaj jeta e vërtetë është e mundur vetëm me dituri dhe mençuri. Ata që neglizhojnë edukimin dhe arsimimin konsiderohen të vdekur edhe nëse janë gjallë fizikisht. Saktësia e vendimeve të një individi është në raport me arsyen dhe logjikën. Arsyeja dhe logjika mund të ndriçohen dhe përsosen vetëm përmes dijes dhe njohurive. Prandaj, aty ku nuk ka dituri dhe njohuri, arsyeja është joefektive, logjika është çorientuese dhe vendimet janë të pasakta. Zgjidhja e vetme me fjalët profetike është “të mësosh dhe t’ia mësosh atë të tjerëve”.

Kështu, mësimi dhe edukimi dallohen që janë detyra të larta me rrënjët në qiej. Me përmbushjen e kësaj detyre, zbulohen merita dhe kompetenca e secilit prej nesh, individët orientohen drejt asaj që është më e dobishme dhe frytdhënëse, duke u kthyer në elemente të vlefshëm për veten, kombin dhe shoqërinë.

Kombet vazhdojnë ekzistencën e tyre me brezat e rinj. Çdo komb që dëshiron të sigurojë një të ardhme më të mirë, duhet të investojë një pjesë të burimeve, kohës dhe energjisë së tij në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, të cilët do të jenë njerëzit e mëdhenj të së nesërmes. Një farë e mbjellë, nëse nuk do të trajtohet me kujdes dhe t’i plotësohen të tëra nevojat sipas stinës, vështirë që të lulëzojë. Kombet që i lënë pas dore fëmijët e tyre janë pashmangërisht të destinuar të shemben dhe ata që i braktisin në duar krejtësisht të huaja e të vrazhda janë të destinuar të humbasin thelbin e tyre. Çdo çrregullim aktual në shoqëri gjithashtu, është rezultat i brezave të patrajtuar mirë më parë. Nëse duam të bëjmë parashikime për të ardhmen e një kombi, duhet të shohim edukatën dhe arsimin që ata marrin sot.

Me këtë ide dhe shumë shpresa të mëdha, komuniteti i besimtarëve myslimanë, i udhëhequr nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka invesutuar në arsim që në hapat e para të këtij institucioni. Medresetë shqiptare, me në krye Medresenë e Tiranës, kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë, një kontribut që sivjet mbush plot 100 vjet. Një investim që s’ka të krahasuar, për të cilin i lutemi Allahut t’i japë mundësinë për të kontribuar edhe qindra vite të tjera.

Elton Karaj

Drejtor i Arsimit në KMSH


Post Views: 7

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit